×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Muxhahidi i ISIS-it, grabitësi që tmerroi e viktimën e falsifikatori i parave – historia me gjykata e grupit të arrestuar në Ferizaj

    Insajderi
    02 March 2023 - 17:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një pjesëtarë i ISIS-it. Një i dënuar për grabitje, e me ç‘rast viktima mbeti me pasoja aq sa të mos mund të vinte as për të dëshmuar në gjykatë. Një falsifikator parash me një dosje të madhe. Insajderi sjell detaje nga e kaluara kriminale e të dyshuarve që u arrestuan në Ferizaj

    Gazeta Insajderi

    Marsin e këtij viti Prokuroria Themelore e Ferizajt e nisi në ndjekje të një grupi që po dyshohen për një seri grabitjesh të armatosura. grupi i shkatërruar nga ana e Policisë së Kosovës dyshohet se pati së paku pesë anëtarë, deri tash. Katër u prangosën e i pesti është në arrati.

    Për katër që janë tashmë në dorën e autoriteteve të zbatimit të ligjit, Xhemrush Salija nga Duraj, Shkëlqim Roshaj nga Mollopolci, Muxhahid Brava nga Kaçaniku dhe Fatlind Gashani nga Ferizaj nga Gjykata në Ferizaj është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

    Veton Esati, sipas njoftimeve publike, ende është në arrati.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit duke vepruar si grup i përbashkët, kanë kryer grabitje të armatosura në pika të ndryshme të karburanteve në lokacione të ndryshme si dhe në zyrat e KEDS në Shtime.

    Për sistemin e  drejtësisë në vend, disa prej të dyshuarve tashmë nën masën e arrestit, nuk janë as emra të rinj e as të panjohur për vepra penale që nisin prej grabitjeve, falsifikimit të parave e deri te terrorizimi.

    Pjesëtari i ISIS-it anëtarë e bandës së grabitjeve

    Në mesin e të arrestuarve në grupin e të dyshuarve për grabitje të armatosura në regjionin e Ferizajt është edhe Muxhahid Brava, i lindur në vitin 1988 në komunën e Hanit të Elezit.

    Në regjistrat e Gjykatës ai figuron edhe për një vepër tjetër penale: atë të terrorizmit.

    Në një orar të seancave gjyqësore të marsit të vitit 2016, që kishte rrjedhur në publik, për rastin “PKR.263/15” ishte shkruar “Muxhahid Brava etj”, vepra “ISIS”, lënda me paraburgim- marrje në pyetje.

    Në publik del që emri i tij shfaqet qysh në qershor të vitit 2015 kur ishte ngritën aktakuzat e para kundër kosovarëve që u ishin bashkuar organizatave terroriste në Irak e Siri, si ISIS e Al-Nusra.

    Në aktakuzën e ngritur më 7 maj 2015, nga Prokurori Blerim Isufaj, kundër 11 personave, i dhjeti me radhë është Muxhahid Brava.

    “Me qëllim për të iu bashkangjitur grupit terrorist ISIS në Siri, i pandehuri Muxhahid së bashku me të pandehurit Hajrush Lajç dhe Zijadin Berishën më datën 14.01.2014 , përmes aeroportit të Prishtinës ka udhëtuar në Stamboll, Turqi, pastaj ka vazhduar në qytetin Hatai në kufirin turko-sirian, e ku në mënyrë ilegale ka hyrë në Siri e me ç ‘rast i është bashkangjitur organizatës terroriste të lartcekur që vepron atje”, thuhet në aktakuzë.

    Aty bëhet me dije se këta tre kosovarë fillimisht kishin kryer stërvitje fizike dhe me armë në qytetin Iblin në Siri, stërvitje 20 ditor, dhe Prokuroria pretendonte se pastaj Muxhahedin Brava i ishte bashkuar luftimeve. Në mars të vitit 2014 ishte kthyer në Kosovë.

    Gjykata e Apelit në qershor të vitit 2017 kishte bërë të ditur se e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të marrë më 29 prill 2016, me të cilin ishin dënuar nëntë të akuzuarit për terrorizëm Hafiz Ahmeti, Naser Avdyli, Ibrahim Reshiti, Albert Berisha, Enis Begolli, Skënder Syla, Hajdin Elezi, Hajrush Lajçi, dhe Muxhahid Brava, si dhe dy të akuzuarit për armëmbajtje pa leje Samedin Halimi dhe Latif Lika.

    Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Naser Avdyli dhe Hajdin Elezi ishin dënuar me nga 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa Ibrahim Reshiti dhe Enis Begolli me nga 4 vite burg.

    I akuzuari tjetër, Albert Berisha ishte dënuar me nga 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa Hajrush Lajçi, Skënder Syla, Muxhahid Brava dhe Hafiz Ahmet ishin dënuar me nga 3 vite burgim.

    Lideri i grupit që u dënua për grabitjen ku kishte lënë me pasoja mendore viktimën

    Sipas burimeve të Isajderit brenda Prokurorisë në Ferizaj, lider i grupit që u arrestua më 1 mars 2023 është Xhemrush Salija.

    As emri i këtij të dyshuari nuk është i ri brenda sistemit të drejtësisë.

    Në shkurt të vitit 2018 Gjyjata të Ferizaj për veprën penale të grabitjes kishte dënuar Xhemrush Salijan me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim efektiv si dhe 2500 euro gjobë.

    Xhemrush Salija, sipas akuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohej se më 22 dhjetor 2015, në Ferizaj, së bashku me vëllain e tij Dashnim Salija, i cili gjendet në arrati dhe një person të panjohur, me përdorimin e forcës dhe nën kërcënimin e armëve, kishte hyrë në shtëpinë e Afrim Sahitit me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të tij.

    Të njëjtit, të maskuar me shalle, kapela si dhe dorëza në duar fillimisht kishin trokitur në derën e shtëpisë, kurse i dëmtuari Gentrit Sahiti, i cili kishte qenë vetëm në shtëpi e kishte hapur derën e hyrjes me ç’rast të pandehurit e kanë kapur duke e ngrehur zvarrë, e pastaj kanë filluar të kërkojnë paratë e babit të tij, i cili ishte pronar i një ndërmarrje për këmbimin e valutave.

    Xhemrush Salija, në bashkëkryerje me dy të tjerët, pastaj me forcë dhe duke i drejtuar revolet e kanë dërguar të dëmtuarin në dhomat e shtëpisë për të kërkuar të hollat, ku kishin gjetur 2300 euro si dhe stoli ari në vlerë rreth 1400 euro.

    Tutje, sipas aktakuzës, të njëjtit pasi nuk kishin arritur të gjejnë para të tjera, i kanë lidhur të dëmtuarit Gentrit duart dhe këmbët për karrige me një ngjitës të plastikës dhe pastaj janë larguar nga shtëpia me veturën e tyre, të cilën e kishin marrë me qira. Mirëpo, gjithnjë sipas aktakuzës, një fqinj i të dëmtuarit i kishte vërejtur ata dhe pasi ka marrë shënimet e targave të veturës ka njoftuar policinë, të cilët më pas u janë vënë në ndjekje të pandehurve, por  të njëjtit kishin arritur të ikin në drejtim të panjohur, kurse veturën e kishin lënë në fshatin Janjevë.

    Tani i dënuari Salija, në asnjë fazë të procedurës nuk kishte pranuar fajësinë për veprat penale që i ngarkoheshin, ku edhe gjatë mbrojtjes së tij, është deklaruar se nuk ka të bëjë fare me këtë rast.

    Ndërkaq, lidhur me këtë rast, i dëmtuari Gentrit Sahiti, përveç deklaratave të dhëna në procedurë paraprake, nuk ishte siguruar në asnjë shqyrtim gjyqësor, për të paraqitur dëshminë e tij.

    Arsyetimi që ai dha ishte: për shkak të rastit që ka ndodhur nuk është në gjendje të mirë psikike dhe nuk mund ta paraqes dëshminë.

    Grabitje të tjera e futje në qarkullim e parave të falsifikuara

    Grupi i personave të arrestuar së fundi të dyshuar për një seri grabitjesh në regjionin e Ferizajt përbëhet nga Xhemrush Salija nga Duraj, Shkelqim Roshaj nga Mollopolci, Muxhahid Brava nga Kaçaniku dhe Fatlind Gashani nga Ferizaj nga Gjykata në Ferizaj, derisa Veton Esati, sipas njoftimeve publike, ende është në arrati.

    Në prill të vitit 2018 në Gjykatën e Apelit ishte mbajtur një seancë ku mbrojtja kërkonte dënime më të buta për dy të dënuar për grabitje: Shkëlqim Roshaj dhe Besart Gashit.

    Gjykata Themelore në Ferizaj, në janar të atij viti, të akuzuarit Roshaj dhe Gashi, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “grabitje” në bashkëkryerje. Roshaj po ashtu ishte shpallur fajtor edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

    Për të dy veprat, Roshaj, nga gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim dhe 1500 euro gjobë, kurse Gashi për veprën penale të grabitjes ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim dhe 1000 euro gjobë.

    Duke u thirrur në këto rrethana, avokati Abdullahu, i propozoi kolegjit të Apelit, që ndaj të mbrojturit të tij, të shqiptohet një dënim më i butë, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.

    Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ka bërë edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, e cila kolegjit të Apelit, i ka propozuar që dënimet ndaj të akuzuarve të rriten, pasi siç thuhet në ankesën e saj, shkalla e parë nuk ka vlerësuar siç duhet rrethana rënduese për të akuzuarit.

    Së bashku me Roshajn dhe Gashin, në aktakuzë kishte qenë i përfshirë edhe i akuzuari Agim Gashi, mirëpo i njëjti në shqyrtimin fillestar të mbajtur për këtë rast, nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale të grabitjes”. Me këtë rast, ndaj tij ishte veçuar procedura penale, dhe nuk dihet në publik se si është vendosur për të tutje.

    Sipas aktakuzës, Shkëlqim Roshaj dhe Besart Gashi, më 14 dhjetor 2017, rreth orës 02:30, në kazinonë “Matrix”, në Shtime, me anë të kanosjes serioze, për ta sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, dhe me qëllim që t’i sjellin vetes dobi pasurore të kundërligjshme, kanë kryer veprën penale “grabitje” në bashkëkryerje.

    Veprën penale, të njëjtit, akuzoheshin se e kanë kryer në atë mënyrë që paraprakisht kishin bërë planin për kryerjen e veprës penale, ndërsa pas marrjes së udhëzimeve dhe veturën nga i pandehuri Agim Gashi, të maskuar dhe me revole, kishin hyrë në kazino, duke i drejtuar armën të dëmtuarit Aqif Ademaj.

    Tutje, në aktakuzë thuhet që të pandehurit, nën kërcënimin e armës i kishin kërkuar të dëmtuarit që të shtrihet në tokë, ku i pandehuri Besart e ka goditur me grushte në fytyrë  e më pas nga arka kanë marrë 5904 euro, kurse të dëmtuarin e kishin mbyllur në depo të kazinosë.

    Pika 2 e aktakuzës, ngarkonte të pandehurin Shkëlqim Roshaj se nga data e pavërtetuar deri më 14 dhjetor 2017, kishte mbajtur në posedim pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët, dy pistoleta të kalibrit 7.65 mm, një karikator dhe 7 copë fishekë, e të cilat armë janë përdorur me rastin e grabitjes.

    I pandehuri i tretë në këtë rast Agim Gashi, akuzohej se u ka ndihmuar të pandehurve Roshaj dhe Gashi, në kryerjen e veprës penale të grabitjes, në kazinon “Matrix”, në Shtime.

    20 euro të falsifikuara-si i shpërndante ato Veton Esati në arrati

    Edhe Veton Esati, tashmë në arrati, është emër që ka kaluar disa herë nëpër duar të prokurorëve e gjyqtarëve. Në maj të vitit 2017  Veton Esati dhe Korab Imeri, u dënuan me nga gjashtë muaj burgim, pasi janë shpallur fajtorë për veprën penale “falsifikim parash”.

    Veton Esati

    Sipas aktakuzës, Veton Esati dhe Korab Imeri, akuzoheshin se kishin prodhuar një sasi të parave me vlerë të 20 eurove, në mënyrë të kundërligjshme me qëllim të shpërndarjes së tyre.

    Paratë e tilla të akuzuarit i kishin bërë me anë të skanerit. Në këtë mënyrë me 4 prill 2016 në Komunën e Malishevës, Veton Esati së bashku me babanë e tij, Fevzi Esati, kishin shkuar për të dërguar Mirjeta Ibrahimin, tek doktori dhe me këtë rast kanë hyrë në barnatore për të blerë barna me paratë e falsifikuara. Në këtë mënyrë, ata kanë kryer veprën penale “falsifikim i parasë”, thuhej në aktakuzë.

    Sipas një aktakuze për Veton Esatin të ngritur nga prokuroria në Ferizaj, ai në nëntor të vitit 2016 rreth orës 16:30 në marketin “Dardania Center”, në Ferizaj kishte vënë në qarkullim kartëmonedhën në vlerë prej 20 eurosh, edhe pse kishte qenë në dijeni se e njëjta është e falsifikuar.

    Për këtë rast ai e pati pranuar fajësinë.

    Të bëmat e tij përmenden edhe në disa raste të tjera, ku sipas Prokurorisë së Ferizajt, Veton Esati dhe Korab Imeri më 26 nëntor 2016, në furrën e bukës “Qerimi” në rrugën “Epopeja e Jezercit”, të Komunës së Ferizajt, i akuzuari Veton Esati, kishte prodhuar paranë e falsifikuar dhe së bashku me të akuzuarin tjetër, Korab Imeri, në bashkëkryerje dhe me marrëveshje kishin vënë në qarkullim paranë e falsifikuar me vlerë prej 20 euro, me numër serik CA1638224469.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Veton Esati kishte hyrë në furrën e bukës “Qerimi” dhe kishte blerë tre kifle dhe katër bukë me paratë e falsifikuar të cilën ia kishte dhënë të dëmtuarit-shitësit Qerim Bega dhe po i njëjti i ka kthyer kusurin në vlerë prej 18.40 euro.

    Gjithashtu, këta të dy po akuzohen se më 24 janar 2017, rreth orës 00:30, në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, përballë restorant “Evropa 92”, në bashkëkryerje kanë përgatitur për prodhim edhe 60 bankënota të tjera me vlerë prej 20 euro të gjitha me numër serik XA5133347577, me qëllim që t’i vënë në qarkullim.

    Këto para, sipas aktakuzës, ishin gjetur gjatë një kontrolli nga njësia e trafikut në Ferizaj, ku edhe ishin konfiskuar mjetet për prodhimin e tyre, pasi që vetura “BMW”, me ngjyrë të zezë ishte gjetur e braktisur, meqë të njëjtit nuk ishin ndalë menjëherë.

    Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Veton Esati, më 19 dhjetor 2016, rreth orës 23:35, në fshatin Firaj, Komuna e Shtërpcës, saktësisht në pompën e derivateve “Mendi Petrol”, me dashje kishte prodhuar  dhe vënë në qarkullim paranë e falsifikuar dhe atë bankënotën prej 20 euro me nr.serik RB3134351057, me të cilën kishte blerë dy pako cigare te e dëmtuara “Mendi Petrol”, duke e dëmtuar në vlerën prej 20 euro.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark