×
  • Lajme
  • Analiza

    MPJ nën hetime – nga Donika Gërvalla-Schwarz deri tek Martin Berishaj, këto janë kallëzimet kundër tyre

    Insajderi
    17 January 2023 - 10:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe së paku dy vartës të saj janë nën hetime nga shteti. Gazeta Insajderi sjell rastet kundër tyre…

    Gazeta Insajderi

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, është nën hetime nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pasi nuk e ka deklaruar saktë pasurinë e saj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, duke fshehur dy biznese dhe pasurinë e burrit e fëmijëve.

    Kështu kishte konfirmuar Prokuroria në tetorin e vitit të kaluar, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo pasi në tetor të vitit 2019, u raportua se Donika Gërvalla ka një biznes në Gjermani në të cilin mban postin e drejtoreshës ekzekutive si dhe drejton Fondacionin “Jusuf Gërvalla”, pozita këto, që nuk i kishte deklaruar fare në APK.

    Përveç kësaj, Gërvalla nuk e ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, anise kjo kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ligji për Deklarimin e Pasurisë e obligon secilin zyrtar me funksione të larta publike të deklarojë secilën pozitë tjetër në institucione publike ose private.

    Mosdeklarimi ose deklarimi i rremë i pasurisë hyn te veprat e përcaktuara me Kodin Penal, përkatësisht nenin 430.2.

    Pikërisht për këtë çështje, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte ngritur kallëzim penal ndaj kryediplomates kosovare, kundër së cilës ende nuk është marrë ndonjë vendim nga drejtësia në vend, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në dhjetorin e vitit të kaluar kishte thënë se nuk pret ngritjen e ndonjë aktakuze ndaj saj për rastin e mosdeklarimit të pasurisë.

    “Unë nuk shoh asnjë element për ngritje të aktakuzës në një procedurë në të cilën të gjitha çështjet janë sqaruar. Unë nuk kam asgjë për të fshehur sepse nuk është që kemi ndonjë pasuri të madhe. Unë llogaris që edhe prokuroria do të shohë shumë shpejt që është humbje kohe”, pati thënë ajo për kallxo.com, transmeton Gazeta Insajderi.

    Gërvalla pati sqaruar se ajo ka deklaruar pasurinë e saj, por nuk ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortit, prandaj edhe kanë filluar hetimet ndaj saj.

    “E kam deklaruar pasurinë unë plotësisht, ka pasur një keqkuptim rreth konfliktit mes legjislacionit gjerman dhe atij të Kosovës rreth të ardhurave të tim shoqi i cili nuk jeton këtu dhe nuk ka asnjë lidhje financiare apo fizike me Kosovën, megjithatë kur kam bërë deklarimin e pasurisë për vitin e kaluar të gjitha ato janë përfshirë”.

    “Bëhet fjalë për deklamimin kur kam marrë detyrën dhe aty kam menduar që një gjë e tillë nuk është e nevojshme. Aty unë nuk kam dhënë të dhënat për bashkëshortin tim i cili është shtetas gjerman. Kam menduar që përderisa legjislacioni gjerman i mbron të dhënat dhe privatësinë nuk kam dashur të shkaktoj konflikt”.

    Ndryshe, në deklarimin e pasurisë që Gërvalla e ka bërë në vitin 2021 në Agjencinë Kundër Korrupsionit, i figurojnë vetëm dy funksionet si ministre dhe zëvendëskryeministre. Nga këto dy pozita, ajo fitoi një mijë e 222 euro në muaj.

    Po ashtu, Gërvalla nga institucionet gjyqësore gjermane ka pranuar të hyra prej 27 mijë eurosh. Gërvalla në raportimin e pasurisë posedon tokë bujqësore dhe një shtëpi, vlera e të cilave është 120 mijë euro, si dhe një veturë personale në vlerë prej 10 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nën hetime edhe Liza Gashi, zëvendësja e Donika Gërvalla-Schwarz

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka ngritur kallëzim penal edhe kundër Liza Gashit, zëvendësministres së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Kallëzimi penal është pranuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Iu njoftoj se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit me datë 09 shkurt 2022, ka pranuar kallzimin penal kundër Liza Agim Gashi zv. Ministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, konfirmon Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tutje bëhet e ditur se prokurori kompetent rastin në fjalë e ka dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

    “Prokurori kompetent nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, rastin në fjalë më datë 10 shkurt 2022, e ka derguar për trajtim të mëtutjeshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, përfundon përgjigja, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për mosdeklarim të pasurisë hetohet edhe ambasadori Martin Berishaj

    Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria e Shtetit kishte konfimruar se ka pranuar kallëzim penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nga Agjencioni Kundër Korrupsionit, tash Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit kallëzim penal kundër personit me inicialet M.B. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kallëzimin penal e ka dërguar në kompetencë në Prokurori Themelore në Prishtinë”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Insajderi.

    Kallëzimi penal kundër Berishajt kishte ardhur tre muaj pas raportimit të Gazetës Insajderi se ambasadori kosovar në Kroaci ka fshehur së paku dy biznese.

    Pas pyetjeve të Insajderit, më 26 prill të këtij viti, Agjencia kudër Korrupsion i kishte konfirmuar Gazetës Insajderi se kishte nisur një hetim për zyrtarin e lartë, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

    “Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon që ka pranuar këtë informatë në fund të  javës së kaluar dhe e njëjta do të trajtohet sipas ligjit dhe brenda afateve ligjore. Rrjedhimisht, AKK ka inicuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj. Verifikimi administrativ (sipas nevojës edhe hetimi administrativ) që kryhet nga AKK bëhet në formë të pavarur”, kishte thënë në atë kohë për Gazetën Insajderin, Yll Buleshkaj, tash drejtor i APK-së.

    Ky hetim kishte nisur pasi që Gazeta Insajderi publikoi artikullin “Bizneset e ndërmjetësimit të Martin Berishajt në Kosovë që nuk iu përmendën nga Qeveria kur u bë Ambasador”.

    Gazeta Insajderi raportoi se Martin Berishaj, ka të regjistruar edhe në Kosovë një firmë për ndërmjetësim.

    “Ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i firmës “Myloja L.L.C”, pronë e Martin Berishaj. Për ortak në këtë firmë me nga 33 përqind të aksioneve ai ka edhe Janez Bukovnikun  e Anton Eerne. Firma është e regjistruar në vitin 2008 dhe adresën e ka në fshatin Hajvali të Prishtinës.

    Po në Hajvali është e regjistruar edhe firma tjetër “Zaslon Kosova L.L.C”, ku 15 përqind të aksioneve i ka Martin Berishaj.

    Edhe ajo është regjistruar në vitin 2008 dhe si aktivitet i listuar aty përsëri është ‘ndërmjetësimi”. Në këtë firmë Berishaj ka për ortak Benjamin Erazem Pintar.

    As ndaj këtij rasti ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nga organet gjegjëse./Gazeta Insajderi/

    Lexo më shumë rreth rastit të Martin Berishaj:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark