Trajneri i SC Gjilanit, Ismet Munishi, është shumë i kënaqur me punën që ka bërë ai dhe stafi i tij me skuadrën gjilanase në fazën përgatitore e zhvilluar në Antalya të Turqisë, për rreth 15 ditë.
Munishi gjatë kësaj fazë përgatitore ka provuar të gjithë futbollistët dhe ka provuar disa skema të lojës, që do të mundohen t’i praktikojnë edhe në kampionat me synimin e vetëm, fitimin e titullit kampion.
Trajneri prishtinas në një prononcim për “Insportin” është shprehur shumë i kënaqur me punën që futbollistët e Gjilanit kanë bërë dhe ka falënderuar klubin për kushtet e ofruar.
“Në përgjithësi jemi te kënaqur ne Shqipëri dhe Turqi. Kemi punuar shumë jemi përgatitur shumë mirë. Skuadra duket shume mire jemi shume te fortë”.
Gjilani në këtë fazë ka zhvilluar disa ndeshje miqësore edhe me skuadra të mëdha si Gazientep, që luan në elitën e futbollit turk.
“Kemi luajtur në nivel të barabartë me Gaziantep ndërsa me Shahktarin kemi bërë diferencën ndaj tyre. Ne i kemi disa futbollistë bartës të lojës. Konkurrenca është shumë e fortë këtë vit te Gjilani”.
Skuadra e Gjilanit tashmë është rikthyer në Kosovë, dhe ka nisur stërvitjet për sfidën me KF Dukagjinin, që do ta zhvillojë në kuadër të Kupës së Kosovës.
Numri një i bankinës së “skifterave” ka deklaruar se në këtë ndeshje nuk do të lejojnë befasi, për kundër se skuadra nga Klina ka një skuadër të mirë.
“Jemi gati për Dukagjinin. Skuadër e mirë dhe kemi respekt por nuk lejojmë befasi”.
Ndeshja e Kupës së Kosovës ndërmjet Gjilanit dhe Dukagjinit do të zhvillohet të shtunën në stadiumin e qytetit të Gjilanit, me fillim të orës 13:00.
Ndërsa, BTK Superliga e Kosovës do të nis pjesën e dytë të kampionatit në fundjavën e ardhshme. /Insporti.com/