×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Motraria nuk njeh kufij

    Insajderi
    27 November 2023 - 22:24

    Pavarësisht nga dallimet ideologjike, racore, etnike, fetare apo kulturore, gratë në mbarë botën po bashkohen rreth një interesi të përbashkët: ndalimin e dhunës me bazë gjinore.

    Universaliteti i kësaj çështjeje u pranua nga Kombet e Bashkuara në vitin 1981, kur Kombet e Bashkuara e caktuan 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

    Më pas, Kombet e Bashkuara, në deklaratën e tyre të vitit 1993 mbi po këtë çështje, pranuan se gratë në situata të konfliktit të armatosur janë veçanërisht të cenueshme.

    Ndërsa sulmet me bazë seksuale në situatat e konfliktit po shënojnë, përballja me këtë çështje të interesit të përbashkët është bërë gjithnjë e më e domosdoshme. Tani për tani, askund nuk është më e dukshme nevoja për të njohur dhimbjen, vuajtjen dhe dehumanizimin e shkaktuar nga këto sulme sesa në rastet me gratë izraelite viktima të këtyre sulmeve.

    Më 7 tetor, Izraeli përjetoi një nga sulmet terroriste më të mëdha dhe më barbare të historisë bashkëkohore. Mijëra terroristë të Hamasit të armatosur rëndë pushtuan komunitetet pranë kufirit të Gazës, duke vrarë 1200 njerëz me gjakftohtësi.

    Gjatë sulmit të dhunshëm njëditor, civilë të pafajshëm u përdhunuan, u torturuan, u gjymtuan, u prenë kokat, u dogjën të gjallë dhe u vranë me mjete të tjera në shtëpitë e tyre dhe në një festival muzikor. Përafërsisht 240 persona, mes tyre foshnja dhe të moshuar, u rrëmbyen në Rripin e Gazës.

    Gratë dhe vajzat ishin në shënjestër të veçantë për dhunim dhe gjymtim seksual, shpesh të pasuar nga ekzekutimet, në atë ditë të parë të tmerrshme të luftës. Më pas, u bë absolutisht e qartë se përdhunimi ishte një komponent i paramenduar i strategjisë së pushtimit të Hamasit.

    Dëshmitë e para se shumë izraelite ishin përdhunuar dolën pothuajse menjëherë pasi vetë terroristët filmuan gra të reja të zhveshura ose me njolla të mëdha gjaku në pantallonat e tyre duke u rrëmbyer në Gaza. Videot u publikuan nga Hamasi në rrjetet sociale në kohë reale dhe u përhapën shpejt në mbarë botën.

    Që atëherë u shfaq një sasi dërrmuese e provave. Përveç provave fizike të mbledhura nga morgjet dhe skenat e krimit, dëshmitë rrëqethëse shumë shqetësuese për t’u përsëritur këtu janë dhënë nga të mbijetuarat, dëshmitarët okularë, ekspertët mjeko-ligjorë, ekipet e shpëtimit dhe rikuperimit dhe ekuipazhet e ambulancës.

    Është tepër e trishtueshme, dhe mjaft indinjuese që përmasat e këtyre dëshmive duhet të shprehen vazhdimisht. Megjithatë, pavarësisht këtij mali provash, sulmi i gjerë seksual ndaj grave izraelite – një krim kundër njerëzimit – është shpërfillur kryesisht nga Kombet e Bashkuara, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, grupet e grave dhe shumica e mediave botërore.

    Ç’është edhe më tronditëse, në epokën e lëvizjeve “Me Too” dhe “Believe Women”, shumë mbështetës të supozuar të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe feminizmit – duke përfshirë vajza të reja të së njëjtës moshë me viktimat e festivalit muzikor – po angazhohen për të mohuar përdhunimin. Disa kanë zgjedhur të justifikojnë ose, më keq, të tallen dhe të festojnë një nga sulmet më të tmerrshme ndaj grave, sulme këto më të dëshmuara e publikuara në opinion.

    Qëndrimi i heshtur në vazhdën e këtyre mizorive përbën një miratim të heshtur dhe heshtja e

    organizatave ndërkombëtare, grupeve të grave dhe aktivisteve është vërtet shurdhuese. Mungesa e dënimit ndërkombëtar çnderon viktimat dhe të mbijetuarat, ndërkohë që frustron shumë avokues të grave. Siç vuri në dukje Michal Herzog, Zonja e Parë e Shtetit të Izraelit, në shkrimin e saj të fundit në “Newsweek” mbi këtë temë, “Për izraelitët që kanë qenë gjithmonë në ballë të luftës për të drejtat e grave në mbarë botën, ky ishte një moment zhgënjimi dërrmues”. (https://www.newsweek.com/silence-international-bodies-over-hamas-massrapes-betrayal-all-women-opinion1845783#:~:text=For%20the%20Israelis%20who%20have,a%20former%20CEDAW%20vice%

    2Dchair.)

    Megjithëse masakra e kryer nga ushtria e terrorit e Hamasit më 7 tetor kishte në shënjestër gratë dhe vajzat izraelite, pasojat e saj mund të përbëjnë një rrezik për gratë e tjera.

    Teknikat e shpikura ose të bëra famëkeqe për herë të parë nga pjesëtarët e grupeve terroriste palestineze, të tilla si bomba vetëvrasëse dhe sulmet me automjete, janë adoptuar nga grupe të tjera terroriste për t’u përdorur në vendet e largëta dhe të afërta. Duke pasur parasysh këtë histori të gjatë, ideja se përdhunimi dhe sulmet seksuale do të bëhen një taktikë e përhapur e grupeve terroriste islamiste është tmerrësisht e arsyeshme.

    Është mbase momenti i fundit që gratë anekënd botës dhe aleatët e tyre të dënojnë mizoritë e Hamasit, jo vetëm sepse është në interesin e tyre, por thjesht sepse është gjëja e duhur për t’u bërë.

    Motraria do të thotë të shprehësh solidaritet sa herë që përdhunimi, gjymtimi seksual dhe dhuna me bazë gjinore përdoren si armë lufte, pavarësisht nga kombësia apo feja e atyre që janë në shënjestër. Ne të gjithë ua detyrojmë këtë të mbijetuarave që janë ende të traumatizuara dhe kujtimit të vajzave dhe grave që humbën jetën në atë ditë prej më të tmerrshmeve.

    Shkrim nga Shkëlqesia e Saj znj. Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës
    e Kosovës

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark