×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Ministria e Elbert Krasniqit e konsideron të kundërligjshëm shkarkimin e kryesuesit të VV’së në Dragash

    Insajderi
    08 December 2023 - 14:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dy javë më parë, Uran Halimi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje u shkarkua nga posti i kryesuesit të kuvendit komunal në Dragash nga qeverisja e LDK’së dhe një pjesë e opozitës. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në krye me Elbert Krasniqin ka kundërshtuar vendimin e kuvendit të Dragashit për shkarkimin e Halimit.

    Ministri Elbert Krasniqi ka thënë se mbledhja e jashtëzakonshme e mbajtur me 24 nëntor është në kundërshtim me ligjin për Vetëqeverisje lokale, pasi atë e udhëheqi zëvendëskryesuesi i kuvendit për komunitete.

    Në rastet kur mungon kryesuesi i kuvendit të komunës në mbledhje të kuvendit të komunës, mbledhja e kuvendit-kryesohet nga anëtari me i vjetër i kuvendit e jo nga zëvendës kryesuesi i kuvendit të komunës për komunitete“, thuhet në vendim.

    Në vendimin e MAPL, thuhet se vendimet të cilat janë miratuar në mbledhjen e 24 nëntorit nuk prodhojnë efekte juridike.

    Detyrat e zëvendës kryesuesit te kuvendit te komunës per komunitete jane te përcaktuara me nenin 55 të Ligjit Nr. 03/L-040 per Vetëqeverisje Lokale, e që është promovimi i dialogut dhe shërben si pikë qendrore zyrtare për adresimin e brengave dhe interesave te komunitetit jo shumicë ne mbledhjet e kuvendit. Duke marrë parasysh rrethanat e lartë përmendura më larte, vendimet e miratuara nga Kuvendi i Komunës se Dragashit në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 24.11.2023 nuk prodhojnë efekte juridike“, thuhet në vendim e nënshkruar me 1 dhjetor.

    Pas vendimit të ministrisë, ka reaguar kryesuesi i shkarkuar, Uran Halimi. Ai tha se u shkarkua për të mbuluar

    Shkarkimi i kryesuesit nuk ka të bëjë fare me shkelje të rregulloreve (atyre rregulloreve që kurrë nuk i keni lexu e as qe ia keni idenë se çka përmbajnë) , po ka të bëjnë me mbulimin e dështimeve tuaja karshi qytetareve“, ka shkruar Halimi.

    Ndërkaq, kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, e ka quajtur precedent të rrezikshëm vendimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Ai tha se në seancat për çështje tjera kur e ka udhëhequr zëvendës kryesuesi i kuvendit, vendimet janë kthyer të ligjshme nga ministria.

    Me këtë konstatim për mbledhjen e fundit nga ana e MAPL-së, konsiderojmë se është krijuar një precedent i rrezikshëm, i cili mund do të përdorët edhe për zëvendëskryesuesit shqiptarë të kuvendeve komunale, në ato komuna ku shqiptarët nuk janë shumicë“, ka shkruar Xheladini.

    Tutje, Xheladini tha se kryesuesi Halimi e ka keqpërdorur pozitën e tij dhe ka shkelur Nenin 6.2 të Udhëzimit Administrativ

    Aktin më skandaloz, antiligjor dhe jodemokratik e ka bërë vetë kryesuesi në largim. Duke refuzuar ta nënshkruajë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, ai ka keqpërdorur pozitën e tij dhe ka shkelur në mënyrë flagrante Nenin 6.2 të Udhëzimit Administrativ Nr.02/2015 për Mbajtjen e Mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, i cili e obligon kryesuesin e Kuvendit të Komunës të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme sipas kërkesës së 1/3-tës së anëtarëve të Kuvendit, apo me kërkesë të kryetarit të komunës“, tha ai.

    Kryetari i Dragashit i quajti të pavërteta dhe tendencioze pretendimet e Qendrës së Vetëvendosjes në Dragash që ai ka tentuar të kontrollojë seancën për shkarkimin e kryesuesit Halimi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark