×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    “Mos e lejo, mos e lejo se nesër do të jetë vonë”, fjalimi i fuqishëm i Rexhep Selimit kundër Zajednicës

    Insajderi
    28 February 2023 - 12:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në 8 mars të vitit 2011 qeveria e atëhershme filloi bisedimet politike me Serbinë të cilat i quajti bisedime teknike.

    Këto bisedime filluan vetëm tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, tetë muaj pas fitores së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) e cila vulosi legalitetin e shpalljes së pavarësisë, 5 muaj pas rezolutës së OKB-së e cila bënte thirrje për dialog për promovim të bashkëpunimit, progresit dhe përmirësimit të jetës së njerëzve, dhe as 3 muaj pas “të gjeturave” të Raportit Dick Marty.

    Ky ishte sfondi kur filluan bisedimet “teknike” me Serbinë, pra në kulmin e arritjes së shtetësisë së Kosovës pas vendimit të GjND-së dhe me një rezolutë të OKB-së që bënte thirrje për përmirësim të jetës së njerëzve.

    Si pjesë e opozitës së atëhershme Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërshtuar bisedimet politike me Serbinë, madje duke kaluar edhe një rezolutë me 10 mars 2011 në Parlamentin e Kosovës, por edhe kemi protestuar.

    “Kemi kundërshtuar jo sepse nuk donim kurrfarë dialogu me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, por sepse nuk donim negociata politike për çështje të brendshme të Kosovës. Për më keq, këto bisedime politike, e që në fakt ishin negociata për çështje të brendshme, udhëhiqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë. Ishin pa parime, pa kufizime dhe pa transparencë”, thuhej në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Më 19 prill 2013, qeveria e atëhershme nënshkroi marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sipas Lëvizjes Vetëvendosje “duke e negociuar kështu veriun e Kosovës me Serbinë e duke e shkelur rëndë kushtetutën e vendit, karakterin shumetnik dhe decentralizimin etnik të së secilës e kishin mbrojtur me aq zell”.

    Dy ditë pas nënshkrimit, më 21 prill 2013 çështja kishte shkuar në Kuvend, dhe me 89 vota për ishte votuar rezolutën që mbështeste Asociacionin.

    Kundër saj kishin dalë krejt deputetët e VV-së, por më i zëshmi ishte ish-deputeti Rexhep Selimi.

    “Kjo rezolutë është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Kjo rezulutu vetëm interesat e klaneve të Hashim Thaçit i mbron, nuk mbron interesin e Kosovës, nuk mbron interesin e Pavarësisë së Kosovës”, kishte deklaruar Selimi në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Mos e lejoni z. kryetar Jakup Krasniqi, mos e lejo, mos e lejo, mos e lejo – sepse nesëe do të jetë vonë. Sot është mëngjesi më i rendësishëm për cka kanë luftu dhe punu qytetarët e këtij vendi – është nyja është udhëkryqi, o me Kosovën jashtë Serbisë, o me Serbinë brenda Kosovës”, vazhdonte më zë të lartë Selimi, shkruan Gazeta Insajderi. Tash Selimi bashkë me Thaçin dhe Krasniqin gjenden në Hagë, si të dyshuar për krime lufte.

    Ndërsa Kuvendi po miratonte këtë marrëveshje, edhe para ndërtesës së Kuvendit, një grup i aktivistëve të Vetëvendosjes po protestonte dhe kërkonte nga Kuvendi të mos miratonte marrëveshjen. Protestuesve më pas ishte drejtuar edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

    “U bë një shkelje e rëndë procedurale ku përkundër gjithë kësaj, procedohej kurse asgjë s’po ndodh dhe pas ndërhyrjes edhe të disa truprojave u pamundësua aktiviteti i Vetëvendosjes i cili pengonte këtë akt shumë të turpshëm, shumë të padrejtë dhe shumë të dëmshëm që e çimenton Serbinë brenda Kosovës ndërkohë që nuk e njeh ende Serbia Kosovën”, toshte Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, çfarë thoshte atëherë Lëvizja Vetëvendosje për Zajdenicën?

    “Marrëveshja e 19 prillit e cila 6 nenet e para i ka për “Zajednicën” është marrëveshje për të ndryshuar karakterin e shtetit të Kosovës. Përtej “Zajednicës”, ajo parashihte krijimin e një sërë institucionesh paralele për minoritetin serb në Kosovë. Në aspektin politik e organizativ marrëveshja parashihte formimin e asociacionit etnik vetëm për komunat serbe, në aspektin gjyqësor parashihte gjykatën paralele të apelit, të cilën e realizuan, kurse në aspektin e sigurisë parashihej edhe pushtet policor duke emëruar komandantin rajonal vetëm për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit”, thuhej në njërin nga reagimet e VV-së në opozitë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Ndryshe prej kësaj mbrëmë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje është pajtuar me Planin Europian që brenda vetes ka edhe Asociacionin.

    Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Propozimi përmban gjithsej 11 nene.

    Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:

    Palët e dakorduara,

    Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

    Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

    Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

    Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

    Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

    Kanë rënë dakord si më poshtë:

    Neni 1

    Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

    Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

    Neni 2

    Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

    Neni 3

    Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

    Neni 4

    Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

    Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

    Neni 5

    Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

    Neni 6

    Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

    Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

    Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

    Neni 7

    Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

    Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

    Neni 8

    Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

    Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

    Neni 9

    Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

    Neni 10

    Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

    Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

    Neni 11

    Të dyja palët zotohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit si aneks të kësaj Marrëveshjeje./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark