×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Mbledhja gjuhësore e vitit 1963

    Insajderi
    11 June 2023 - 21:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    (Në shenjë të 60-vjetorit)

    Mbledhja e tretë dhe e fundit e mbajtur në Kosovë për çështje të gjuhës dhe të drejtshkrimit të shqipes, e njohur si Këshillim. Mbledhja i zhvilloi punimet e veta më 14-16 janar 1963.

    Fjalën e hapjes e mbajti Kolë Shiroka, kryetar i Pleqësisë Krahinore për Arsim e Kulturë, sipas të cilit diskutimet do të jenë për ortografinë dhe çështje të tjera të gjuhës. Në këtë tubim shkencor morën pjesë përfaqësues të institucioneve kulturore, arsimore e shkencore të Kosovës dhe të viseve të Maqedonisë e të Malit të Zi, si: S. Hasani, Q. Deva, I. Ajeti, M. Krasniqi, P. Janura, R. Nesimi, H. Vokshi, V. Shita, A. Zajmi, M. Bardhi, Xh. Gega, M. Begolli, S. Imami, M. Peza, A. Rexha, R. Hoxha, M. Lutfiu, A. Çetta, J. Mita, H. Kaleshi, L. Mulaku, A. Kelmendi, H. Mekuli, S. Drini dhe H. Shala.

    Por përveç njerëzve të fushës, merrnin pjesë edhe përfaqësues të organeve republikane e federative të ish-Jugosllavisë, që direkt përziheshin edhe në punë të gjuhës. Në ditën e parë të Këshillimit u zhvillua diskutimi në lidhje me çështjen e gjuhës dhe të ortografisë së shqipes, kurse dy ditët e fundit u shqyrtuan parashtrimet e projektit të ortografisë së gjuhës shqipe. Kishte një distancim të përmbajtur në raport me zhvillimin e deriatëhershëm të gegërishtes letrare në favor të rregullave që i përgjigjen më së miri shqipes letrare, por në të njëjtën kohë theksohej ruajtja e tri ndryshimeve themelore (rotacizmi, nazaliteti dhe diftongu -ue/-ua). Aktiviteti për hartimin e një ortografie të re dhe të plotë pati filluar që nga viti 1961, atëherë kur Komisioni për Gjuhë dhe Letërsi i Pleqësisë për Arsim e Kulturë i KAKM-së (shih) kishte caktuar një komision për të rishikuar dhe për të plotësuar ortografinë me këtë përbërje: Idriz Ajeti, Hasan Vokshi, Sulejman Drini, Mehdi Bardhi dhe Latif Mulaku.

    Grupi punues në fazën e parë u mor më tepër individualisht me problemet drejtshkrimore, të cilat do të shkoqiteshin në mbledhjen e përbashkët, ndërsa në fazën e dytë, për disa muaj, shqyrtoi çdo çështje të diskutueshme e të kontestueshme të ngelur në shkrimin e gjertanishëm. Komisioni kishte hartuar projektografinë, e cila ishte botuar, vënë në diskutim publik në Këshillimin e gjuhëtarëve dhe dashamirëve të gjuhës shqipe më 1963. Për shkak të mospajtimeve të anëtarëve të Komisionit, projekti i ortografisë së re solli në disa pika dy mënyra shkrimi. Këto u diskutuan në mënyrë të shumanshme në Mbledhjen e janarit të 1963-s.

    Në këtë Mbledhje u ngritën edhe shumë çështje të tjera të drejtshkrimit. Kjo ndikoi që ortografia të zgjerohej e të plotësohej në shumë lëmenj, që më parë nuk qenë trajtuar fare. Për të pasur më shumë përfaqësim për shqiptarët e Maqedonisë e të Malit të Zi, Komisioni u zgjerua edhe me disa anëtarë të tjerë: P. Janura, M. Isaku, Xh. Gega dhe L. Lucaj. Komisioni i plotësuar me anëtarë të rinj, pas përfundimit të Mbledhjes së tretë të 1963-s, i mblodhi, i shqyrtoi dhe i analizoi problemet e shtruara në këtë tubim shkencor dhe një grup punues u angazhua që të përpilonte tekstin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, i cili do të botohej në Prishtinë më 1964 në formë broshure si Ortografi e parë e plotë që doli pas Luftës II Botërore në Kosovë. Kjo Ortografi kishte një afrim të dukshëm me atë të Institutit të Shkencavet të Tiranës të vitit 1956, duke ruajtur vetëm karakteristika themelore të gegërishtes letrare, e cila deri atëherë kishte bërë një evolucion të dukshëm drejt njësimit me toskërishten letrare. Kjo çonte drejt një përafrimi edhe më të madh të dy kryedialekteve të shqipes, rrjedhimisht drejt një ortografie të përbashkët. / Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark