×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa: Fitorja e LDK-së më 14 shkurt është fitore e demokracisë dhe refuzim i autoritarizmit

    Insajderi
    04 February 2021 - 11:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës  (LDK), Isa Mustafa, tha të mërkurën në hapje të fushatës së kësaj partie, se do të bëhet gabim i pariparueshëm nëse lejohet që në Kosovën e vitit 2021, të fitojë mendësia e diktatit dhe pushtetit absolut gjë që do të eksperimentonte më të arriturat tona shtet-formuese dhe demokratike.  

    “Me votën e lirë më 14 shkurt, duke i besuar LDK-së dhe numrit 132, ju qytetarët e Kosovës, këtu dhe në diasporë, do të përcaktoheni për rrugën e integrimit, do të refuzoni përpjekjet për instalimin e pushtetit autoritar në zemër të Evropës”, tha Mustafa. 

    Sipas tij, oponentët politikë të LDK-së, janë në gjendje që për pushtet ta djegin shtetin, ta rrënojnë rendin juridik dhe të linçojnë çdonjërin që nuk u nënshtrohet dhe nuk mendon si ata.  

    “Ne nuk e duam krejt pushtetin, ashtu siç po kërkojnë rivalët tanë. Duam demokraci dhe ndarje të pushteteve. Duam forcimin e shtetit të Kosovës, të një shteti që nuk ndahet, nuk pjesëtohet dhe nuk bashkohet. Integrohemi vetëm në Bashkimin Evropian. Jemi miq me të tjerët, por miqësia me SHBA-të është e veçantë. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka respektuar vullnetin tuaj në zgjedhjet e kaluara për të bërë koalicion me Vetëvendosjen. Por, për 50 ditë qeverisje u provua, se ata, jo vetëm që nuk janë të aftë për ta qeverisur shtetin, por janë të gatshëm të dezertojnë nga përgjegjësia karshi qytetarëve dhe karshi partnerëve tanë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës cenohet në themel nga prishja e marrëdhënieve me partnerët tanë euroatlantikë”, tha kreu i LDK-së. 

    Ai foli edhe për kalimin e Vjosa Osmanit në listën e Vetëvendosjes. 

    “Fatkeqësisht kësaj valleje të dëmtimit të interesave të Kosovës ju bashkua edhe ish kandidatja jonë për kryeministre në zgjedhjet e fundit. Ajo u bë kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes me votat e LDK-së, i mori të gjitha privilegjet dhe e tradhtoi besimin tonë dhe tuajin. E kuptoj dhe e miratoj nevojën e përhershme për ndryshime, për avansim të njerëzve të rinj, për mendje të re, për jetë demokratike.  Por ulja në prehrin e një partie ekstreme të majtë kundërshtare e LDK-së, nuk është ndryshim, është kapitullim politik, njerëzor dhe etik”, tha Mustafa.  

    Kreu i LDK-së i falënderoi të gjitha strukturat dhe anëtarësinë që kanë refuzuar të bëhen pjesë e një projekti të paramenduar për dëmtimin e LDK-së sepse tha ai, duke penguar dëmtimin e qëllimshëm të LDK-së, ju keni penguar përpjekjet për dëmtimin e Kosovës. 

    Mustafa u shpreh  bindur se LDK do të vazhdoj të qeverisë me Kosovën edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit pasi ka kandidatin më të mirë për kryeministër dhe listën për deputetë me vlera të veçanta. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark