×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbretëria e Bashkuar e prerë me Kurtin: Koordinohu me aleatët dhe themeloje asociacionin

    Insajderi
    19 October 2024 - 16:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në misionin e OSBE-së me seli në Vjenë, Neil Holland, ka dhënë një deklaratë me rastin e raportimit të Ushtruesit të Detyrës së Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.

    Holland në këtë takim ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ndanë vlerësimin e bërë në Raport për mungesën shqetësuese të progresit të normalizimit të raportit në mes të Kosovës dhe Serbisë, mungesë kjo që vazhdon të ketë implikime negative edhe ne jetën e përditshme të qytetarëve dhe për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Holland ka thënë se Mbretëria e Bashkuar vazhdon t’i bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin e negociatave të lehtësuara nga BE-ja dhe që të përmbushin detyrimet që kanë marrë, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

     Në këtë fjalim, Holland ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ka qenë e qartë me të gjithë bashkëbiseduesit që çdo veprim që ndikon në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera jo shumicë kërkon konsultim me miqtë e Kosovës dhe partnerët e sigurisë për të shmangur tensionet.

    “Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të inkurajojë Kosovën që të sigurojë që komunitetet joshumicë të mund të luajnë një rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen e vendit. Ne kemi qenë të qartë me të gjithë bashkëbiseduesit se çdo veprim që ndikon në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera joshumicë kërkon konsultim të kujdesshëm me miqtë e Kosovës dhe partnerët e sigurisë, për të shmangur nxitjen e tensioneve dhe për të pafavorizuar më të cenuarit”, ka thënë ambasadori britanik në OSBE.

    “Të gjitha komunitetet joshumicë duhet të jenë të lira të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe të integrohen më tej në shoqërinë kosovare. Ne vazhdojmë të inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në procesin demokratik, të marrin role në shërbimin publik dhe t’i shërbejnë komuniteteve të tyre”, ka shtuar ai tutje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark