×
  • Lajme
  • Insajderi

    Murtezaj: Në dhjetor merret vendimi final politik për vizat

    Insajderi
    24 October 2022 - 18:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj ka thënë se në dhjetor merret vendimi final politik për vizat e deri atëherë ai thotë se duhet të presim.

    “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, pra ka kohë disa vite dhe nuk ka asnjë arsye që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin pa viza në zonën Shengen. Megjithatë ne po flasim për një situatë në të cilën ndodhemi. Para disa javësh është mbajtur një takim në të cilin nuk ka pasur të merret vendimi final, vendimi final pritet të merret në fillim të dhjetorit dhe në duhet të presim deri në atë moment. Vendet të cilat janë pjesë e Shengenit, të cilat preken nga vendimi i zgjerimit të kësaj zone, natyrisht që e kanë me interes edhe të sigurisë edhe praktike që të përcaktojnë kritere të ndryshme”, tha Murtezaj.

    Pse Franca vazhdon të jetë skeptike për liberalizim të vizave për Kosovën?

    I pyetur se përse Franca vazhdon të jetë skeptike për liberalizim të vizave për Kosovën tash e sa vite, ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj tha se nuk ka qenë vetëm Franca, por edhe vende të tjera. Dhe sipas tij, Franca e ka thënë qartë muajt e fundit se nuk ka vërejtje për këtë proces.

    “Ka qenë droja e cila ka qenë e shprehur bazuar në përvoja me vende të tjera, se disa qytetarë mund ta keqkuptojnë dhe keqpërdorin mundësinë për lëvizur pa viza në vendet e BE-së, dhe pastaj të kërkojnë azil në baza të ndryshme të diskriminimit”, tha ai.

    “Duhet të jemi optimist që fundi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit mund të dëgjojmë një lajm pozitiv së paku kështu është ai disponimi i përgjithshëm. Duhet të presim deri në fund, as mos të ekzaltohemi para kohe e as mos të dëshpërohemi para kohe”, shtoi Murtezaj.

    Murtezaj: Asociacioni në asnjë mënyrë nuk duhet të vishet me kompetenca ekzekutive

    Ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj ka thënë se “asociacioni në asnjë mënyrë nuk duhet të vishet me kompetenca ekzekutive”.

    “Së pari duhet ta pranojmë që nuk është dokument i konfirmuar, sidomos ditëve të fundit edhe Qeveria gjermane ka thënë se ne nuk kemi autorësi në të, por siç duket ka qenë një dokument më i vjetër që ka qarkulluar. Dokumenti i tillë nuk është përfundimtar – ishte një version në zhvillim e sipër, kishte disa elemente pozitive, por në përgjithësi meqenëse është i pakryer ishte dokument i papranueshëm. Çfarë është e rëndësishme për ne të themi është që çfarë do lloj statute i asociacionit në të ardhmen, duhet të mbështetet në disa elemente, dhe ato janë: Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligji për ratifikimin e marrëveshjes së vitit 2013, dokumenti i parimeve, vendimi i Gjykatës Kushtetues i vitit 2015 etj. Duhet pasur parasysh se asociacioni nuk duhet të vishet me kompetenca ekzekutive – nuk i duhet askujt një shtet jofunksionale”, tha Murtezaj.

    Murtezaj: Çdo marrëveshje pa njohje nuk është përfundimtare

    Ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj ka thënë se çdo marrëveshje pa njohje nuk është përfundimtare.

    “Siç ka thënë Escobar dhe siç e kam kuptuar, – nuk kemi folur shumë për afatet kohore dhe në fakt kjo e dyta është më realiste sepse është e vështirë të flasim për një marrëveshje të madhe e cila do të mund të arrihej në këtë klimë të pabesimit, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me Serbinë. Në fund, esenca është të arrihet një marrëveshje e mirë – ajo që siguron paqen afatgjatë, që siguron anëtarësimin e dy vendeve në BE dhe ajo që quhet normalizim i marrëdhënieve në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Normalizimi është njohja reciproke, mund të ketë ndonjë marrëveshje, por marrëveshje pa njohje nuk është normalizimin as nuk quhet marrëveshje definitive e as përfundimtare”, tha Murtezaj.

    Murtezaj: Pala serbe vazhdimisht është treguar e pabesueshme

    Ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj ka thënë se “pala serbe vazhdimisht është treguar e pabesueshme”

    “Është e vështirë të përgjigjemi në pyetje të këtilla sepse në radhë të parë nuk ka kërkuar askush dhe nuk mund askush të kërkojë që të heqësh dorë nga identiteti që është shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, sidomos nga vendet të cilat e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Problemi vazhdimisht ka qenë në destruktivitetin e Qeverisë së Serbisë dhe fokusi i angazhimit ndërkombëtar duhet të jetë në atë kahje, pra drejt Serbisë dhe sidomos kur kemi parasysh që pala serbe është treguar vazhdimisht e pabesueshme”, tha Murtezaj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark