Ministria e Mbrojtjes e ka mohuar pjesëmarrjen e Gardës Ceremoniale të FSK-së në ceremoninë e 104-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në varrezat e krishtera në Arbëri të Prishtinës, ku FSK u pa gatitu pranë pllakës përkujtimore të ushtarëve të rënë sërbë në vitet 1912-18.
Përmes një reagimi në Facebook, kjo ministri thekson se pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve (Francës dhe Gjermanisë), janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me lajmin e publikuar nga disa medie se gjoja Togu i Gardës Ceremoniale ka bërë nderime për të rënët serb të vitit 1912, sqarojmë se nuk është e vërtetë.
Me datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjerman, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918.
Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje.
Theksojmë edhe njëherë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman.
Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb.
Ministria e Mbrojtjes dhe FSK nderojnë gjithmonë vetëm popujt mbrojtës të vlera të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit. /Insajderi