Një letër sikur asnjëherë më parë ka shkuar në adresën e gjyqtarëve të Gjykatës Speciale në Hagë, në rastin e krerëve të UÇK-së. Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, në emër të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare e kosovës, kanë kërkuar nga gjyqtarët e rastit të mos ia mbajnë anën Prokurorisë, por të jenë të paanshëm në zbardhjen e së vërtetës. Nacionale e ka parë letrën dhe sjell detaje.
Pyetjet e gjyqtarëve ndaj dëshmitarëve në rastin e krerëve të UÇK-së, kanë alarmuar avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Me një letër të unifikuar, mbrojtja e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ngritur alarmin, duke kërkuar nga gjyqtarët e rastit të mos ia mbajnë anën e Prokurorisë.
Në letrën të cilën e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se pyetjet e gjyqtarëve po e shtyjnë përpara rastin e Prokurorisë, dhe nuk po e sfidojnë të vërtetën. Sipas avokatëve, ata po paragjykohen nga gjyqtarët e rastit.
“Është thelbësore që trupi gjykues jo vetëm që duhet të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të paanshme, por duhet të sigurojë edhe shfaqjen e paanshmërisë. Marrja gjyqësore e pakufizuar në pyetje e dëshmitarëve, gjatë gjithë këtyre procedurave dhe veçanërisht gjatë bllokut të provave 21 tetor 2024 – 7 nëntor 2024, është duke rrezikuar shfaqjen e paanshmërisë në këto procedura dhe duke shkaktuar paragjykim të identifikueshëm për Mbrojtjen. Siç shpjegohet më poshtë, marrja në pyetje nga gjyqtarët po çon përpara çështjen e Prokurorisë ose një çështje gjyqësore të ngjashme me të, duke marrë rolin që normalisht do të luante Prokuroria dhe duke dështuar në sqarimin ose eksplorimin e ndonjë informacioni shfajësues. Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kërkon nga trupi gjykues që të ndërmarrë hapa për të siguruar pamjen e paanësisë dhe për të kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë marrjes në pyetje gjyqësore”, thuhet në këtë parashtresë.
Mbrojtja ka përmendur shqetësime e mëhershme që kanë pasur në këtë temë, duke theksuar edhe pranimin e disa dokumenteve të cilat ishin përdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtarët. Sipas avokatëve, fakti që dokumentet që u nxorën gjatë pyetjeve të gjyqtarëve u pranuan si prova, tregon se ka mungesë të paanshmërisë. Madje, me një vendim të korrikut 2024, gjyqtarët vendosën se nuk lejohen kundërshtime gjatë pyetjeve të gjyqtarëve.
Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka përmendur dokumentet e konvenat ndërkombëtare të cilat prezantojnë rolin e gjyqtarëve, dhe elementeve që duhet të përfshijnë ata gjatë intervistimit, duke sfiduar rastin e Prokrurorisë. Sipas avokatëve, në shumë raste, gjyqtarët kanë bërë më shumë pyetje se vetë mbrojtja.
“Me respekt parashtrohet se tani kërkohen masa për të siguruar paraqitjen e paanësisë në procedurë dhe për të shmangur paragjykimet e pariparueshme ndaj Mbrojtjes. Ndikimi i pyetjeve gjyqësore është i dukshëm nga raportet periodike kohore të përgatitura nga Zyra e Regjistrimit. Deri më 11 nëntor 2024, marrja në pyetje nga gjyqtarët kishte zgjatur 71 orë 36 minuta e 34 sekonda. Kjo përbën 13 ditë kohë gjyqësore, më shumë se një bllok të tërë provash, edhe pa marrë parasysh kohën e nevojshme për marrje në pyetje shtesë pas marrjes në pyetje gjyqësore. Koha e përdorur për marrjen në pyetje gjyqësore tejkalon kohën e përdorur nga tre nga katër ekipet e mbrojtjes. Sido që të jetë, koha që i kushtohet pyetjeve gjyqësore është shumë e konsiderueshme dhe po ndikon në zhvillimin e shpejtë të këtyre procedimeve. Kjo është befasuese pasi çdo boshllëk në prova duhet të adresohet nga palët përmes rishqyrtimit, ndërsa pyetja gjyqësore, e cila zakonisht është për të sqaruar aspektet e provave, nuk duhet të zgjasë më shumë se ajo e një pale në procedure”, thuhet në këtë letër më tutje.
“Megjithatë, më shqetësuese se koha e marrë është mënyra në të cilën kjo pyetje gjyqësore do të perceptohej nga çdo shikues i arsyeshëm. Kjo gjithashtu mund të matet nga raportet periodike kohore. Që nga 11 nëntori 2024, Mbrojtja kërkoi kolektivisht 31 orë e 23 minuta për pyetje të mëtejshme pas marrjes në pyetje gjyqësore; Prokuroria ka shfrytëzuar 12 minuta. Prandaj, Mbrojtjes i është dashur të përdorë më shumë se 100 herë më shumë se sa kohë për marrjen në pyetje të Prokurorisë. Pabarazia e madhe në këto shifra e bën të qartë marrjen në pyetje nga gjyqtarët. Qartë, perceptimi i mbrojtjes ka qenë se ka pasur nevojë për t’iu përgjigjur pyetjeve gjyqësore, ndërsa perceptimi i Prokurorisë është se nuk ka pasur një nevojë të tillë”, thuhet më tutje.
Avokatët kanë alarmuar se bazuar në këto statistika, dëshmohet se për Prokurorinë, pyetjet e gjyqtarëve nuk janë sfiduese. Si rezultat, kanë aluduar se del që gjyqtarët po ia mbajnë anën Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
“Për më tepër, këto statistika tregojnë se Prokuroria nuk i percepton pyetjet e gjyqtarëve si sfiduese të çështjes së Prokurorisë në asnjë mënyrë, ndërsa Mbrojtja në masë dërrmuese i percepton pyetjet e gjyqtarëve që cenojnë prezumimin e pafajësisë së të Akuzuarit. Ky çekuilibër bruto është në kundërshtim me të drejtën themelore të të akuzuarit për një gjykatë të pavarur dhe të paanshme, si dhe me detyrimin etik të çdo anëtari të Panelit jo vetëm që të jetë subjektivisht i paanshëm kur bën pyetje, por edhe të jetë me mirëbesim”, thuhet më tutje.
Si asnjëherë më parë, gjuha e avokatëve ka qenë e ashpër. E akuzojnë direkt trupin gjykues se nuk po e sfidon rastin e Prokurorisë, madje nuk po e respekton as prezumimin e pafajësisë.
“Marrja në pyetje gjyqësore po krijon përshtypjen se Paneli nuk e sfidon rastin e Prokurorisë, por përkundrazi po përdor pjesën më të madhe të kohës dhe po e drejton shumicën e pyetjeve të tij drejt temave fajësuese, duke krijuar përshtypjen e qartë se prezumimi i pafajësisë së të akuzuarit nuk është duke u respektuar. Mënyra dërrmuese e njëanshme në të cilën është kryer marrja në pyetje gjyqësore në këtë gjykim ka krijuar vetë “kuptimin e njëanshmërisë” që Kolegji i Apelit e citoi shprehimisht si kufizim në marrjen në pyetje gjyqësore, dhe ka shkelur të drejtat e të akuzuarit për një të pavarur dhe gjykata e paanshme. Të katër të akuzuarit shënojnë zyrtarisht kundërshtimin e tyre ndaj mënyrës në të cilën është kryer marrja në pyetje gjyqësore gjatë gjithë këtij gjykimi dhe pohojnë se të drejtat e tyre për gjykim të drejtë dhe e drejta për një gjykatë të pavarur dhe të paanshme janë shkelur”, thuhet në këtë letër.
Më tutje, janë paraqitur kërkesat direkt që ka pasur secili i akuzuar ndaj gjyqtarëve.
“Të akuzuarit me respekt kërkon që Paneli t’i marrë parasysh këto kundërshtime dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që secili anëtar i Panelit jo vetëm që do të veprojë në mënyrë të paanshme, por do të bëjë përpjekje të mirëbesimit për të krijuar pamjen e paanshmërisë në mënyrën në të cilën ata kryerja e pyetjeve gjyqësore. Hapat e tillë duhet të përfshijnë: Bërja e pyetjeve që sfidojnë rastin e Prokurorisë”, thuhet më tutje, raporton Nacionale.
Në këtë pjesë, përmenden edhe pyetjet orientuese për të cilat kishte raportuar Nacionale kohë më parë.
“Kërkojnë kufizimin e praktikës së sugjerimit të përgjigjeve për dëshmitarët, duke përfshirë parathënien e pyetjeve me paralajmërimin, “Unë nuk dua të vendos fjalë në gojën tënde” dhe më pas të vazhdosh të vendosësh fjalë në gojën e një dëshmitari. Është jashtëzakonisht e rrezikshme për gjyqtarët që t’i sugjerojnë dëshmitarëve duke pasur parasysh se dëshmitarët në mënyrë të pashmangshme priren t’i shohin gjyqtarët si autoritete, sugjerimet e të cilëve duhen ndjekur; • Shmangia e përdorimit të marrjes në pyetje gjyqësore si mjet për nxjerrjen e provave kundër të Akuzuarit që është përtej fushëveprimit të shqyrtimit të drejtpërdrejtë të Prokurorisë”, thuhet më tutje.
Pikërisht për këtë temë, Nacionale e kishte pyetur kryetaren e Gjykatës Speciale në një konferencë për media pak ditë më parë. Ekaterina Trendafilova e ka pranuar se pyetjet orientuese janë të ndaluara, megjithatë ajo tha se nuk ka parë pyetje të tilla në gjykimin e krerëve të UÇK-së. Pasi Nacionale e sfidoi me raste konkrete, ajo kërkoi t’i shohë me video kur ta vizitojë Kosovën.