×
  • Sport
  • Sport

    Mos licensimi i mundshëm i FFK’së, Eroll Salihu: Licensimi nga ministria një nivel i ri për sportin, e përshëndes

    Insajderi
    16 November 2022 - 21:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ende nuk është licencuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kjo mund të jetë fatale për klubet kosovare. Për arsye se nënkuptohet mos-njohje të Federatës nga ana e shtetit, me ç’rast garat do të jenë të pavlefshme dhe si të tilla nuk mund të organizohen. Rreth kësaj çështje Gazeta Metro ka kontaktuar me ish-sekretarin e përgjithshëm të FFK’së, Eroll Salihu. Ai ka folur rreth procedurave për licencimin, ndërsa tregoi se me Kodin e ri të Procedurës Penale që pritet të hyjë në fuqi më 18 shkurt personat që hetohen për vepra penale do të pezullohen nga puna.

    Salihu njëherazi edhe kryetar i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv e ka quajtur ‘autoritarizëm’ të kryetarëve të federatave sportive në Kosovë çështjen e neglizhencës të mos licencimit.

    ”Së pari e dini që me këtë çështje jam marrë sepse jam kryetar i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv edhe raste të tilla ka shumë për arsye të autoritarizmit nëse mund ta quajmë kryetarëve apo anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv. Prandaj, licencimi është nivel i ri të cilin e dëshiron ministri, Hajrullah Çeku ta zbatojë faktikisht në komunitetin sportiv dhe e përshëndesim” ka thënë ai.

    Salihu thotë se rregullorja për licencimin ka mbetur në gjysmë për shkakun se i ka munguar elementi kryesor. E sipas tij ai është se personat që kanë marrë pjesë nuk e njohin mirë juridikaturën sportive.

    ”Hapi i parë ka qenë rregullorja për licencimin e cila për fat të keq ka mbetur në gjysmë sipas meje. Për arsye se elementi kryesor i ka munguar sepse nuk kanë qenë persona që e njohin mirë juridikaturën sportive sepse kanë lansuar idenë se shkelen drejtat e njeriut nëse nuk lejohen personat me aktgjykim të kandidohen apo të lëshojnë postin e tyre,” tha ai për Metron.

    Tutje, ish-këshilltari ligjor i FFK’së ka deklaruar se me Kodin e ri të Procedurës Penale personat që dyshohet se kanë kryer vepra penale do të pezullohen nga pozita e tyre. Kjo pritet të hyjë në fuqi më 18 shkurt.

    ”Por tash argumenti më i mirë është se kodi i ri i procedurës penale e parasheh tekstualisht se të gjithë personat që janë fizik apo juridik vetëm nëse ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepër penale ata pezullohen nga pozita.

    Kjo është hera e parë kjo që po thuhet publikisht sepse ky kod do të hyj në fuqi më 18 shkurt dhe thotë edhe për organet shtetërore dhe organet që udhëheqin institucione (personat në borde, komunitete) se do të pezullohen nga puna nëse janë duke u hetuar për vepra penale të caktuara,” theksoi ai.

    Salihu ka përmendur edhe Kuvendin Zgjedhor të FFK’së ku ishte rizgjedhur kryetar, Agim Ademi. Ky Kuvend i FFK’së ishte kontestuar mjaft shumë, përderisa edhe Zyra Ligjore e Ministrisë së Sportit e kishte kontestuar shkelje ligjore e procedurale.

    Një nga problemet e mos licencimit të FFK’së nga organet shtetërore është edhe Kuvendi Zgjedhor. Ministri, Hajrullah Çeku jo rrallë herë ka potencuar që gjatë procesit për aplikim për licencim duhet të dëshmohet se ka qenë në përputhje me ligjet e Kosovës, statutin e FFK-së dhe aktet tjera normative.

    Siç thotë Salihu për shkak se kanë mbajtur një Kuvend të ”jashtëligjshëm” me Kodin e ri të Procedurës Penale mundet të hapen hetime për Agim Ademin.

    ”Kodi i Etikës dhe Kodi disiplinor i FFK’së është e obliguar të harmonizohet me Kodin Etik të FIFA’së dhe UEFA’së dhe Kodi Etik i FIFA’së thotë shumë qartë se personat që janë të akuzuar nuk munden të qëndrojnë në pozitë. Dhe, përpos faktit që Federata e ka mbajtur një kuvend totalisht të jashtëligjshëm tash fakti tjetër është se munden të jenë nën hetime Kryetari sigurisht por ndoshta edhe anëtarë tjerë të Komitetit Ekzekutiv,” tha ai.

    Ai i ka kritikuar edhe klubet për ”kokëfortësinë” e tyre rreth çështjes së Ademit. Salihu ka pretenduar që i pari i FFK’së me politikat e tij është duke ”zbrazur arkën e Federatës”.

    ”Unë nuk mundem ta kuptoj kokëfortësinë e disa klubeve unë e kuptoj se Agim Ademi me politikat e tij është duke e zbrazur arkën e Federatës për t’i mbajtur klubet, por edhe klubet duhet të jenë të vetëdijshme për hir të futbollit duhet të kuptojnë se ky njeri duhet të lëshoj rrugë.

    Sepse atë çfarë kemi krijuar Fadil Vokrri, unë me shokë të tjerë dhe krejt shteti në fund Agim Ademi është duke e shkatërruar në proces shumë të shpejtë e këtij nuk i intereson asgjë përpos pozitës së vet, prandaj është momenti i fundit që klubet t’i thonë jo këtij autoritarizmi sepse nuk mund të shkatërrohet një Federatë për një person i cili nuk ka asnjë background sportiv,” ka thënë ai.

    Në fund, ish-sekretari i FFK’së theksoi se edhe Ligji për Sport do të harmonizohet me Kodin e ri të Procedurës Penale, i cili siç u tha më lart parasheh se ”personat që janë nën hetime duhet të pezullohen nga Federatat Sportive”.

    ”Përpos faktit që kuvendi është shpallur i jashtëligjshëm nga Ministria dhe unë si ish-këshilltar i lartë ligjor dhe kryetar i Gjykatës së Arbitrazhit do të ankohem për institucionin tim. E fundit tash edhe Ligji për Sport s’ka qare pa u harmonizuar me Kodin e ri të procedurës penale, i cili parasheh personat që janë nën hetime duhet të pezullohen nga federatat sportive,” përfundoi ai.

    Kujtojmë se kryetari i FFK’së, Agim Ademi akuzohet se më 2012 bashkë me Muharrem Ramën kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar të japë 30 mijë ose një ‘BMW X5’.

    Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtorë Ademin dhe Ramën për veprën penale detyrim në tentativë.

    Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.

    Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark