×
Zgjedhjet 2021

Ndahen 600 milionë euro për ujitjen e tokave bujqësore – nis me Pejën, Vushtrrinë dhe Vitinë

Insajderi
11 February 2021 - 15:38
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministri në detyrë i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi dhe rehabilitimi i sistemeve të ujitjes në Kosovë”, me kryetarin e Komunës së Pejës, Vitisë dhe Vushtrrisë.

Mustafa tha se projekti për Master planin për ujitjen e tokave bujqësore është në vlerë 600 milionë euro dhe do të zbatohet në 10 – 12 vjetët e ardhshme për të futur nën ujitje edhe 70 mijë hektarë tokë bujqësore në tërë vendin.

Mustafa tha se në ditët e ardhshme do të fillojnë nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit edhe me komunat e tjera në vend.

“Një master plan që ka filluar në kohën kur kryeministri aktual Avdullah Hoti ishte ministër i Financave, një marrëveshje bashkë me Bankën Botërore, ku parashihen të investohen 600 milionë euro në dhjetë dymbëdhjetë vitet e ardhshme për të ngritur sipërfaqen e tokave nën ujitje nga 20 mijë hektarët aktual në 90 mijë hektarë, pra 70 mijë hektarë më shumë toka nën ujitje në 10-12 vitet e ardhshme që i jep për herë të parë në këto 40 vitet e fundit zgjidhje në nivel vendi problemit dhe sfidës të sistemit të ujitjes”, tha Mustafa.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri këtë marrëveshje e ka cilësuar si mjaft të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë.

“Më mbetet ta përgëzoj ministrin Mustafa për iniciativën që ka marrë dhe që po e nënshkruajmë këtë marrëveshje të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe tokave tona”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa zhvillimin e bujqësisë.

“Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa atë të bujqësisë. Ndërsa bujqësia nuk mund të zhvillohet ën Kosovë pa shfrytëzimin e resurseve. Ministri Mustafa guximshëm e ka filluar, në fakt edhe me vazhduar dhe me përfunduar si immediate për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe zhvillimin e potencialit kryesor të bujqësisë”, tha Haliti.

Edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka falënderuar ministrin në detyrë Mustafa dhe kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti që po i zgjasin dorën për mbështetje fermerëve dhe bujqve në këtë kohë.

“Rehabilitimi i sistemit të ujitjes-Vushtrria ka një sipërfaqe të madhe nën sistemin e ujitjes së Ibër Lepencit, ndërkohë që në këtë fazë do të rehabilitohet komplet ky sistem, pastaj për t’u zgjeruar edhe më tepër hapësirat e tokës bujqësore. Dyfishimi i subvencioneve për bujqit në këtë kohë pandemie vërtet ka ndihmuar bujqit e komunës së Vushtrrisë që rrisin prodhimin e tyre. Ndërsa, ky projekt tash për ujitje do të vazhdojë të përkrah edhe rritjen e prodhimit vendor dhe punësimit”, tha ai.

Projektin për Master planin e ujitjes së tokave bujqësore që është shpalosur ditë më parë, e ka mbështetur Banka Botërore e që pritet ta mbështesin edhe banka të tjera financiare ndërkombëtare. /KP/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark