×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa krenohet me djemtë e tij që fituan tenderë nga shteti

    Insajderi
    07 February 2017 - 21:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e cilëson sulm të ulët e personal çështjen e tenderit të fituar nga salloni për servisimin e automobilëve “Makcar”, e cila udhëhiqet nga djemtë e Mustafës, Besniku e Arbeni.

    Për kryeministrin, dhënia e tenderit të servisimit të veturës “BMW X5” nga Agjencia Kosovare e Intelegjencës për kompaninë që drejtohet nga djemtë e tij, është vetëm “një sulm personal” ndaj tij.

    “Janë sulme personale për të cilat nuk i kam dhënë të drejtë as vetes t’i komentoj sepse konsideroj që janë te parëndësishme dhe të ulëta. Nëse ligji i rregullon ndryshe atëherë drejtësia duhet t’i trajtojë ato”, ka thënë Mustafa në emision Rubikon të KTV-së.

    Mustafa tha se procesi gjyqësor i ka humbur rininë djalit të tij, duke vërtetuar pafajësinë e tij shtatë vite më vonë.

    Tutje Mustafa tha se krenohet me punën që bëjnë djemtë e tij.

    Një institucion që ka varësi nga kryeministri Isa Mustafa, dyshohet se kishte kurdisur një tender për djemtë e tij, Besikun dhe Arbenin. Bëhet fjalë për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, që ia kishte dhënë tenderin kompanisë, “Makcar”, në pronësi të djemve të Mustafës, për riparimin e një veturë të blinduar BMW X5.

    Kompania e udhëhequr nga djali i tij, Besniku, në tetor të vitit 2015 kishte fituar tenderin e parë për riparimin e veturës BMW X5.

    Kjo veturë pas anulimit të tenderit nga Zyra e Kryeministrit, i është dhënë në shfrytëzim Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, një institucion në vartësi të kryeministrit Mustafa.

    Insajderi ka zbuluar se shteti sërish kishte kontraktuar kompaninë e djemve të kryeministrit për riparimin e kësaj veture. Por, kontraktimi për herën e dytë ishte bërë me çmim shumëfish më të lartë, tregojnë dokumentet që ka siguruar Insajderi.

    Kontraktimi për herën e dytë ishte bërë pikërisht më 28 tetor 2015, kur kryeministri Isa Mustafa kishte kumtuar publikisht lajmin për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ku kishte thënë se “nga kjo do të përfitojnë Kosova dhe qytetarët e saj”.

    Por, Insajderi ka zbuluar se përfitues në këtë datë ishin djemtë e tij, nëpërmjet një tenderi të dyshimtë të AKI-së.

    Ky institucion ia ka dhënë tenderin kompanisë për defektin e njëjtë të veturës së njëjtë, por me çmim katërfish më të lartë. Të gjitha palet e përfshira në këtë marrëdhënie të dyshimtë korruptive kanë heshtur.

    Disa muaj pas anulimit të tenderit të ZKM-së me kërkesë të vetë kryeministrit Mustafa, tenderi për riparimin e ndërruesit të shpejtësive për të njëjtën veturë të blinduar BMW X5 i është dhënë firmës së djemve të tij nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

    Herën e parë çmimi i tenderit të shpallur nga Zyra e kryeministrit, ishte 2 mijë e 946 euro. Herën e dytë, ka arritur në 12,133.37 euro. Pos katërfishimit të çmimit për të njëjtin defekt, të të njëjtës veturë, sipas Auditorit të Brendshëm të AKI-së, tenderi është dhënë në mënyrë të paligjshme.

    Nuk ishin pranuar tri oferta siç parashihet me Ligjin për prokurim publik dhe se kompania “Makcar”, sipas auditorit në kohën e marrjes së tenderit nuk ishte e autorizuar nga BMW-ja për të kryer riparime. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark