×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Shkarkohet kryesuesi i VV-së në Dragash, akuzon kryetarin e komunës për trysni ndaj asambleistëve

    Insajderi
    24 November 2023 - 15:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeverisja e LDK’së dhe një pjesë e opozitës në komunën e Dragashit ka shkarkuar kryesuesin e kuvendit komunal, Uran Halimin, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes. Ky vendim u mor në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, ku 15 asamblistë votuan pro dhe një abstenoi.

    Uran Halimi tha për Gazetën Insajderi se shkarkimi i tij u bë nën trysninë e kryetarit të komunës Bexhet Xheladinit dhe vartësve të tij, derisa tha se kjo seancë është thirrur jashtëligjshëm.

    Nën trysninë e pazakontë të kryetarit të komunës së Sharrit, Bexhet Xheladinit dhe vartësëve të tij, është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për të më shkarkuar mua si kryesues i Kuvendit Komunal“, deklaroi Halimi.

    Ai akuzoi kryetarin Xheladini se ka bërë kontrabandë të votës së katër asambleistëve.

    Thirrësi i seancës, asambleisti Spahiu nga radhët e LDK-së, ka vendosur nënshkrimin në emër timin, si kryesues. Së dyti, kuvendi komunal në Sharr, sot ka bërë shkelje me anë të votimit të hapur të këtij vendimi. Së treti, kryetari Xheladini ka bërë kontrabandë të votës së 4 asambleistëve, tre që vijnë nga radhët e komuniteteve dhe një nga radhët e grupit të kuvendarëve të PDK-së. Kushtëzimet e kryetarit nga arsyetimet që këta 4 asambleistë i kanë dhënë privatisht tek ne janë aq të ulëta, sa që ndërgjegja e niveli im i debatit nuk mund të lëshohet në atë nivel“, tha Halimi për Insajderin.

    Ndërsa, kryetari i komunës Bexhet Xheladini i mohoi pretendimet e Halimit.

    Pretendimet e tij nuk janë të vërteta. Seancën e jashtëzakonshme e thirrin 1/3 e delegatëve të asamblesë komunale. Këtu kanë nënshkru më shumë asamblistë që është dashtë. Kanë nënshkru 13. Me kërkesën e tyre, Uran Halimi e ka shkelur rregulloren. Mbledhja ka përfundu sot, ku votuan 15 pro, një abstenim dhe asnjë kundër. Uran Halimi ka pasur shkelje sistematike të rregullores së kuvendit“, tha Xheladini për Insajderin.

    Në këtë mbledhje, nuk ishin prezentë shtatë asamblistë të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Asamblisti nga radhët e PDK’së, Driton Ademi tha se ka qenë kundër shkarkimit të kryesuesit Halimi.

    Ne jemi 9 asamblistë. Njëra nga asamblistet e PDK’së ka votuar pro, ndërsa një tjetër kundër. Ne shtatë të tjerët kemi dalë nga salla, nuk kemi votuar hiq. Na nuk e kemi votuar kur është bërë kryesues dhe nuk nuk e kemi votuar. Unë jam kanë kundër mos me shkarku“, tha asamblisti Ademi për Insajderin.

    Ndryshe, me 8 nëntor 2021, LVV – dega në Dragash kishte njoftuar se kanë arritur marrëveshje koalicioni me partinë fituese të zgjedhjeve, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Vetëm dy muaj pas, në janar të 2022’ës, Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se kanë prishur koalicionin me LDK’në. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark