×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Ministri Aliu nënshkruan kontratë të re me familjarët e dostit të zv/ministrit Hysen Durmishi

    Insajderi
    15 December 2022 - 11:24

    Kompania “Dio Bes SH.P.K”, pronë e familjarit të shokut të ngushtë të zëvendësministrit Hysen Durmishi është shpërblyer me tender nga Ministria e Infrastrukturës. Kjo kompani është pjesë e konsorciumit që fituan lotin e 10 të tenderit të mirëmbajtjes verore e dimërore të rrugëve. Vlera e tenderit peshon mbi 29 mijë euro. Kontrata është nënshkruar të hënën. Para disa javësh e njëjta kompani kishte fituar hise edhe në lotin “Prishtina 1”

    Që nga muaji prill i këtij viti kanë nisur procedurat për tenderin e madh të Ministrisë së Infrastrukturës, për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve. Ky tender përveç vlerës së madhe monetare, përfshinë periudhën e 2022 deri 2025.

    Derisa, në vazhdimësi procedurat e prokurimit rreth tij, janë përcjellu me ankesa dhe vendime për rivlerësim. Por të premten e kaluar, janë shpallur fituesit e gjashtë lloteve të tij.

    Përfitues në njërin nga lotet e tij është edhe një kompani e njohur për drejtuesit e Ministrisë së Infrastrukturës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ministria që drejtohet nga Liburn Aliu, ka shpërblyer kompaninë e familjarëve të shokut të ngushtë të zëvendësministrit Hysen Durmishi, Bujar Shabani.

    Se Shabani që është pronar i kompanisë ”Bageri”, është mik i afërt i zv/ministri Hysen Durmishi, e ka konfirmuar edhe vet Durmishi, duke thënë se me të ka shoqëri që nga viti 2001.

    Kompania “Dio Bes SH.P.K”, që është në pronësi të familjarit të Bujar Shabanit, është në mesin e grupit të operatorëve “VIA SH.P.K”, “EUROKOS HOLDING SH.P.K”, “A.L-ASFALT shpk” dhe “ EUROTITAN SH.P.K”, që kanë fituar lotin 10 për mirëmbajtjen e rrugëve.

    Ky lot është pjesë e tenderit me titullin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2022 – 2023, 2023 – 2024 dhe 2024 – 2025”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Fituesit janë shpallur me 9 dhjetor derisa me 12 dhjetor ditë e hënë janë nënshkruar kontrata, sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës të publikuar në faqen e Komsionit Regullativ të Prokurimit Publik.

    Kompania, “Dio Bes SH.P.K”, sipas formualarit të regjistrimit në Agjencinë Kosovare të Biznesve, është themeluar në nëntor të vitit 2020.

    Përveç Xhelal Shabanit, si pronar, figuron se kompania ka dy punëtor të regjistruar dhe një kapital prej 100 mijë eurove.

    Para disa javësh Gazeta Insajderi ka raportuar se kompania “Dio Bes SHPK”, kishte fituar edhe lotin Prishtina 1 të tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve.

    Si pjesë e konsorciumit ku merr pjesë kompania “Dio Bes”, do të marrin shumën prej 617 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Jo vetëm kompania “Dio Bes”, ka përfituar nga ky tender i Ministrisë së Infrastrukturës. Në tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale 2022 -2025, hise iu dha edhe djalit e familjarit të biznesmenit nga Ferizaj, Bujar Shabanit.

    Gazeta Insajderi ka raportuar edhe për këtë.

    Kompania “Kosova Asfalt”, që në ARBK figuron se është në pronësi të Valdrin Shabanit, djalit të Bujar Shabanit, ka fituar në këtë tender lotin Prishtina 3.

    Si pjesë e konsorciumit fitues, nga Ministria e Infrastrukturës do të marrin shumën prej rreth 500 mijë euro, sipas këtij tenderi.

    Valdrini që është djali i Bujar Shabanit, në ARBK figuron pronar i vetëm i kompanisë “Kosova Asfalt” me 100% të aksioneve.

    Ky biznes del se është themeluar në prill të vitit 2016, me bazë në Ferizaj. Kapitali i saj sipas ARBK-së është 200 mijë euro dhe ka të regjistruar katër punëtorë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më shumë rreth tenderëve të Ministrisë së Infrastrukturës për familjarët e Bujar Shabanit mund të lexoni:

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark