Kompania e njohur që merret me modifikimin e veturave, Brabus, tani është marrë edhe me modelin Mercedes-AMG G65.
Projekti i saj më i ri quhet Brabus 900 Mercedes G65, ku për krijimin e këtij projekti si bazë ka shërbyer Mercedes-AMG G65, transmeton Koha.net. Ky model ka motor 6.3-litër V12 Bi-Turbo me kapacitet prej 662 kW/900 kuajfuqi dhe shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 3,9 sekonda, ndërsa atë maksimale e ka të kufizuar deri në 270 km/h.
Gjithashtu, Brabus ofron edhe paketën e re për Mercedes-AMG G65, në të cilën përfshihen mbrojtësit anësorë të zgjeruar, mbrojtësit e rinj, spoiler, pragjet, seti i ri i rrotave 23-inç nga alumini, gomat Yokohama, sistemin e frenimit më të fortë, amortizatorët e modifikuar, sistemin e ri të shkarkimit të gazrave, si dhe enterier prej lëkure.
Brabus 900 Mercedes G65 është promovuar në panairin e veturave në Frankfurt dhe do të prodhohet në seri të kufizuar prej vetëm 10 njësive, ndërsa sa i përket çmimit ky model kushton 666.000 euro.