Sot, Meridian Express dhe RIT Kosovë (A.U.K) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar “Fondin e Bursave Meridian Express”, i cili synon të mbështesë studentët e vitit të parë, që janë të talentuar por ekonomikisht në gjendje të pafavorshme për të ndjekur studimet në RIT Kosovë (A.U.K).
Meridian Express ka premtuar të mbështesë të paktën një student të vitit të parë me bursë të plotë çdo vit, për katër vitet e ardhshme. Pas nënshkrimit, Kryeshefi Ekzekutiv i Meridian Express, Agon Gashi deklaroi se: “Në zemër të filozofisë së drejtuar nga njerëzit e Meridianit është një angazhim për një komunitet të shëndoshë dhe progresiv në zhvillimin e Kosovës. Për këtë qëllim, Meridian sigurohet që do të mbajë një prezencë të vazhdueshme dhe pozitive brenda strukturës së komunitetit të Kosovës, duke përfshirë angazhimin në një numër përpjekjesh filantropike afatgjata dhe afatshkurtra, sponsorizimin e ekipeve sportive lokale, mbështetje për nismat artistike dhe mbështetjen e arsimit cilësor”.
Sharon Y. Hart, Presidente e RIT Kosovë (A.U.K) falënderoi z. Gashi dhe deklaroi: “Efekti i dhurimit në fondin e bursave i ndihmon studentët të ndjekin qëllimet e tyre akademike për arritjen e një arsimimi të lartë universitar. Kompanitë si Meridian Express kuptojnë se fuqia punëtore e arsimuar në të ardhmen varet nga arsimi në të cilin kemi qasje sot. Shpresojmë që shembulli i tyre do të shërbejë si një motivim për kompanitë e tjera që të mbështesin gjeneratën e ardhshme të punonjësve dhe drejtuesve që do të udhëheqin kompanitë e tyre për suksese më të mëdha.”
Bursa e parë “Meridian Express” do t’i jepet një kandidati të shquar që përmbush standardet akademike të RIT Kosovë (AUK) dhe demonstron që i nevojitet ndihma financiar për t’u regjistruar si student i vitit të parë në vjeshtën e këtij viti. Aplikimi për bursën Meridian Express do të jetë i hapur deri më 15 korrik 2017. Për më shumë, vizitoni: http://www.kosovo.rit.edu