×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Me dy aktakuza por nuk e ndal bixhozin ilegal, Insajderi sjell dosjen për biznesmenin nga Gjakova

    Insajderi
    14 October 2022 - 16:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në javën e parë të tetorit në pranga të Policisë së Kosovës pas aksionit “Toto” ra edhe biznesmeni 56 vjeçar nga Gjakova, Armend Danqeli. Atij tanimë i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaj. Por kjo nuk është hera e parë që Danqeli bie ndesh me ligjin. Ndaj tij figurojnë edhe dy aktakuza. Akuzohet për bashkëkryerje në organizim të lojërave të fatit e shmangie nga tatimi. Gazeta Insajderi ju sjell në detaje akuzat që rëndojnë mbi të.

    Në vitin 2020, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 29 personave, në mesin e tyre edhe ndaj Armend Danqelit pronar i biznesit “Euro Game”. Ai akuzohet se në bashkëkryerje me Safet Kyqykun kanë organizuar lojëra të fatit për të cilat nuk kanë pasur licencë.

    Danqeli, që kishte të regjistruar një biznes bixhozi me 30 njësi, akuzohet se shfrytëzonte lokalin e Kyqykut në Prizren për lojërat e fatit të “TipSport”, ky lokal ishte mbyllur paraprakisht nga ATK-ja. Derisa ishte hapur në mënyrë të paligjshme nga të pandehurit në fjalë.

    Në lidhje me këta dy biznesmenë (Danqelin e Kyqykun) janë akuzuar edhe menaxherët që lidhen me bizneset e tyre si  Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Blerim Blakaj e Burim Bytyqi.

    Por, Burim Bytyqi del që të jetë më shumë se sa menaxher. Ai kishte një firmë me emrin “Financial Advising Services” ku ka bërë transaksione të shumta brenda e jashtë vendit.

    Bytyqi në emër të Danqelit ka kryer sipas prokurorisë disa transaksione të dyshimta, 12 në Slloveni e 8 tjera në Shqipëri. Vlerat janë të majme.

    Aktakuza e vitit 2020

    Prokurorisë iu deshën tri faqe të plota të mbushura me shumë të dhëna teknike që të ia përshkruanin gjykatës se pse e dyshojnë për shpërlarje të parave këtë të akuzuar.

    Aktakuza e dytë ndaj Danqelit –  organizim i bixhozit e shmangie nga tatimi

    Për bixhoz të paligjshëm, një aktakuzë tjetër është ngritur në vitin 2021 ndaj biznesmenit nga Gjakova. Emri i tij figuron në mesin e 15 personave tjerë.

    Biznesmeni Danqeli përmes biznesit të tij “Euro Game” për 6 vite radhazi ka organizuar lojëra të fatit në Suharekë pa pasur leje nga shteti.

    Madje, ai dyshohet se ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automatëve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave të realizuara përmes shënimeve të hyrje-daljeve nëpërmjet treguesit mekanik.

    “Gjatë periudhës kohore 01.01.2013 deri në me datën 21.03.2019, përmes biznesit Euro Game Sh.p.k, me seli në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, me qellim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-80 për lojërat e fatit duke organizuar lojëra të fatit pa lejen e organit kompetente shtetëror, në atë mënyrë që duke ndërhyrë në numëratoret mekanik dhe elektronik te automatëve i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë, që me numrin total të kombinimeve, të mos na paguaj lojtarëve tetëdhjetë për qind (80) % nga vlera e pagesave te bëra e të realizuara përmes shënimeve të hyrjeve-daljeve nëpërmjet treguesit mekanik, për të cilin nuk posedonte leje përkatëse nga organi kompetent”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.

    Në pikën tjetër të aktakuzën biznesmeni akuzohet për shmangie tatimore. Vlera totale e borxhit që ka ndaj shtetit kap vlerën e afro 60 mijë eurove.

    “Në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e I, me lartë, i pandehuri i lartcekur, me qëllim të fshehjes apo shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, që parashihet sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat (Ligji Nr.03/L-222), të sanksionuar sipas nenit 63 par.1, duke dhënë shënime të pavërteta lidhur me të ardhurat e bizneseve të tij “Euro Game” Sh.pk, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore, e ka dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës me shumen e përgjithshme 57,661.10 euro, në emër të biznesit të lartcekur”, potencohet në aktakuzë.

    Të hënën e 10 tetorit, Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar masën e paraburgimit 13 të arrestuarve në rastin “Toto”, e ku pjesë edhe edhe Armend Danqeli.

    Danqeli dhe të tjerët, po dyshohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm, blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve si dhe keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Ndërkohë për rastin e 2021, ku Danqeli dhe të tjerët po dyshohen se kanë kryer shmangie tatimore e shpërlarje parash rreth 10 milionë euro, ka dështuar të mbahet seanca në mungesë të tij dhe vëllezërve Krasniqi.   

    /GazetaInsajderi

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark