×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Mijëra euro ndihma për pacientin që nuk ekziston – Insajderi sjell skemën e mashtrimit në të cilën ra pre edhe Labinot Tahiri

    Insajderi
    24 November 2022 - 13:41

    Mijëra euro janë grumbulluar vetëm në opsionin online për pacientin Adnan Syla, që sipas QKUK-së del së kurrë nuk ka qenë pacientë. Për këtë rast ka grumbulluar para edhe këngëtari Labinot Tahiri. Por, si u nis krejt kjo skemë mashtrimi? Në emër të kujt u hap xhirollogaria në Kamenicë, për një pacient nga Gjakova? Si ra pre e kësaj thirrje publiku që po dhuronte para? Insajderi sjell detaje ekskluzive. Një hetim i policisë për të njëjtin rast tashmë ka nisur.

    “Adnan Syla Gjakovë”. Kërkimi i këtyre tri fjalëve në Google do të jep një rezultat më shumë publikime. Janë plotë tri faqe në këtë makinë kërkimi që japin të dhëna për një pacient që po vuante nga një sëmundje e veshkave. “Atij i duhej t’i bëhej transplantimi i dy veshkave, të cilat tashmë i ka jashtë funksionit”, thuhet në këto lajme që filluan të qarkullonin në mes të shtatorit të këtij viti.

    Në krejt publikimet është një foto e vetme e një personi me maskë. As dokumente mjekësore, e as fotografi të tjera.

    Një nga publikimet më të hershme për këtë rast është bërë në faqen “Fustana te bukur”, faqe në Facebook që është e mbushur me postime të tilla, “apel për ndihmë”, por nuk gjenden foto të fustaneve të bukur në të.

    Por, a është i vërtet ky pacient?

    Gazeta Insajderi ka kërkuar të dhëna në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës. Në një përgjigje të tyre dhënë për gazetën del që që nga fillimi i këtij viti, QKUK-ja asnjëherë nuk ka trajtuar pacientë me këtë emër për sëmundjeje veshke.

    “Kontrollin e dokumentacionit për personin Adnan Syla e kemi bërë prej muajit janar deri me nëntor 2022. Janë kontrolluar flete lëshimet dhe rekomandimet për jashtë vendit, dhe askund kund figuron emri i këtij personi”, ka konfirmuar drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, Mimoza Berbatovci Ukimeraj për Insajderin.

    Pasi që Insajderi nuk e gjeti këtë pacientë në QKUK, ka nisur një hulumtim disa javor për të parë se kush po grumbullonte para në emër të këtij pacienti, që nuk ekziston.

    Hulumtimi i Insajderit ka zbuluar se po për të mbledhur para për “Adnan Sylën”, një xhirollogari është hapur në Kamenicë.

    Një person me emrin, Mërgim Limani nga fshati Koretin i Kamincës figuron të ketë hapur xhirollogari me numrin 1702018604118074 në njërën prej pikave të NLB-së në Prishtinës, për të kërkuar kinse ndihmë për “babain e dy fëmijëve që vuan nga sëmundja e veshkëve”.

    Këtë rrjedh të parave nën dyshimin për mashtrim po e heton edhe Policia e Kosovës. Këtë për Insajderin e ka konfirmuar Ismet Hashani, zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjilanit.

    “Po është e vërtetë se Policia e Kosovës, drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan, me të marrë informatën në konsultim me prokurorin e shtetit ka iniciuar hetimet për një rast të dyshuar “mashtrim”. Rasti është duke u hetuar nga hetues policor në koordinim me prokurorin e shtetit”, konfirmoi Hashani për Insajderin.

    Gazeta Insajderi ka tentuar që ta kontaktoi personin që ka hapur xhirollogarinë, por i njëjti nuk del që ka prezencë në rrejte sociale, dhe për më shumë deri tash nuk ka arritur që të siguroi ndonjë kontakt tjetër të tij.

    E në rrjetet sociale kur po bëhej thirrje për ndihmë për “Adnan Sylën”, në platformën “GoFundMe” ishte hapur një linjë grumbullimi parash.  Si target u vendos shuma 46 mijë euro, por del që janë grumbulluar mbi 10 mijë euro.

    Disa nga donatorët janë edhe publik, derisa publik është edhe emri i personit që e krijoi këtë linjë brenda “GoFundMe”. Ai as nuk e mban mbiemrin e njëjtë me pacientin.

    “Muhamet Kelmendi” është emri i personit që ka publikuar thirrjen për “Adnan Sylën” dhe ka grumbulluar mbi 10 mijë euro. Ai ka lënë edhe një numër kontakti , që është +38343533377. Tendenca për ta kontaktuar atë ka qenë e pamundur, pasi që numri del të jetë i ç’kyqur nga rrjeti.

    Insajderi i ka shkruar direkt në këtë platforme edhe personit me emrin “Muhamet Kelmendi”, por i njëjti deri tash nuk është përgjigjur as përmes platformës e as nuk ka kthyer ndonjë përgjigje në kontaktet që i janë lënë në dispozicion nga redaksia.

    Përfshirja e Labinot Tahirit në këtë rast

    Në këtë rast, për të apeluar për ndihmë ishte përfshirë edhe këngëtari Labinot Tahiri, dikur edhe deputet i Kosovës.

    Tahiri me datën 8 tetor kishte shpërndarë njoftimin për ndihmë ndaj “Adnan Sylës” dhe përveç thirrjes për ndihmë nga të tjerët edhe vet ka ndarë 1000 euro për të.

    Ai ka folur për herë të parë për Insajderin se si u përfshirë në këtë rast, të cilin si rast tashmë Policia e Kosovës po e heton nën dyshimin për vepër penale të mashtrimit.

    “Unë fillimisht lajmin që për Adnan Sylën po kërkohet ndihmë për trajtim e kam parë nëpër media, kam dashtë me kontribu për të mirë. Personalisht i kam dhënë 1000 euro, i kam nda nga mbrëmjet e mija. Njerëz të shumtë të cilët e kanë pa rastin më kanë shkruar Labi të lutëm ndihmoje, dhe unë nuk e kam ditë që ka të bëjë me mashtrim, pasi e kam pa se në secilën media ka dalë. Unë vetëm kam lobu që të njëjtit me iu siguru parat, por vet personalisht nuk kam mbledhur para”, ka thënë Tahiri për Insajderin.

    Tahiri ka treguar se atij i kishte shkruar kinse vëllai i Adnan Sylës, Agroni i cili kishte kërkuar ndihmën e tij për mbledhjen e 4 mijë euro. Numri me të cilën i është shkruar është i njëjti me atë të “GoFundMe” +38343533377.

    Atij i është thënë se “Adnani” është duke u trajtuar në Beograd, por asnjëherë nuk iu është dërguar ndonjë fotografi apo dokumentacion nga spitali përkundër kërkesës së vazhdueshme për dëshmi.

    Në një rast tjetër, këngëtari Tahiri e paralajmëron se në qoftë se nuk ia dërgon ndonjë dëshmi do të detyrohet ta lajmërojë policinë. Paralajmërim që nuk mori kurrë përgjigje.

    Në bisedë për Gazetën Insajderin, këngëtari Tahiri i cili ka ndihmuar dhjetëra të sëmurë për trajtim është shprehur i zhgënjyer me veprime të tilla mashtrues, duke bërë thirrje që rastet të tilla të hetohen e të dënohen.

    Përveç Labinot Tahirit edhe figura tjera të njohura për publikun kanë kërkuar ndihmë përmes llogarive tyre në Facebook e Instagram për ta ndihmuar “Adnan Sylën”, gjithmonë duke besuar se ky person vërtetë ekziston e ka nevojë për ndihmë.

    Apeli për ndihmë për “Adanin” u bë edhe përmes disa mediave në Kosovë

    “Apel për ndihmë, të riut nga Gjakova i nevojitet mbështetje për transplantin e dy veshkëve”, ishte shkrimi i shumë titujve të gazetave online.

    Edhe në faqen “GoFundMe”, bëhej thirrja e njëjtë. Kërkohej të ndihmohej Adnan Syla, babai i dy fëmijëve teksa cekej se punon si kamerier e që është diagnostikuar me sëmundjen e veshakeve, që i duhej transplat i dy veshëkëve, të cilat sipas thirrjes i kishte jashtë funksionet e që ndodhej i shtrirë në spital.

    Trajtimi i tij duhet të kryhej vetëm me operacion.

    “Ju lusim të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë Adnanin të cilit i nevojitën 46 mijë euro, të kontribuojnë me mundësitë e tyre. Contact Viber, Whatsap: +38343533377”, thuhet në thirrje.

    /GazetaInsajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark