E dimë se Sharrcem nuk është kompani e vetme, por pjesë e një organizate më të madhe të quajtur TITAN. A mund të na jepni disa informata rreth strukturës së biznesit të grupit TITAN?
Sharrcem është anëtar i Grupit TITAN CEMENT, i cili është prodhues ndërkombëtar i çimentos dhe i materialeve të ndërtimit me mbi 110 vjet eksperiencë në këtë industri. Me seli në Greqi, ku u themelua në vitin 1902, Grupi operon 14 fabrika çimentoje në 10 shtete, punëson më shumë se 5.500 individë në mbarë botën dhe është i organizuar sipas rajoneve gjeografike, të cilat përfshijnë SHBA-në, Amerikën e Jugut, Greqinë, Evropën Perëndimore, Evropën Juglindore dhe Mesdheun Lindor.
Është gjithashtu e rëndësishme të përmendet se TITAN-i është anëtar aktiv i Këshillit Botëror të Biznesit për Zhvillim të Qëndrueshëm (WBCSD), i Iniciativës së Qëndrueshmërisë së Çimentos (CSI), i CSR Europe dhe i organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe ishte një nga nënshkruesit e parë të Kompaktit Global të OKB-së, i cili synon mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të punës, mbrojtjen e mjedisit dhe gjithashtu luftimin e ryshfetit dhe korrupsionit.
Sipas mendimit tuaj, cilët kanë qenë elementët kyçë të trajtuar që i kanë mundësuar një organizate kaq të madhe të menaxhojë operacionet në të gjitha këto mjedise të ndryshme dhe të mbetet e qëndrueshme për kaq shumë vjet?
Strategjia jonë na ka bërë të shkathët dhe dinamikë, dhe në kontekstin e prioriteteve tona strategjike. Gjithmonë i konsiderojmë nevojat më të gjera të palëve të interesit në afat më të gjatë. Çelësi i rritjes dhe qëndrueshmërisë sonë kanë qenë: strategjia jonë e qëndrueshme, diversifikimi gjeografik, angazhimi afatgjatë dhe rritja e vazhdueshme e bashkëpunimit tonë me të gjitha palët tona të interesit për të krijuar vlerë të qëndrueshme për të gjithë.
Për më tepër, suksesi ynë varet nga përdorimi i teknologjive më të mira të disponueshme, hulumtimi sistematik dhe ekspertiza e përditësuar në vazhdimësi. Mbi të gjitha, ne mbështetemi te punonjësit tanë shumë të aftë dhe me përvojë, që mishërojnë vlerat e Grupit, të cilat përbëjnë thelbin e natyrës sonë dhe udhëheqin çdo gjë që bëjmë.
Kur flitet për vlerat tona, unë mund t’i referohem për shembull, integritetit, në aspektin e praktikave etike të biznesit, përmirësimit të vazhdueshëm të vetvetes, zotësisë në çdo funksion, vlerësimit të klientëve përmes produkteve dhe shërbimeve me cilësi të lartë, si edhe përgjegjësisë sociale të Korporatës, në aspektin e mbajtjes së sigurisë, si prioritetin kryesor, rritjes së angazhimit të palëve të interesit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Ju përshkruat një mentalitet biznesi shumë specifik, por të përgjithshëm. Në çfarë mase janë zbatuar të gjitha këto në rastin e Sharrcem-it, që nga blerja e tij, dhe çka u desh për t’i vendosur operacionet tuaja në Kosovë?
Sharrcem-i është bërë anëtar i Grupit TITAN CEMENT në vitin 2010, si pjesë e procesit të privatizimit në Kosovë. Prej atëherë, është realizuar një program substancial investimesh që synon futjen e teknikave më të mira të disponueshme të prodhimit dhe zbatimin e standardeve më të larta ndërkombëtare në të gjitha nivelet operative, duke krijuar një kapital të rëndësishëm intelektual për vendin.
Përveç kostove fillestare të blerjes, gjatë shtatë vjetëve të fundit janë investuar 45 milionë euro shtesë, një pjesë e mirë e të cilave i është kushtuar përmirësimit të gjurmës sonë mjedisore. Sot, Sharrcem-i jo vetëm që i përmbush plotësisht standardet evropiane të mjedisit, por i tejkalon standardet e legjislacionit të Kosovës.
Kompania menaxhohet përmes sistemeve të certifikuara ndërkombëtare (si ISO, IPPC dhe ASI) dhe i shpalos të gjithë treguesit e qëndrueshmërisë përmes raporteve vjetore vullnetare, në mënyrë që të mundësojë një platformë transparente të komunikimit me të gjitha palët e interesit. Në këtë drejtim, ne ishim kompania e parë dhe e vetme e bazuar në Kosovë që ka marrë Certifikimin Ndërkombëtar të Standardeve të Përgjegjshmërisë Sociale SA 8000 në fillim të vitit 2016, certifikim që auditohet dhe verifikohet periodikisht nga organizata të jashtme të pavarura, në mënyrë që të ruhen parimet e qeverisjes së mirë dhe transparenca.
Në nivelin e kontributit social, për ne është privilegj të ndajmë rastin e suksesshëm të LAB-it, një nga projektet më të rëndësishme bashkëpunuese dhe të qëndrueshmërisë në të cilën jemi përfshirë. LAB-i është një inkubator biznesi bujqësor, i themeluar në vitin 2013 në Han të Elezit, i mbështetur dhe financuar kryesisht nga Sharrcem-i. LAB-i ka ofruar mundësi biznesi për më shumë se 50 familje lokale, përmes trajnimit të tyre për themelimin e bizneseve të tyre në sektorin bujqësor dhe kohët e fundit ka arritur të tërheqë vëmendjen, vlerësimin dhe përkrahjen shtesë të organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe USAID, duke qenë shembull i shkëlqyer dhe praktika më e mirë e një projekti të përgjegjshmërisë sociale të korporatës të iniciuar nga sektori privat.
Sharrcem-i ofron punësim të drejtpërdrejtë për 300 persona dhe punësim të tërthortë për 300 të tjerë, duke qenë një nga punëdhënësit dhe tatimpaguesit më të mëdhenj në Kosovë.
A mund të na shpjegoni pse duhej të investonit kaq shumë para dhe cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me kthimin në investim?
Prodhimi i çimentos është një industri me përdorim mjaft intensiv të kapitalit, çka kërkon angazhimin e burimeve të rëndësishme financiare dhe njerëzore për një periudhë shumë të gjatë, dhe si e tillë, i nënshtrohet ciklit të plotë të aktivitetit ekonomik me majat dhe gropat e tij. Arritja e kthimit të arsyeshëm në investim varet nga shumë faktorë, të cilët shpesh janë jashtë kontrollit të investitorit dhe kërkojnë kornizë të favorshme operative e lokale.
Çdo investitor serioz dhe i përgjegjshëm, si Grupi TITAN CEMENT, në përgjithësi, dhe Sharrcem-i në veçanti, kur fillon operacionet në një vend, i përkushtohet një plani të gjatë dhjetëvjeçar dhe kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm lokal, në mënyrë që përfundimisht të gëzojë vlerësim dhe respekt. Në këtë kontekst, nuk ka vend për fitim të shpejtë apo të lehtë.
A ka parakushte që një investitor i huaj si Sharrcem-i të krijojë dhe të mbajë operacione në Kosovë. Nëse po, a ekzistojnë në terren?
Si në të gjitha aktivitetet e biznesit, investitori duhet të bëjë punën më të mirë e mundshme, por në të njëjtën kohë, edhe mjedisi i biznesit duhet të jetë miqësor ndaj investimeve. Sidoqoftë, rruga që kemi ndjekur deri më sot nuk ka qenë e rrafshët, pasi që nga viti 2011, janë përjetuar dhe ende hasim vështirësi të konsiderueshme, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Sharrcem-it për të krijuar një status të mirë operimi dhe për të zgjeruar aktivitetet e veta në Kosovë.
A mund të jeni më specifikë dhe të na tregoni detaje të vështirësive me të cilat thoni se jeni ballafaquar, dhe cili ka qenë ndikimi në operacionet tuaja?
Industria e çimentos është operacion i vështirë, që mes faktorësh të ndryshëm, varet edhe nga lëndët e para, lëndët djegëse dhe furnizimi me energji elektrike, të cilat duhet të jenë të disponueshme në baza afatgjata dhe në kushte të justifikuara financiarisht, në mënyrë që çdo prodhues të jetë konkurrues dhe i qëndrueshëm. Ne po ballafaqohemi me vështirësi në të tria këto fusha.
Së pari, kur flasim për furnizimin me lëndë të para, ne kemi nevojë për qasje në të drejtat mbi fushat e mihjes, të cilat mund të shfrytëzohen me kosto të arsyeshme. Grupi ynë ka një eksperiencë të gjerë, prej më shumë se një shekulli, në drejtimin e guroreve në vende të ndryshme, në pajtim me të gjitha kornizat e nevojshme ligjore dhe duke realizuar studime të teknologjisë së lartë dhe plane rehabilitimi.
Në rastin tonë në Kosovë, ende ndeshemi me pengesa serioze, që lidhen jo vetëm me koston e lartë të blerjes së tokës për shfrytëzimin e rezervave ekzistuese në zonat e licencuara të mihjes, por edhe me vonesa të rëndësishme të procedurës së lëshimit të licencave të reja të mihjes. Kjo e fundit vlen edhe për zonat e tokave që janë në përputhje me dispozitat e Ligjit Strategjik të Kosovës, dhe përkundër diskutimeve tona të kaluara me autoritetet, deri më tani, nuk kemi arritur progres, sidomos sa i përket licencimit të sipërfaqeve dhe kohëzgjatjes së operacioneve. Për habinë tonë, Sharrcem-it i është mohuar për një kohë të gjatë dhe për arsye të pashpjegueshme, sipas mendimit tonë, dhënia e të drejtave të koncesionit në lidhje me lokalitete të veçanta.
Kur flitet për furnizimin me lëndë djegëse, ne paguajmë çmime ndërkombëtare për lëndë djegëse të ngurta, ndërsa propozimet tona për investime për shfrytëzimin e lëndëve djegëse të përpunuara në nivel lokal, si pjesë e dizajnit tonë për përzierjen e lëndës djegëse, janë ende në pritje të ndonjë vendimi që nga viti 2013. Nga ana tjetër, për shkak të mungesës së legjislacionit përkatës, nuk është ende i mundur përdorimi i lëndëve djegëse alternative lokale apo të importuara, çka rezulton në mungesën e rrjedhave të furnizimit, në kundërshtim me faktin se kjo konsiderohet si “praktika më e mirë” në Evropë prej më shumë se 20 vjetësh, sipas direktivave të rrepta të BE-së, që rregullojnë dhe monitorojnë përdorimin e tyre të sigurt, sipas standardeve më të larta të disponueshme.
Së fundi, në lidhje me furnizimin me energji elektrike, tregu ende nuk është plotësisht i lirë dhe fabrika jonë nuk mund të arrijë tarifa të arsyeshme të energjisë elektrike, pavarësisht faktit se profili i saj i konsumit me ngarkesë bazë të lartë 24-orëshe kontribuon në stabilitetin e sistemit.
Sa i përket ndikimit në operacionet tona, të gjithë këta faktorë rrisin koston tonë të prodhimit, duke ndikuar negativisht në pozitën konkurruese të Sharrcem-it dhe duke rezultuar tashmë në humbje materiale për tre vjet rresht, ndërkohë që përveç kësaj, kufizojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të fabrikës sonë të çimentos. Përkundër këtij rezultati rëndues, ne kemi vazhduar të mbështesim biznesin tonë dhe të materializojmë investime shtesë, me shpresën se po përballemi me çështje të përkohshme, të cilat së shpejti do të tërheqin përkrahjen dhe interesimin aktiv të autoriteteve kompetente shtetërore. Zgjidhja e çështjeve të lartpërmendura është e rëndësishme në mjedisin e përgjithshëm të kapaciteteve të tepërta prodhuese në Evropën Juglindore, që rezultoi nga kriza financiare ndërkombëtare gjatë viteve 2009 – 2015, çka në vetvete kufizon potencialin për rritje të rajonit, pasi ndikon në parimin e mirënjohur të ekuilibrit mes ofertës dhe kërkesës.
Duke qenë se disa nga çështjet që paraqitët duket se janë të lidhura me institucionet shtetërore, a keni provuar t’i kontaktoni autoritetet përkatëse dhe t’ua paraqisni këto vështirësi?
Natyrisht që e kemi bërë, dhe e kemi bërë shumë herë deri më tash, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes Organeve dhe Dhomave të Përfaqësimit të Investitorëve. Sa i përket reagimit të autoriteteve, duhet të themi se Qeveria ka qenë e gatshme të na dëgjojë dhe t’i kuptojë çështjet, për çka ne shprehim falënderimet tona të sinqerta.
Sidoqoftë, ende ka nevojë urgjente për veprime të caktuara. Këto pengesa të lartpërmendura kufizojnë qëndrueshmërinë e Sharrcem-it dhe veprojnë si pengesë për investime të mëtejshme. Kushtet specifike të biznesit dhe tregut në Kosovë, së bashku me pozitën e mbyllur tokësore të vendit, ndikojnë negativisht në pozicionin konkurrues të Sharrcem-it, i cili mbetet prapa investimeve të tjera të Grupit TITAN CEMENT në vendet fqinje.
Në përfundim të kësaj interviste, çka do të shihnit ose sugjeronit se do të ishte e ardhmja më e mirë për investimet e huaja në Kosovë?
Sharrcem-i dhe aksionarët e tij janë të vendosur të luajnë rolin e tyre në rritjen e qëndrueshme të vendit në të gjitha nivelet. Sidoqoftë, për ta arritur këtë, politikëbërësit dhe autoritetet duhet të zhvillojnë një kornizë adekuate që promovon një mjedis miqësor për biznesin dhe e nxit përparimin e Kosovës.
Kjo është rruga për vendosjen e një fushë-loje të drejtë dhe të barabartë për investitorët në Kosovë, çka do t’u lejojë që të zgjerohen, duke zbatuar planet e tyre të biznesit dhe duke i mundësuar shtetit të Kosovës dhe popullit të tij të gëzojnë rritje më të lartë dhe më shumë mundësi punësimi.