×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Mbrohet në heshtje”- Qeveria Kurti vepron njejtë si klani Pronto

    Insajderi
    15 April 2024 - 19:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sot është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit nga ana e Prokurorisë Speciale. Hajdari, pjesë e kabinetit Kurti, veproi njësoi sikurse vepronte klani “Pronto”. Adem Grabovci para katër vitesh mbrohej në heshtje për akuzat e “Pronto”.

    Prokuroria Speciale me anë të një komunikate që lëshoi të hënën, bëri të ditur se ministrja Rozeta Hajdari është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit që ka pasur në po të njëjtën ditë. Ajo u intervistua lidhur me skandalin e rezervave shtetërore, për çka mbajti burg miku i Albin Kurtit, Ridvan Muharremi dikur, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Njësoj dikur vepronte edhe Grabovci e Arbenita Pajaziti para trupit gjykues.

    Ata bashkë me disa zyrtarë të tjerë të PDK’së akuzoheshin për keqpërdorime në punësime për ndërmarrje publike. Insajderi pati publikuar ekskluzivisht përgjimet, për çka Prokuroria kishte ngritur aktakuzë dy vite më vonë.

    Në anën tjetër, pushteti aktual i Kurtit po hetohet për rezervat shtetërore. Lidhur me këtë rast u arrestua dosti i kryeministrit, Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të MINT-it: Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

    Sipas pretendimeve të Prokurorisë, kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer u janë paguar paratë nga buxheti i shteti, mirëpo ato nuk erdhën asnjëherë në Kosovë. Dëmi vlerësohet të jetë përreth 600 mijë euro.

    Dosja e Prokurorisë shton se parashihej furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në avans.

    Prokuroria thotë se MINT kishte pranuar 9.947.5 tonë grurë, gjegjësisht 52.5 tonë më pak sesa sasia për të cilën ishin marrë vesh të importohej.

    Ndërkaq, vaji dhe sheqeri dyshohet të mos jenë sjellë fare në Kosovë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark