×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Mbi gjysmë milioni euro me kontratë të negociuar- Tenderi i dyshimtë i Prishtinës denoncohet në Prokurori

    Insajderi
    23 January 2023 - 14:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    E kishte nisur si tender të hapur, por e ktheu në tender të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës. Edhe pse shërbimi që po kërkon Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Përparim Rama i LDK-së, ka mjaftueshëm kompani në treg për të, ata kanë vendosur që të shkojnë me këtë lloj kontrate. Një denoncim për ta tashmë është deponuar në Zyrën e Kryeprokurorit.

    Gazeta Insajderi

    Më 18 janar të këtij viti Komuna e Prishtinës, që drejtohet nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte lajmëruar se ka nisur procedurat për angazhimin e firmave private për sigurimin fiik të objekteve të komunës e qendrave të mjekësisë familjare.

    Tenderi u shpall si i negociuar pa publikim të njoftimin për kontratë.

    Vetëm pesë ditë më vonë kjo komunë ka njoftuar që veçse ka nënshkruar kontratë mbi gjysmë milioni për këtë punë, dhe atë madje vetëm për gjashtë muaj do t’i shpenzoi krejt këto para për këtë shërbim.

    Në njoftimin për nënshkrim të kontratës zbulohet se për këta gjashtë muaj, “Delta Security” do të paguhet  397 mijë euro kurse për të njëjtën periudhë firma tjetër, “Security Code” do të marrë 262 mijë euro.

    Tenderi denoncohet në Prokurori

    Organizata “Avonet”, që ka mbikëqyrur procedurën e këtij tenderi, që edhe më parë u dha për gjashtë muaj i negociuar, ka dyshime për shkelje serioze të ligjit.

    Për këtë, organizata në fjalë e ka denoncuar rastin tek ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

    Sipas dokumenteve që i posedon Insajderi, ky denoncim ka ndodhur më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

    Si u shndërrua tenderi i hapur në atë të negociuar?

    Sipas organizatës jo-qeveritare, “Avonet”, që ka monitoruar këtë tender, ai në fillim kishte nisur si tender i hapur.

    “AVONET në vazhdimësi është duke ngritur shqetësimin lidhur me shkeljet në aktivitetet e prokurimit, e në këtë rast kemi monitoruar dhe hulumtuar aktivitetin e prokurimit me titull: “Sigurimi fizik i objekteve të QKMF-së dhe QMU-së, Lot 1 dhe Lot 2, Komuna e Prishtinës me datë 12.07.2022 ka zhvilluar procedurë të negociuar në aktivitetin e prokurimit me titull: “Sigurimi fizik i objekteve të QKMF-së dhe QMU-së, Lot 1 dhe Lot 2”, thujej në reagimin e tyre javë më parë.

    Sipas kësaj OJQ-je, më datë 15.07.2022 Komuna e Prishtinës ka bërë nënshkrimin e kontratës.

    “Pas nënshkrimit të kontratës kemi vërejtur se ka pasur ankesa dhe kemi kërkuar Qasje në Dokumente Publike dhe Informacion në dosjet e Operatorëve Ekonomik, ku kemi vërejtur këto të gjetura: Se janë përdorur në mënyrë jolegjitime deklaratat e disponueshmërisë së mjeteve për një aktivitet të hapur, ndërsa forma ka qenë e negociuar.

    Organizata kishte marrë edhe një interpretim ligjir nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).

    “Sipas LPP-së nëse një aktivitet i prokurimit udhëhiqet forma e negociuar, a lejohet që deklaratat e disponueshmërisë së mjeteve të përdoren deklaratat që janë të destinuara për aktivitet të hapur? Nga KRPP kemi marrur përgjigjen si vijon: Konform nenit 87, paragrafit 2, nën-paragrafit 2.8 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, duke u bazuar në pyetjen e parashtruar, KRPP sqaron si në vijim:

    “Deklarata e Nevojave dhe Vendosshmërisë për Disponueshërinë e Fondeve – DNDF” përmendet në Nenin 9 të LPP-së”.

    Sipas nenit 9 të LPP-së, DNDF duhet të plotësohet nga Autoriteti Kontraktues para se të bëhet inicimi i aktivitetit të prokurimit, për cdo aktivitet të inicuar ndryshon numri i procedurës, i vlerës dhe lloji i prokurimit.

    “Andaj, bazuar në nenin 9 të LPP-së: DNDF duhet të plotësohet nga Autoriteti Kontraktues para se të bëhet inicimi i aktivitetit të prokurimit, për çdo aktivitet të inicuar ndryshon numri i procedurës, i vlerës dhe lloji i prokurimit”, Komuna e Prishtinës ka vepruar kundërligjshëm me rastin e ndryshimit të procedurës, duke bërë shkelje të LPP-së, thuhej në reagimin e organizatës në fjalë

    Avonet kishte alarmuar edhe se kontrata në fjalë është paraparë për 6 muaj në dy lote, ndërsa disponueshmëria e mjeteve është paraparë për 1 vit, ku ka mospërputhje lidhur me kohëzgjatjen e kontratës dhe buxhetit të paraparë për këtë aktivitet të prokurimit publik.

    “Vlen të theksohet se data e dispunueshmërisë së mjeteve është e lëshuar 3 muaj para shpalljes së aktivitetit të prokurimit. AVONET kërkon nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës që të fillojnë hetimet ndaj zyrtarëve të prokurimit të Komunës së Prishtinës sepse sipas AVONET-it dyshohet se këta zyrtar kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, të sanksionuar me nenin 414 të Kodit nr. 06/L-074 të Penal të Kosovës. Poashtu, kërkojmë nga kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama që të procedoj procedurën disiplinore ndaj këtyre zyrtarëve të zyrës së prokurimit”, thuhej në reagimin e tyre./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark