×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Mbi 400 mijë euro shpërputhje në letra, kontrakori i Qeverisë për pasaportat nën llupën e Doganës

    Insajderi
    04 May 2023 - 14:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një veprim i dyshimtë i kontraktorit të Qeverisë për pasaporta ka alarmuar institucionet e Kosovës. Dogana e Kosovës tashmë ka nisur që të merret me këtë rast. Insajderi sjell detaje e këtij rasti, që nuk është as i pari për këtë kompani. E njëjta një herë ishte proceduar në Prokurori me kallëzim penal për arsye te ngjashme, dhe tashmë ka një aktakuzë të ngritur.

    Gazeta Insajderi

    Mbi 4 milionë euro tender i negociuar, pasi që dështoi një i hapur, ishte kontrata që firma gjermane “Veridos Gmbh”- Dega në Kosovë, mori nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e drejtuar nga funksionari i lartë i vetëvendosjes, Xhelal Sveçla.

    Kjo kontratë iu dha në fund të dhjetor të vitit të kaluar. Por, kompania në fjalë e mori këtë kntratë ani pse Prokuroria Themelore në Prishtinë në gusht të 2022-ës veçse kishte ngritur një aktakuzë për këtë kompani, nën akuzën për shmangie doganore.

    As diferenca prej afro katër muajsh nga ngritja e aktakuzës nuk e kishte penguar Ministrinë e Sveçlës që ta shpërblente me kontratë të negociuar mbi 4 milionë euro kompaninë e njëjtë.

    E derisa po e përmbushte kontratën me Qeverinë, Insajderi merr vesh që e njëjta kompani përsëri është futur në telashe të ngjashme me ato për të cilat tashmë ka një aktakuzë të deponuar në Gjykatë të ngrtur nga prokuroria Themelore e Prishtinës.

    Janë mbi 400 mijë euro shpërputhje nëpër dokumente që kësaj kompanie i kanë dalë pasi që Dogana e Kosovës vendosi që të bënte një inspektim të mallit dhe dokumenteve për at mall që kompania po sillte në Kosovë.

    “Me datë 31.03.2023 nga subjekti tregtar ne fjale ka deklaruar për zhdoganim ngarkesën me mall letërnjoftime dhe pasaporta me vlerë 1,026,776.76 euro. Gjatë kontrollimit fizik nga ana e zyrtarëve doganor është hasur në Deklaratën Eksportuese nga Greqia ku eksportues figuron kompania nga Athina me emër te ngjashëm dhe ka lëshuar faturën në emër të kompanisë së njëjtë me seli në Gjermani, për mallin e njëjtë por me vlere prej 563,336.55 Euro”, thuhet në përgjigjen e Doganës për Gazetën Insajderi.

    Dogana e Kosovës fillimisht ka konfirmuar me MPB se malli në fjalë është për nevoja të tyre dhe është konform kontratës së nënshkruar.

    Sipas përgjigjes që nga Dogana kanë dhënë për Insajderin, pavarësisht kësaj ky institucion ka filluar auditimin.

    Përpos verifikimeve të librave hyrëse dhe dalëse te kompanisë “Veridos Gmbh” me njësi të regjistruar në Kosovë dhe transaksioneve financiare, verifikimit të deklarimeve te rregullta pranë ATK-se, Dogana bën me dije se për të njëjtën kompani është përgatitur edhe kërkesa për verifikim ndërkombëtar pranë Doganës Gjermane.

    Sipas Doganës, edhe në kohën kur janë përgjigjur në pyetjet e Insajderit, kontrolli ë këtë kompani është duke vazhduar.

    Insajderi, gjatë komunikimit me Doganën e Kosovës për këtë rast ka mbajtur të informuar edhe MPB-në, por deri tash nga ta nuk ka pranuar ndonjë koment për kontraktorin e tyre të zënë nga Dogana me shpërputhje dokumentesh në vlerë mbi 400 mijë euro.

    Gazeta Insajderi për këtë rast ka kontaktuar edhe kompaninë gjermane, bazën e saj, por të njëjtit kanë thënë që nuk mund të komentojnë.

    Tender milionësh për kompaninë me aktakuzë

    Në janar të këtij viti Gazeta Insajderi raportoi se si tenderi për furnizim me pasaporta e dokumente të tjera pas afro tetë muajsh në proces të hapur ishte anuluar nga MPB-ja ani pse ekspertiza e OShP-së e thotë të kundërtën.

    Pavarësisht kësaj, MPB-ja pati vendosur që të procedonte me një tender të shpejt, të negociuar, ku u kontraktua “Veridos Gmbh” – Dega në Kosovë me një kontratë prej mbi 4 milionë eurosh.

    “Lidhur me pyetjen tuaj për te kaluarën, ju njoftojmë se ndaj subjektit në fjalë (“Veridos Gmbh”, sqarim i Insajderit) në muajin shkurt te vitit 2021 është ushtruar Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për mos deklarim te saktë te sasisë se mallit”, kanë thënë të enjten në një përgjigje për Insajderin nga Dogana e Kosovës.

    Por, ky kallëzim penal nuk përfundoi vetëm me deponim në Prokurori. Katër muaj para se MPB-ja ta shpërblente me kontratë të negociuar kompaninë “Veridos Gmbh”, ndaj të njëjtës Prokuroria Themelore e Prishtinës veçse kishte ngritur një aktakuzë dhe e kishte deponuar në Gjykatë.

    “Bazuar në të dhënat e gjeneruara nga shkrimorja e kësaj prokurorie figuron se ndaj subjektit në fjalë Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23.02.2021 ka pranuar kallëzim penal nga Dogana e Kosovës. Pas trajtimit nga ana e Prokurorit të Shtetit,  më 22.08.2022, i njëjti ka ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore  ose tarifave akcizore”, nga neni 312 të KPRK-së dhe e ka deleguar në Gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në një përgjigje për Express nga Prokuroria.

    Krejt historia me këtë kontratë kishte nisur në prill të vitit 2022  kur MPB-ja kishte nisur një tender që të angazhonte një kompani për prodhimin e pasaportave, letërnjoftimeve e dokumenteve të tjera që lëshon ky dikaster qeveritar.

    Kontrata parashikohej të bëhej me kohëzgjatje 36 muaj, e shteti planifikonte që të ndante mbi 12 milionë euro për këtë punë.

    Dy muaj më vonë do të hapeshin ofertat. Aplikuan veç dy firma, dhe çmimi që secila prej tyre që ofroi ishte pak më shumë se sa 12 milionë euro. Por, kontratë nuk u lidh me asnjërën në atë kohë.

    Muajt do të kalonin dhe MPB-ja kishte filluar ta trashte dosjen e këtij tenderi. Ky aktivitet më shumë se sa një herë u pezullua, dhe atë herë kur kompanitë kërkonin ri-vlerësim e herë kur ato u ankuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

    Një herë ky tender u pezullua më 6 qershor e një herë tjetër krejt në muajin 7 nëntor, kur dy kompanitë dërguan ankesat e tyre në OShP.

    Edhe kompania “YMALKO Sh.p.k” edhe kompania tjetër “Augentic GmbH” patën ushtruar ankesë në OSHP në nëntor të vitit 2022. Eksperti kërkon ri-vlerësim, MPB e anulon tenderin.

    Derisa Bordi i OShP-së nuk kishte nxjerrë një vendim për asnjërën ankesë, për shkak të afateve, ekspertët e këtij institucioni për të dyja ankesat kanë nxjerrë një mendim profesional që në fakt kërkonin që ky proces të kthehet në ri-vlerësim. U japin pjesërisht të drejtë edhe kompanive.

    Pavarësisht që në ekspertizën e OShP-së prej hiç më pak se sa 37 faqesh, eksperti erdhu në përfundim që tenderi “Furnizimi me dokumente personale te identifikimit dhe mirëmbajta e sistemeve elektronike” të mos anulohet, por të ri-vlerësohet, MPB-ja vendosi krejt ndryshe.

    Kjo ministri ka vendosur që ta anuloi krejt këtë tender me arsyetimin se asnjëra ofertë e të këtyre dy kompanive që sollën ofertat e tyre nuk është përgjegjshme.

    Derisa ekspertiza e OShP-së thotë që ofertat e kompanive të vlerësohen edhe një herë e MPB-ja e anuloi me vendim këtë tender, e njëjta ministri shpalli një tender të mbyllur shpejt e shpejt. Për të njëjtën punë. Dhe, kontratën ia dha kompanisë ndaj të cilës katër muaj më herët ishte ngritur një aktakuzë për shmangie doganore./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark