×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Më shumë se 53 mijë euro shpenzohen nga Komuna e Vushtrrisë për kositjen e barit dhe mirëmbajtjen gjatë dimrit

    Insajderi
    07 December 2023 - 16:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komuna e Vushtrrisë e udhëhequr nga kryetari, Ferit Idrizi i PDK-së, ka shpenzuar më shumë se 53 mijë euro të buxhetit të vitit të kaluar për kositjen e barit dhe mirëmbajtjen e hapsirave publike gjatë muajve të dimrit, shkruan Insajderi.

    Sipas raportit vjetor të punës së Komisionit Komunal të Aksionarëve të Ndërmarrjes “Përparimi” në Vushtrri, komuna e Vushtrrisë ka shpenzuar 53 mijë e 787 euro të buxhetit për “Kositja dhe mirëmbajtja e hapsirave publike”, gjatë muajve dimëror.

    Në raport shkruan se sipas marrëveshjes 1 metër katror kushton 0.09 cent.

    Në muajin janar të vitit të kaluar sipas këtij raporti u kositen 25.000 metër katror bari që kushtoi 2250 euro.

    Duke vazhduar me muajin shkurt 2022 që u kositen hiç më pak se 82.616.50 metra katrorë bari dhe kushtoi 7435 euro.

    Tutje në muajin mars të 2022 po për të njëjtin aktivitet, kositje dhe mirëmbajtje e hapësirave publike në 107 554.10 metër katrorë bari, kushtuan 9679 euro.

    Në muajin tetor të 2022 për kositje dhe mirëmbajtje e hapësirave publike në 92.925.28 metra katrorë bari u paguan 8363 euro.

    Në muajin nëntor të vitit të kaluar për kositje dhe mirëmbajtje e hapësirave publike në 109.608.89 metër katror bari u paguan hiç më pak se 9864 euro.

    E duke kaluar te muaji dhjetor i vitit të kaluar, për kositje dhe mirëmbajtje e hapësirave publike në 86. 335.12 metra katrorë bari, u paguan 7770 euro.

    Në total për aktivitetin “Kositja dhe mirëmbajtja e hapësirave publike”, gjatë muajve dimëror, dhe muajve jo të përshtatshëm për kositjen e barit, Komuna e Vushtrrisë shpenzoi plot 53 mijë e 787 euro.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizin, i cili mohoi të ketë pasur ndonjë keqpërdorim duke thënë se inicimi në Kuvend nuk ishte korrekt pasi që sa i përket “Kositjes dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike”, vetëm ka pasur punë gjatë këtyre muajve dhe nuk fshihet asgjë tjetër.

    Ndërrmarrja Përparimi është ndërrmarrje publike, ku aksionar është komuna e Vushtrrisë. Në Kuvend është inicuar nga disa deputetë të opozitës, që krahasojshin, thojshin po bjen shi këta kanë kosit, këta kanë ujit. Nuk është shumë korrekte, sepse ajo po i bjen sikur na iu kemi jep pare atyne. Sa i përket kësaj, asgjë nuk mshefet mbrapa kësaj, vetëm ka pas punë, është bari i thatë që kositet, hiqet, pastrohet, prandaj edhe paguhen.Mandej i kemi pastru edhe komplet lumenjët përshkak të vështrimeve”, tha Idrizi për Insajderin.

    Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, i tha Gazetës Insajderi, se gjithashtu për të njëjtit muaj janë paguar edhe qindra euro për “prashitje të drunjve dhe ujitje të luleve”.

    Ky raport ka pasqyra financiare absolutisht jo logjike dhe skandaloze dhe për fat të keq i njëjti është votuar në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë nga asamblistët e pushtetit lokal. Si mund të ketë komuna në klimën tonë në hapësirën publike, lule për të ujitur në këta muaj kur edhe ashtu ka pas vërshime?!“, shtoi Meholli.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark