×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Migjen Kelmendi: Dy fjalë për dashnorin-dhunues të Gjuhës Shqipe, Edi Rama

    Insajderi
    12 November 2022 - 17:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkrimtari, publicisti dhe rrokeri i njohur i grupit “Gjurmët”, Migjen Kelmendi, autor i romanit “Gryka e Kohës”, vepër e shkruar në dialektin gegë dhe një botim i UET-PRESS; ka kritikuar me tone të forta kremtimin e 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të vitit 1972.

    Përmes një shënimi të shkurtër në rrjetin social Facebook, Kelmendi shpreh rebelimin e tij për mënyrën se si u festua ky 50 vjetor i Kongresit të Drejtshkrimit, duke shpërndarë dy reagime, të cilat sipas tij, tregojnë qartësisht distancën civilizuese mes njerëzve në atë sallë dhe atyre të tjerëve që s’ishin aty.

    Po e rezervoj për nji moment tjetër reagimin tem ndaj mënyrës se si u festue 50 vjetori i Kongresit të drejtshkrimit, e sidomos ndaj “dashnorit- dhunues” Edi Rama, dhe po i ripostoj këto dy reagime, të cilat përkufizojnë qartësisht distancën civilizuese mes njerëzve në atë sallë, dhe atyne që s’ishin aty”, shkruan ai.

    Ardian Vehbiu: Më duhet ta përmbledh edhe një herë pozicionin tim ndaj Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe kremtimit të 50-vjetorit të tij, ngaqë po më duket sikur edhe është keqkuptuar.

    Unë nisem nga disa FAKTE:

    1. Shqipja standard në momentin e tanishëm nuk po zbatohet mirë – aq sa e ka njeriu të pamundur që të gjejë një dokument të vetëm zyrtar, që të ndjekë standardin.
    2. Në të njëjtën kohë, me bekimin qeveritar, Akademitë nga Tirana dhe nga Prishtina do të mblidhen të festojnë 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972.
    3. I cili Kongres ishte pjesë ORGANIKE, në mos KULM, i politikave kulturore të një regjimi totalitar.

    Dhe në bazë të këtyre fakteve, shtroj pyetjen e mëposhtme:

    SI MUND TË FESTOHET PËRVJETORI I SANKSIONIMIT TË STANDARDIT TË SHQIPES, NË NJË KOHË KUR KY STANDARD SOT NUK PO FUNKSIONON?

    A nuk do të ishte më mirë që, në vend të festimeve BOSHE (kombi ynë, bla-bla-bla, penda e Naimit), të organizohej një diskutim serioz se PSE nuk po funksionon standardi?

    Ky ishte edhe thelbi i ndërhyrjes sime. Të tjerat janë diskutime paralele dhe anësore, që mbase do të gjenin vend tek ajo tryezë e rrumbullakët që propozoja – duke filluar edhe me mënyrën si u MBYT gegnishtja letrare në ujërat burokratike.

    Standardi gjuhësor është VEGËL që i duhet një shoqërie të avancuar, për të komunikuar mes vedi; përfshi këtu edhe mënyrën si komunikon shteti me qytetarët dhe funksionimin e arsimit publik dhe të mediave.

    Nëse kjo vegël nuk po punon mirë, atëherë duhet ndrequr – por në vend që të ulen dhe ta ndreqin, Akademitë po e vënë tani në kornizë dhe po e adhurojnë si të ishte ikonë.

    Natyrisht, këto kremtime dhe adhurime nuk i ndihmojnë standardit për asgjë, por u ndihmojnë institucioneve – si Akademitë – që të riprodhohen dhe të ruajnë RELEVANCËN e tyre, në një kohë kur prestigji i tyre ka rënë, sikurse ka rënë vetë prestigji dhe autoriteti i standardit.

    Festimet dhe kremtimet dhe jubiletë MASKOJNË një problem alarmant për shoqërinë dhe kulturën.

    Shteti – e kam fjalën për Shqipërinë – duhet të ishte alarmuar me degradimin e standardit, sepse, njëlloj si kanarina në minierë, ai lajmëron një krizë në raportet e qytetarëve me shtetin: humbje të besimit dhe të respektit, rrëgjim të autoritetit.

    Një standard që nuk arrin të zbatohet, NUK EKZISTON, dhe ashtu na rroftë data kur është sanksionuar.

    Blerte Kraja: …i thurin lavde standartit, nje gjuhe laboratori, te krijuar nen nje presion ideologjik, te dhunshem, me shume si shprehje e deshperimit qe perdoruesit e gjuhes shqipe e kane braktisur, ku as vete keta qe jane Shtet nuk e zbatojne ne shkresat zyrtare qe perpilojne. Ngjarjet e vrullshme te pas viteve ’90 ne Ballkan, renia e kufinjve ne boten shqipfolese, gjuha e re teknologjike qe po pushton jetet tona na ve para imperativit te natyrshem per gjetjen e nje ekuilibri te ri rregullash per gjuhen shqipe zyrtare. Sa i takon gjuhes shqipe qe perdorin krijuesit ata jane te lire te eksperimentojne, po te duan te shkruajne edhe ne nendialekt apo ne esperanto, mjafton qe te gjejne lexues qe i kuptojne. Koha per nje komision te ri mbareshqiptar per nje gjuhe shqipe moderne. #gjuheshqipe #shqiptar.

    /Liberale.al/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark