Ditëve të fundit, Muharrem Sahiti ka qenë në qendër të vëmendjes pas njoftimit të Policisë së Kosovës për intervistimin e tij dhe të tre zyrtarëve të tjerë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Policia e Kosovës njoftoi se pas hetimeve të bëra, Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë e kishte sekuestruar një veturë, e cila ishte blerë nga Federata e Futbollit, por që në ndërkohë kishte kaluar në pronësi të Muharrem Sahitit, i cili e mban postin e drejtorit të Kombëtares së Kosovës pranë FFK-së.
Ish-futbollisti i famshëm kosovar, Muharrem Sahiti, tri ditë pas intervistimit nga Policia, ka folur për situatën e kësaj veture që u bë shumë mediatike në vendin tonë.
Drejtori i Kombëtares së Kosovës thotë se veturën në fjalë e mban veç në shfrytëzim dhe se nuk është e tija personale. Ai thotë se ka qenë normale ftesa që ka marrë nga Policia për t’u intervistuar, pasi disa njerëz me pretendime për ta marr në duart e tyre federatën kanë shkuar në Polici dhe ka shpifur.
“Vetura që po përmendet është aset i Federatës, unë e kam në shfrytëzim për aq sa kam kontratë unë me FFK-në. Ka qenë kërkesë e imja që vetura të regjistrohet në emrin tim dhe këtë e kam bërë shkaku i udhëtimeve të shpeshta që i kam jashtë vendit. Kjo është krejt ajo, nuk ka diçka tjetër”, thekson fillimisht Sahiti për Express.
Ish-ndihmës selektori i Kosovës tutje thotë se ndihet plotësisht i pastër dhe tregon se vetura i është kthyer pasi fillimisht ishte sekuestruar nga Policia.
“Rasti është ekzagjeruar. Vetura më është kthyer”, tregoi ai.
Ai ia lë në dorë drejtësisë këtë punë, të cilën thotë se e kanë nisur disa njerëz, kushedi se me çfarë qëllimi, të cilët e kanë paraqitur rastin në polici.
“Janë disa njerëz që kanë shpif për mua dhe për federatën, pasi me gjasë po duan ta marrin në dorë Federatën. Kështu që na ka ftuar Policia për të na pyetur nëse ato janë të vërteta, pra shkaku i shpijeve të individëve të pandërgjegjshëm. Kjo është një mënyrë e ulët dhe aspak burrërore. Federata nuk merret me aso mënyre, por në mënyrë demokratike “, u shpreh Sahiti.
Sahiti, dikur futbollist i njohur dhe trajner, insiston se karriera e tij e pasur dhe personaliteti që e ka, nuk ia lejojnë kurrë që ta bëjë ndonjë veprim të kundërligjshëm, derisa thotë se gjithmonë ka punuar me nder dhe me qëllim të avancimit të futbollit kosovar, të cilin e kishte ndihmuar edhe në kohërat më të vështira.
57-vjeçari njihet si bashkëpunëtor i ngushtë i kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, i cili po mbahet për një muaj në arrest shtëpiak me akuzat për “keqpërdorim të besimit” dhe për “shmangie nga tatimi”.
Në vazhdën e thirrjes për intervistim të zyrtarëve të Federatës së Futbollit, e cila ka përfunduar nën “llupën” e Njësitit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, në këtë fillim-jave u thirr edhe Muharrem Sahiti, së bashku me tre zyrtarë të tjerë të profilit të lartë të FFK-së.