Një kontratë mbi 11 milionë euro është shkëputur. Një tjetër shumë më e shtrenjtë është nënshkruar. Dhe, ndërmarrja mund të rrezikoi që të përfundoi në Arbitrazh. Insajderi sjell detaje se çka po ndodhë me projektin e madh të kompanisë publike “Ibër Lepenci”, kryeshefi i së cilës u arrestua ditë më parë për korrupsion.
Visar Duriqi
Shtatë vite më parë një lajm i madh ishte promovuar nga Banka Botërore, dega në Kosovë. Do të investonte 22 milionë euro në zgjerimin e kanalit kryesor të kompanisë publike “Ibër Lepenci”.
“Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit në Kosovë” është njeri ndër projekte më të mëdha që ka kjo kompani, ku aksionar është Qeveria e Kosovës.
Por, çka po ndodhë me këtë projekt multi-milionësh tash kur drejtimin e kësaj kompanie e ka marrë ish-Kryetari i Vetëvendosjes në Mitrovicë, Faruk Mujka, i arrestuar ditë më parë nën dyshimin për korrupsion?
Krejt çka dihet për këtë projekt është që një kontratë mbi 11 milionë euro është shkëputur. Një tjetër shumë më e shtrenjtë është nënshkruar. Dhe, kompania mund të rrezikoi që të përfundoi në Arbitrazh.
Prishja e kontratës dhe rrezikimi me inicim të Arbitrazhit
Në raportin e publikuar nga vet kompania për vitin 2022 bëhet me dije se derisa kjo ndërmarrje drejtohej nga ushtruesi i detyrës së Kryeshefit, Januz Kabashi, kishte shkëputur kontratën me nga Shqipëria, “Gener 2” shpk.
“Dështim i përmbushjes së detyrimie”, ishte arsyeja e shkëputjes së kontratës.
Por, në një përgjigje me shkrim nga ana e “Ibër Lepencit” bëhet me dije një seri arsyesh, që sipas tyre, i kanë bërë ata që të marrin vendimin që njëanshëm ta shkëpusin kontratën që peshonte mbi 11 milionë euro.
“Kontraktori nuk arriti të kryejë punën e kërkuar sipas kontratës duke e dërguar atë në nivele të papranueshme të vonesës në zbatim të saj. Tejkalimi i pragut maksimal të dëmeve të vonesës së lejuar, i cili kontraktualisht është përgjegjës për përfundimin e projektit”, thuhet në përgjigjet e tyre.
Kompania “Ibër Lepenci” ka renditur edhe arsye shtesë për këtë ndërprerje kontrate, që mund ta ekspozi kompaninë në Arbitrazh.
:Mosrespektimi i “Njoftimeve për Korrigjim gjatë realizimit të punimeve. Kjo ishte edhe një arsye tjetër për përgjegjësinë kontraktuale të përfundimit. Propozime të vazhdueshme nga Kontraktori, me devijimeve të mëdha nga dizajni/projekti konceptual/detal i projektit dhe skema/plani kontraktuale e aktiviteteve të cilat u konsideruan të të papranueshme nga Ibër Lepenci”, thuhet në përgjigjet e tyre..
Sipas “Ibër Lepencit”, në përgjithësi, “Gener 2” shpk ”demonstroi synimin për të mos vazhduar me përmbushjen e detyrimeve kontraktuale, duke refuzuar të kryej punime në seksioinet ku nuk kishte kurrfarë kontesti mes palëve dhe duke realizuar vetëm 14%-15% të vlerës së përgjithshme të punimeve gjatë gjithë kohëzgjatjes së planit dinamik (prej 22 muajsh), vonesë e cila ishte duke rezultuar me dështimin e ËSCP-së (Projekti i Sigurisë së Ujit dhe Mbrojtjes së Kanalit) në kontekstin e përgjithshëm”.
Sipas kompanisë publike, të gjitha këto përbëjnë një shkelje thelbësore të kontratës dhe janë në përputhje me nën-klauzolën 15.2 të kushteve të kontratës -Përfundimi për mospërmbushje të kontraktorit] sipas rregulloreve kontraktuale FIDIC që rregullojnë menaxhimin e kontratës.
Insajderi ka kontakuar edhe kompaninë në fjalë, por e njëjta deri tash nuk ka ktjyer përgjigje.
Kontrata e re afro dy milionë euro më shtrenjtë
“Ibër Lepenci” ndërpreu kontratën me “Gener 2” shpk, dhe punët mbetën pa u përfunduar. Ajo kontratë ishte mbi 11 milionë euro.
Të njëjtës kompani madje gjatë periudhës sa kishte kontratë me kompaninë publike, i janë paguar mbi 1.1 milionë euro, por sipas “Ibër Lepencit” në xhirollogari i kanë shkuar vetëm gjysma pasi që “506,141.81 euro është ndalur nga Punëdhënësi (Ibër Lepenci) deri në zgjidhjen ose përfundimin e procesit të mosmarrëveshjes”.
E derisa kontrata e vjetër, e shkëputur ishte mbi 11 milionë, dhe veçse janë paguar mbi gjysmë milioni për të, një kontratë tjetër është lidhur me një grup kompanisë kosovaro-sllovene, por që ësgtë afro 2 milionë më e shtrenjtë.
“Kompania e përzgjedhur për kryerjen e punimeve është konsorciumi kosovaro-slloven, “JV of Famis Co HC dhe Kit Ak Gradnje doo”. Vlera e kontratës është 12,875,191.63 euro”, thuhet në përgjigjen e “Ibër Lepencit” për Insajderin.
Sipas “Ibër Lepencit” ky ishte ofertuesi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët, ani pse edhe pse iu kërkua nga Insajderi, nuk kanë dhënë përgjigje për ofertat e tjera.
Ata kanë sqaruar veçse përzgjedhja e kontraktorit të ri u bazua në një tender publik i kryer sipas procedurave të Bankës Botërore dhe “ i miratuar nga Banka Botërore, procedura/rregulla këto që derivojnë nga marrëveshja në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore”.
“Ibër Lepenci” mohon raportimet, thotë që nuk ka rrezik për jetën nga kanali i tyre
Në maj të vitit 2022 një 12 vjeçar kishte vdekur në kanalin e “Ibër Lepencit”
““Rreth orës 17:50, është raportuar se në kanalin e “Ibër Lepencit” në fshatin Vaganicë të Mitrovicës, është gjetë pa shenja jete në ujë një (i mitur) Njësitë relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, kishte thënë publikisht zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Një vit më vonë, në maj të vitit 2023 Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi është shprehur i tronditur nga humbje e jetës së një fëmije 4 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u nxor sot nga kanali i Ibër Lepencit.
Ai publikisht kishte deklaruar se ky kanal ka marrë jetën e disa banorëve të Vushtrrisë, dhe se do ta ngris në nivel komunal mënyrën e sigurimit të kanalit.
“Kanali i Ibër Lepencit ka ditur shpesh të marrë jetëra të banorëve të Vushtrrisë, fëmijëve”, tha ai, duke thënë se do ta ngris në nivel komunal “mënyrën e sigurimit të kanalit”.
Në prill të këtij viti edhe vet Ministri i Brendshë, Xhelal Svecla ka njoftuar për gjetjen e një trupi të pajetë të një personi të nacionalitetit serb në këtë kanal.
“Përgëzoj pjesëtarët për profesionalizmin e treguar, falënderoj përgjegjësit e Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenc” për bashkëpunimin ndërsa familjes së të ndjerit i shpreh ngushëllimet e mia. Hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të vdekjes së tij”, kishte shkruar ai në Facebook.
Por në “Ibër Lepenc” kanë një qëndrim krejt tjetër rreth këtyre rasteve.
“Gjatë kryerjes së punimeve dhe pas zgjidhjes së kontratës nuk ka pasur asnjë rast vdekjeje në lidhje me kontratën apo projektin në fjalë. Nuk ka absolutisht asnjë rrezik të përfshirë në ekzekutimin e kontratës që mund të rrezikojë jetën e njerëzve”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie për Insajderin.
Sipas tyre, muret mbajtëse “janë ende pjesë e kontratës edhe pas ritenderimit dhe nuk kanë të bëjnë me sigurinë e kanalit për sa i përket jetës së njerëzve. Muret janë projektuar për mbrojtjen e kanalit nga rrëshqitjet/erozionet e mundshme në shpatet ku nuk ka akses apo trafik”.
Kompania me krye-shefin e arrestuar e sigurt që e fitonte Arbitrazhin
Kompania publike “Ibër Lepenci” vitin e kaluar e shkëputi kontratën mbi 11 milionë euro me “Gener 2” shpk, e të cilës ia ka paguar tashmë mbu gjysmë milioni euro.
Tutje lidhi kontratë me konsorciumi kosovaro-slloven, “JV of Famis Co HC dhe Kit Ak Gradnje doo” mbi 12.8 milionë euro.
Por, shkëputja e njëanshme e kontratës e ka ekspozuar këtë kompani publike ndaj Arbitrazhit.
Derisa kompania “Gener 2” ende nuk është përgjigjur në pyetjet e Insajderit, dërguar ditë më parë, as në “Ibër Lepenc” nuk e dinë se cka ka ndodhur.
“Nuk kemi ndonjë informate të saktë apo ndonjë njoftim nga kompanija në fjalë, apo edhe gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit, për këtë çështje”, thuhet në ëprgjigjet me shkrim të “Ibër Lepencit, por bëhet me dije se Avokatura Shtetërore është në vazhdimesi e njoftuar për procesin në fjalë, qysh para shkëputjës së kontratës.
Edhe nëse kompania “Gener 2” ngrit rast në Arbitrazh, “Ibër Lepenci” është i sigurt që do ta fitojnë rastin kundër kësaj kompanie shqiptare.
“Bazuar në dokumentacionin që disponojmë dhe në lidhje me klauzolat e bazuara në FIDIC (që rregullojnë menaxhimin e kësaj kontrate), Kompania Ibër Lepenc është e bindur dhe e sigurtë se do ta fitojë mosmarrëveshjen edhe nëse mosmarrëveshja shkon në gjykatat e arbitrazhit”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë Insajderit.
Kjo ndërmarrje aktualisht për kryeshef ka Faruk Mujkun, që është ish-kryetar i degës së Vetëvendosjes në Mitrovicë. Ai e mori këtë pozitë në fund të vitit të kaluar.
Në korrik të këtij viti ai është arrestuar nën dyshimin për veprime korruptive sa ishte nënkryetar i Mitrovicës së Jugut.
Ai u arrestua bashkë me Hysen Muzliukajn, ish-drejtorin e Kadastrit në këtë komune, por që në momentin e arrestimit ishte këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Derisa Policia e Kosovës bastisi pronat e këtyre dy të arrestuarve kishte gjetur e sekuestruar, pos tjerash, edhe gjashtëdhjetë mijë euro.
Aktualisht këta dy persona dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut. /Gazeta Insajderi.