Kryeministri Albin Kurti është në përpjekjet e fundit për ta kapur me njeriun e tyre një pozitë mjaft të rëndësishme në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM). Për pozitën më të lartë në këtë organ të pavarur, Albin Kurti tashmë ka një emër që ndërlidhet direkt me të. Ajo është motra e pronarit të shtëpisë në të cilën Kurti tash e sa vite është qiraxhi i tyre.
Në krye të listës së të përzgjedhurve në konkursin për Kryeshef Ekzekutiv në KPM figuron emrin i Herolinda Zagragja Goçi.
Momentalisht, ajo është udhëheqëse e Divizionit për Ankesa dhe Përfaqësim në Komisionin e Pavarur për Media.
Periskopi ka arritur të siguroj listën e kandidatëve për pozitën ‘Kryeshef Ekzekutiv në KPM’. Në listë prinë Herolinda Zagragja Goçi, që është motra e pronarit të shtëpisë në të cilën Kurti tash e sa vite është qiraxhi i tyre.
Në prill të këtij viti, KPM kishte njoftuar për hapjen e një konkursi për pozitën ‘Kryeshef Ekzekutiv’. Kjo ishte hera e dytë që ky konkurs shpallej, pasi i pari ishte anuluar.
Tendenca e Qeverisë Kurti për të emëruar dhe kapur edhe këtë institucion të rëndësishëm, duket të jetë në sinkron edhe me ndryshimet e paralajmëruara në Projektligjin për KPM.
Ndryshimet që po diskutohen në këtë projektligj kanë ngritur shqetësime, jo vetëm të mediave por edhe të shoqërisë civile.
Në dëgjimin publik të ftuar për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), Flutura Kusari nga Forumi për integritet të informacionit pati thënë se nëse nuk ndryshon ky projektligj, me të do të e lehtëson kapjen e mediave nga partitë.
“Një prej shqetësimeve kryesore tona është që nëse projektligji nuk ndryshon, atëherë partitë apo bashkësitë fetare të hapin televizione apo radio… një gjë e tillë nënkupton se për një kohë të shkurtë do të kemi skenë mediale të mbushur me TVVV, TVPDK, TVLDK e TVAAK”, kishte thënë Kusari.
Para pak ditësh, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal kaloi për votim në lexim të dytë në Kuvend raportin me amendamente të komisioneve të përhershme lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
Deputetët e opozitës kishin propozuar që ky projektligj të dërgohet për shqyrtim edhe në Komisionin e Venecias, pasi sipas tyre, ka pasur reagime nga shoqëria civile dhe mediat që ky projektligj cenon lirin e mediave.
Cila është historia e Albin Kurtit me familjen Zagragja?
Pak para se të bëhej kryeministër, Albin Kurti ndërroi vendbanimin.
Ai u zhvendos në Taslixhe, një lagje periferike e Prishtinës. Kurti ka deklaruar se paguan 250 euro qira për një shtëpi mjaft të madhe, dy katesh.
Pronarë të shtëpisë ku aktualisht banon kryeministri Kurti janë familja Zagragja.