Visar Duriqi

Visar Duriqi -

15:30 - 03 Gusht 2022

Audio, video e dëshmi të tjera të publikuara nga Gazeta Insajderi mbi një vit më parë tregonin për denoncimet që i ishin bërë për blerjen e votave nga partia e ministrit Elbert Krasniqit.

Një hulumtim i ri i Insajderit zbulon se edhe auditimi i financave të partisë së tij tash ka ngritur dyshime të tjera për mënyrën e shpenzimit të parave nga kjo parti minoritare. Janë mijëra euro për të cilat IRDK-ja nuk ka prezantuar dokumente që tregojnë se si i shpenzoi

Derisa po bëhej numërimi i votave e nuk ishte dhëne ende rezultati final i certifikuar për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Insajderi kishte publikuar dëshmi të denoncimeve që ngrinin dyshime që Iniciativa e Re Demokratike (IRDK) kishte blerë vota në komunitetin egjiptian në Kosovë.

Kjo parti drejtohet nga Elbert Krasniqi, aktualisht Ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kryeministrit Albin Kurti.

Dëshmitë që publikoi Insajderi tregonin se një votë shkonte në çmimin prej 40 eurosh. Elbert Krasniqi nga ato zgjedhje kishte siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës, për tu bërë më vonë Ministër.

Një hulumtim i Insajderit zbulon një skandal tjetër financiar në vlerë prej mijëra eurosh IRDK-në e drejtuar nga Ministri Krasniqi.

Raporti i auditimit i financave të kësaj partie alarmon se  janë mbi 6 mijë euro te nxjerra nga banka si para kesh. Nuk ka mbulim me dokumente se si u shpenzuan këto mjete. Janë dy raste me mbi 900 euro secila. Auditori që i ka shikuar financat e kësaj partie nuk ka hasur në shpjegime të duhura se çfarë ka ndodhur me këto para.

“IRDK nuk ka regjistrime në librin e arkës të transaksioneve të kryera për blerjet ose furnizimet me para të gatshme në vlerë prej 6,110 euro të cilat mjete janë tërhequr nga llogaria rrjedhëse bankare për pagesat e shpenzimeve me para të gatshme”, konstaton raporti i auditimit të financave të kësaj partie.

Auditorët konkluduan se kjo formë e tërheqjes së parave bie ndesh me ligjin për financimin e subjekteve politike.

“Ne e kishim të pamundur të verifikojmë me saktësi nëse transaksionet e raportuara janë të sakta dhe valide, të regjistruara drejt dhe se i takojnë aktivitetit të vet SP (Subjektit Politik) IRDK”, thuhet në raport.

Shpenzime me dokumente të papranueshme

Raporti gjen edhe vlera tjera që nuk kanë arritur ti shpjegojnë. Në së paku dy raste të tjera. 

“Detyrimet dhe fondet e subjektit politik tejkalojnë asetet e SP për 941.65 euro”, thuhet në raport dhe bëhet përsëri me dije se në mungesë të shënimeve përkatëse auditorët e kishin të pamundur të përcaktojnë nëse IRDK e Ministrit Elbert Krasniqit ka mbivlerësuar burimet e financimit apo ka nënvlerësuar asetet e prezantuara.

Edhe te shpenzimet për ushqim, komunikim e karburant IRDK del se ka blerje me kuponë fiskal dhe nuk ka dokumentacion relevant mbështetës, që do të mund të arsyetonin dhe mbështesnin shpenzimet e ndodhura .

“Për vlerën e shpenzimeve prej 967 euro SP nuk posedon asnjë dëshmi mbështetëse”, tërheq vëmendjen raporti në një rast tjetër.

Audtori: IRDK ka shkelur ligjin për financat e partive politike

Auditorët janë kujdesur që në raportin e tyre të përmendin edhe shkeljet e ligjit.

“Subjekti Politik nuk e ka të definuar me Statut, mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar të saj dhe të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e subjekteve politike si dhe për përgjegjësinë e organit gjegjes për transaksione financiare, ashtu siç parashihet në ligjin.. për financimin e subjekteve politike”.

Aty konstatohet se IRDK-ja e Ministrit Krasniqi ka shkelur ligjin edhe sa i përket mos-raportimit të shpenzimeve vjetore e atyre të fushatës.

“Subjekti Politik nuk ka respektuar kërkesat ligjore në lidhje me publikimin e raporteve financiare vjetore dhe të fushatës sipas ligjit…për financimin e subjekteve politike”, konstaton raporti.

Për vitin 2020 kur i janë audituar shpenzimet, IRDK del që ka shpenzuar mbi 33 mijë euro, derisa ka një suficit prej mbi 2200 eurosh. Pjesa më e madhe  shpenzimeve, prej mbi 19 mijë eurosh janë regjistruar si shpenzime në paga e kompensime, derisa kategoria “reklama, reprezentacion e konferenca” kapë vlerën e shpenzimeve mbi 10 mijë euro. Mbi 3200 euro janë regjistruar si shpenzime transporti.

Insajderi për disa ditë e ka pritur partinë IRDK që të marrë një përgjigje në lidhje me këto konstatime të raportit të auditimit të financave të tyre, por të njëjti ende nuk janë përgjigjur.

Nuk janë përgjigjur as në pyetjet në lidhje me raportimet e më hershme për dyshimet për blerje votash në vlerën prej 40 eurosh për një votë dhe nëse dikush nga ta deri tash është intervistuar nga hetuesit.

“40 euro një votë”- Video dhe audiopërgjimi që dëshmojnë krimin zgjedhor

Insajderi në mars 2021 kishte raportuar se kishte dyshime se ekzistonte një rrjeti për blerje të votave për interes të IRDK-së. Dyshohej se pjesë e këtij grupi ishte edhe vëllai i njërës nga kandidatet për deputete të kësaj iniciative. 

Në dëshmitë e publikuara atë kohë nga Gazeta Insajderi, ku përfshihen audio, video e biseda në mesengjer, Elvis Halimaj dyshohet se ka blerë votat e qytetarëve për partinë e Elbert Krasniqin nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe motrën e tij, kandidaten e kësaj iniciative, Albiona Halimaj.

Elvis Halimaj, si përfaqësues nga diaspora del se është i afërt me Elbert Krasniqin dhe kjo dëshmohej edhe nga Facebook-u i tij, ku postimet e tij lidheshin me aktivitetin e kryetarit të IRDK-së.

Halimaj sipas këtyre dëshmive, dyshohet se ka blerë 40 euro një votë për partinë e Krasniqit dhe kandidaten Albiona Halimaj.

Në emër të Elbert Krasniqit, Elvisi kishte kërkuar votat e 5 anëtarëve të një familje në këmbim të parave. Qytetari votat e të cilit dyshohet se i bleu Halimaj, fillimisht i thotë t`ia dërgoj 100 euro e pastaj “goditemi”. Halimaj e siguron se kush voton për këtë parti i merr 40 euro për një votë.

“Nëse është qashtu na 5 veta jena”, i përgjigjet qytetari. “Kush mi jem mu 200 euro nëse votojnë 5 veta”, insiston të dijë ai.

Halimaj, sipas bisedave të siguruara nga Insajderi, mundohej ta bindte qytetarin se paratë do t`i marr patjetër edhe atë përmes motrës së tij.

“Bone IRDK edhe nr 18. Unë i them motrës teme edhe zatetesh në Istog e ti jep valla”, i thotë Elvisi qytetarit me të cilin bënë  pazar për pesë vota.

Për ta quar punën deri në fund, Elvisi kërkonte që anëtarët e familjes së këtij qytetari ta dëshmojnë me foto votën për IRDK-në e Elbert Krasniqi dhe kandidaten Albiona Halimaj. “Nëse mundesh me bë foto me pa ai njeri se paguan ai se unë të besoj ty”, i thotë ai.

Pasi që qytetari dëshiron të bindet se do t`i marrë paratë, Elvis Halimaj e telefonon duke e siguruar atë se parat do t`i marrë patjetër dhe se personat tjetër të afërm të tij tashmë i kanë marrë paratë në këmbim të votës.

 “Pazari” ishte arritur me sukses mes këtyre dy personave. Dhe të dalën  e 14 shkurtit 2021 është votuar partia e Krasniqit dhe kandidatja Halimaj, këtë si dëshmi ky qytetar ia kishte dërguar Elvisit me video.

Insajderi edhe atë kohë kishte tentuar që të merrte një prononcim nga Elbert Krasniqi, tash Ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, por ai nuk i kishte komentuar këto publikime./Gazeta Insajderi.