×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Ministri i Kulturës investon në komunën e ish-ministrit të Kulturës

    Insajderi
    21 January 2016 - 13:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sa ka qenë ministër i Kulturës, Lutfi Haziri nuk ishte marrë shumë me trashëgiminë kulturore të qytetetit të tij, Gjilanit e aq më pak me projektet kulturore, sportive e rinore.

    Por kolegu i tij partiak, Kujtim Shala që tash drejton Ministrinë e Kulturës ka vendosur që të investoj 1.3 milionë euro në komunën e Gjilanit.

    Haziri dhe Shala kanë nënshkruar bashkë një memorandum në të cilin MKRS parasheh investimin në së paku 4 projekte të trashëgimisë, rinisë dhe sportit në komunën e Gjilanit.

    20 mijë euro janë ndarë për përfundimin e punimeve të Sahat Kullës në Gjilan, objekt ky që deri tani është përdorur si tualet publik nga qytetarët e Gjilanit.

    Ky projekt ka filluar realizimin që nga viti 2010-të, kur ministër ka qenë Lutfi Haziri (tash kryetar i Gjilanit) ku më pas ka pasur vonesa në realizim dhe faza e parë e punimeve ka përfunduar në mesin e muajit shtator të vitit 2011, kur ministrinë e ka lënë Haziri për t’u zëvendësuar me Memli Krasniqin.

    Nga ky memorandum, 598 mijë euro shkojnë për “Renovimin e Stadiumit të Qytetit të Gjilanit”, 625 mijë euro për “Ndërtimin e Palestrës së Sporteve në Zhegër”, derisa edhe rreth 100 mijë euro janë ndarë për renovimin e Teatrit të Gjilanit.

    Ish-ministri Haziri shpreh bindjen se këto projekte kapitale do të ndikohet dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës në sport në komunën që ai tash e drejton ndërsa ministri i Kulturës, Shala tha se MKRS është e interesuar të investojë në “komunat e Kosovës dhe t’i ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit’’.

     

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark