×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    3 mijë infermierë kanë kontrata për të ikur nga vendi – Forumi gjerman pritet të marrë edhe 200 të tjerë me procedurë të shpejtë

    Insajderi
    29 September 2022 - 16:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    500 infermierë kanë ikur nga Kosova vetëm gjatë këtij viti, ndërsa sipas të dhënave zyrtare nga Sindikata e Infermierëve, rreth 3 mijë infermierë kanë arritur të lidhin kontrata dhe shumë shpejt mund të ikin nga Kosova. Kjo nuk është e gjitha, me 13 tetor një shoqatë e infermierëve Gjerman, do të vije në Kosovë, llogarite se me lehtësirat për të nënshkruar një kontratë aty për aty, do të mund të joshesh edhe rreth 200 infermierë të tjerë.

    Gjermania është vendi që më së shumti ka joshur mjekët dhe infermierët kosovarë të cilët në vitet e fundit, kanë ikur nga vendi masivisht për kushte dhe paga më të mira.

     Vetëm në tri vitet e fundit nga Kosova janë larguar 403 mjekë, kurse këtë vit mbi 500 infermierë kanë lënë vendin e tyre për një shtet të huaj.

    Mungesa e kuadrit mjekësor ka vështirësuar punën nëpër klinika e QKUK-së. Pavarësisht kësaj, infermierët kosovarë, në tetor pritet që të marrin oferta pune nga forumi gjerman që do të vijë në Kosovë.

    Të dhënat e Sindikatës së Infermierëve, tregojnë se rreth 3 mijë infermierë aktualisht kanë arritur të lidhin një kontratë pune me punëdhënës gjerman. Ata sipas Përparim Berishës, kryetar i kësaj sindikate pritet që shumë shpejt ta braktisin Kosovën.

    “Për vitin 2021 janë mbi 500 infermier që e kanë lëshuar Kosovën, kurse janë rreth 3 mijë infermier që kanë lidhur kontrata dhe janë në procedurë për të ikur në vendet e huaja”, tha Berisha për Gazetën Insajderi.

    Ikja e 3 mijë infermierëve që tashme kanë lidhur kontrata me spitalet gjermane, nuk do te jenë të vetmit që do të ikin. Të shtunën e 15 tetorit në Prishtinë, do të organizohet forumi gjermano-kosovar i infermierisë me moton “Punoni në Gjermani”.

    Synimi kryesor i këtij forumi është që profesionistët shëndetësor kosovarë të arrijë më lehtë të lidhin një kontratë pune me klinika gjermane.

    Në kuadër të këtij organizimi, kjo shoqatë do të informojë të gjitha motrat medicinale, teknikët medicinal si dhe infermierët rreth mungesave të punësimit në të gjitha rajonet e Gjermanisë.

    “Pas forumit të suksesshëm në vitin 2019 dhe duke pasur parasysh nevojën e pandryshuar për infermierë të kualifikuar në RF të Gjermanisë si dhe interesimin e vazhdueshëm të njerëzve në Kosovë, ne kemi vendosur që në kuadër të këtij evenimenti t´i ftojmë përsëri qytetarët kosovarë, duke ju dhënë të interesuarve një perspektivë për një punësim apo edhe për t´ju mundësuar atyre një kualifikim profesional në profesionet, që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor në Gjermani”, thuhet në njoftimin e shoqatës në oragnizimin e të cilës pritet të marrin pjesë infermirët kosovarë,.

    Këtë vit, sipas kryetarit të Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha forumi gjerman do të arrijë të marrë mbi 200 infermier nga Kosova.

    Për shkak se tashmë një numër i madh i infermierëve e kanë lënë Kosovën.

    “Unë besojë se këtë herë më shumë se 200 infermier do të lidhin kontrata punë. Për shkak se kolegjet privat që kanë degën e infermierisë kanë marrëveshje me klinikat gjermane dhe çdo i dyti studentë tashmë ka kontratë pune me një klinikë gjerman”.

    “Tashmë kanë mbetur vetëm kategoria që janë më në moshë dhe për këtë arsye do të jetë një numër prej 200 infermier që do të shkojnë me shoqatën gjermane”, tha Berisha për Insajderin.

    Tallja e qeverise me ikjen e personelit mjekësor

    Kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe moskalimi i Ligjit të pagave bën që personeli shëndetësorë të shoh mundësi më të mirë në vendet e huaja. Thirrjet e përfaqësuesve shëndetësorë drejtuar institucioneve për situatën e krijuar hasën në vesh të shurdhër, madje disa nga pushtetarët edhe ‘tallën’ me ta.

    Deklarata më skandaloze ishte ajo e  zëvendëskryeministrit të Parë, Besnik Bislimit.

    “Kanë ikur mjekët gjithmonë në Kosovë dhe do të ikin gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, por se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë”, ka thënë Bislimi.

    Në një nivel tjetër të talljes më mjekët shkoi, Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, njëherit edhe drejtuese e Komisionit për Shëndetësi. Ajo deklaroi se aktualisht nuk ka mungesë të mjekëve në Kosovë.

    Sipas saj, mjekët gjithmonë e kanë në fokus që të punësohen në Prishtinë dhe kështu po vështirësohet puna në spitalet regjionale.

    “Ne nuk kemi aktualisht mungesë të mjekëve. Çka ka ndodh është se janë ndarë specializimet pa kritere shumë vite, pastaj është bërë një politikë e mbrapshtë e koncentrimit të kuadrove vetëm në Prishtinë. Në një farë forme kjo ka shkaktu probleme në spitalet regjionale”, ka thënë ajo.

    Për tu habitur kishte qenë edhe deklarata e deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci. Ai ka thënë se mjekët nuk po shkojnë prej QKUK-së, por po ikin studentët.

    “Asnjë mjek specialist i QKUK-së nuk ka ikur nga Kosova, as tash as në të kaluarën. Vetëm studentët e fakultetit të Mjekësisë  kanë ikur sepse nuk kanë pasur përkrahje”, kishte thënë Bajqinovci.

    Mirëpo, kryeministri Kurti sot në senacën e Kuvendit tha se arsyeja e trendit të ikjes do të vazhdojë deri sa të rregullohet hendeku ndërmjet arsimimit dhe tregut të punës.

    Madje ai, shtoi se pjesa me e madhe e tyre po ikin nga sektori privat.

    “Sa i përket ikjes së profesionistëve dhe punëtorëve në Kosovë është e vërtetë se është problem i madh dhe arsyeja kryesore e migrimit të pasluftës është mungesa e urës ndërmjet arsimimit dhe aftësimit profesional dhe tregut të punës, ky është problemi më i madh. Unë e di që po ikin mjekët, infermierët personeli mjekësor por pjesa me e madhe po iki prej sektorit privat’, tha Kurti.

    Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi lidhur me këtë fenomen ka thënë se problemi i ikjes së mjekëve nuk qëndron vetëm në Kosovë por edhe në Greqi, Austri dhe Zvicër.

    50 specialistë shëndetësor lënë spitalin e shtetit për atë privat

    Kuadri mjekësor po vazhdon të ikë nga Kosova për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës. Vetëm për tre vjet nga Kosova janë larguar 403 mjekë. Kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe moskalimi i Ligjit të pagave, bënë që në sytë e mjekëve Kosova të duket si vend që nuk ofron mundësi.

    Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu në një intervistë për Gazetën Insajderi ka treguar se përveç ikjes së mjekëve nga Kosova, një fenomen i ikjes së mjekëve nga sektori publik në atë privatë po shënon rritje masive.

    Sipas Sejdiut, vetëm gjatë këtij viti 50 specialistë kanë lënë sektorin publik për atë privat, për shkak të pagave të ulëta.

    ”Ikja e mjekëve nga sektori publik tek sektori privat, po ashtu është një fenomen shumë brengosëse sidomos kur kemi të bëjmë me mjekët me përvojë dhe eksperiencë të madhe. Sipas të dhënave që kemi marrë nga drejtorët e klinikave dhe spitaleve rajonale gjatë këtij viti nga sektori publik në atë privat kanë kaluar rreth 50 specialistëve të fushave të ndryshme”, tha Sejdiu për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark