×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Më fatal se rasti Brezovica” – Drejtori i Institutit ngrit alarmin për pronat e uzurpuara në Kosovë

    Insajderi
    06 November 2022 - 21:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci në intervistë për InDoks, ka folur për ndërtimet e dyshimta në Stankaj, si dhe për uzurpimet e tjetërsimet e pronës së Institutit në krejt Kosovën.

    Geci i cili ka 12 vite që udhëheq me këtë institucion, ka thënë se mbi 100 hektarë tokë e Kosovës është keqpërdorur.

    “Nuk e njoh unë rastin e Brezovicës por rasti i Stankajve… problemet e Institut Bujqësor janë më të rëndësishëm dhe është më fatal se rasti i Brezovicës, se kemi të bëjmë me prona bujqësore, me prona që janë tjetërsu, mbi 100 hektarë, jo vetëm të uzurpume apo keqpërdorna, abuzume por të tjetërsume”, tha ai për InDoks.

    Duke folur për pronat, ai thotë se gjetjet për gjatë viteve kanë qenë skandaloze. Derisa në 2010-ën gjeti letra se ky institut i ka në pronësi mbi 300 hektarë, 12 vite më vonë i dalin veç pak më shumë se 200 hektarë. Për 12 vite mbi 100 hektarë janë avulluar.

    Fehmi Geci – Instituti Bujqësor i Kosovës

    “Aktualisht, Instituti Bujqësor i Kosovës vepron në bazë të këtij udhëzimi administrativ, por zhvillimet e investimet kapital që i ka realizua gjatë 10 viteve të fundit apo 12 vite, e tejkalojnë këtë udhëzim administrativ edhe kompetencat edhe veprimtaria për arsye se ky udhëzim as nuk i përfshinë kompetencat, as pronat, as fushë veprimtarinë e Institut Bujqësor të Kosovës, është udhëzim i mangët as nuk e procedon strukturën organizative të Institut Bujqësor të Kosovës”, u shpreh ai.

    Geci në këtë intervistë të gjatë dhënë ekskluzivisht për InDoks deklaroi se krejt problemet nisin e zhvillohen rreth avullimit të pronave të këtij institucioni, në fakt pronave të shtetit, për faktin që IBK kurrë nuk u bë ashtu siç duhej të ishte: Institucion me ligj të veçantë, e nën Kuvendin e Kosovës.

    I krijuar në vitin 1947 nga atëherë Kuvendi i Kosovës kur vendi nën ish-Jugosllavinë nuk ishte as krahinë, por një qark, vazhdoi të operonte herë duke u rritur e herë duke u cunguar. Periudhën më të rëndë, e prej ku burojnë edhe dallaveret me pronat e IBK-së, sipas tij nisin nën kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit, apo ajo që njihet si masat e dhunshme.

    “Gjatë masave të dhunshme kemi vendime, që i kanë shit banesat të ish-punonjësve të punonjëse serbë… në emër të asaj, të një ligji 1992, por ne si institut nuk i njohim ato vendime dhe kemi kërku dhe Ministrisë së Bujqësie edhe prej kuvendeve komunale, që ato vendime me i shfuqizu për arsye se janë nxjerr nën masa të dhunshme, dhe janë të jashtëligjshme”, tha drejtori i Institutit.

    Pak ditë më parë, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka denoncuar keqpërdorimet rreth pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Përmendi ndërtimin ilegale të 25 vilave në Stankaj të Pejës.

    InDoks | Dosja Stankaj – Dokumentar ekskluziv për tjetërsimin e tokave të shtetit

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark