×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Ndodhemi në prag të luftës, marrëveshja për targat s’do të thotë evitim i saj”

    Insajderi
    20 November 2022 - 14:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kanë mbetur edhe pak orë që nga përfundimi i fazës së qortimit për serbët që lëvizin me automjete me targa ilegale dhe nisjes së zbatimit të fazës së dytë e cila parasheh gjobë prej 150 euro për ata që nuk kanë regjistruar automjetet në RKS.

    Kryeministri Kurti është nisur për në Bruksel ku pritet të ndodh takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Edhe pse mbajtja e takimit u konfirmua të premten, momenti i saktë i takimit nuk u caktua, pasi gjithçka varej nga disponueshmëria e palëve dhe aspektet logjistike.

    Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nis zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë.

    Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve.

    Lexo edhe:

    Më 18 nëntor zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një takim për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.

    “Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi – që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen”, ka thënë Stano, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Kosova gjendet në prag të luftës, pasi që Serbia nuk po dorëzohet para kërkesave të perëndimit.

    “Ndodhemi në prag lufte… Situata është e tillë që Serbia nuk po dorëzohet pranë kërkesave të perëndimit, po tenton që të ngelë një oazë në krejt Evropën e cila vazhdimisht vazhdon ta bëjë politikën e vet shekullore në mes të lindjes dhe perëndimit, përkatësisht Rusisë dhe perëndimit, dhe jo të jetë nën kontrollin e plotë të perëndimit me çka perëndimi veç ka arritur me kriju kufijtë e ri, prej Finlandës e Suedisë e deri në shtetet e Ballkanit perëndimor, Turqi, Gjeorgji etj, tashmë është drejt fitores edhe në Ukrainë”, ka thënë Spahiu për Kosova Press.

    Ai ka bërë të ditur se me hatër o me dhunë Serbia, do të futet nën orbitën e perëndimit, ku Kosova do të shërbejë si karem në të dyja rastet.

    “Serbia o me hatër o me dhunë do të futet në orbitën e perëndimit dhe Kosova këtu është karem në të dyja rastet. Me hatër, përmes marrëveshjeve politike, nënshkrimet, njohjes së Kosovës dhe raportet tjera që kanë të bëjnë lindje perëndim, ose përmes luftës ku Kosova sërish do të shërbejë si një karem, incidentet në veri do të shpeshtohen, do të joshet intervenimi i Serbisë në Kosovë dhe më pas NATO të intervenojë mbi Beogradin… Ajo (intervenimi ushtarak i Serbisë në Kosovë) mund të joshet tani sepse narativi që po krijohet se Albin Kurti nuk është duke i dëgjuar amerikanët, mund të shërbejë si një karem, dhe t’i thonë Serbisë se as ju as Albin Kurti nuk po dëshironi ta arrini marrëveshje paqësore, atëherë zgjidhni hesapet mes vete. Dhe në këtë vazhdë Serbia mund të joshet dhe të fillojë telashet nga të cilat pastaj në një moment të caktuar NATO do të fillojë intervenimin në Beograd”, tha tutje ai.

    Spahiu që ishte profesor në disa universitete, duke përfshirë edhe universitetin e Hamburgut, theksoi se marrëveshja e mundshme për targat nuk nënkupton evitimin e luftës, që do të thotë se nëse sot ose nesër gjatë takimit Kurti-Vuçiq arrihet një marrëveshje, kjo veçse do ta prolongojë çështjen.

    “Nëse sot nënshkruhet një marrëveshje për tarat kjo mund ta shtyjë prapë këtë problematikë, mirëpo një marrëveshje për targat nuk do të thotë evitim i luftës”, sqaroi politologu Spahiu”.

    Ndryshe, që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

    Faza e parë e planit për targa përfshiu qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Sipas këtij plani, më 21 nëntor nis faza e dytë e cila parasheh gjoba prej 150 euro, për të gjithë vozitësit e makinave me targa ilegale serbe. Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

    Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 nëntori. Shumica e serbëve në veri kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

    Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e këtyre komunave. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpall 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve në këto komuna të banuara me shumicë serbe.

    Por, derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, Lista Serbe ka thënë se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.

    Partitë opozitare, ndërkohë, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje.

    Serbët në veri ishin bërë pjesë e institucioneve të Kosovës pas marrëveshjes së parë që kanë arritur dy vendet për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2013.

    Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e dy palëve mbeten larg./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark