Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituese Ndermarrjen Tregtare Grafike Blendi O.P. për tenderin e furnizimit me foto zyrtare për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). E njëjta kompani edhe muajin e kaluar u shpërblye me dy tendere nga pushteti.
Gazeta Insajderi
“Kompani të tilla do ta kenë gjithmonë mbështetjen tonë“, kështu kishte deklaruar Kurti në një vizitë në shtypshkronjën Blendi. Biznesi në fjalë është furnizues, i lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje që ia ka pa ‘hajrin’ pushtetit të tyre, shkruan Insajderi.
Në vitet e fundit ka fituar dhjetëra tenderë, ndërsa vetëm gjatë muajit të kaluar është shpërblyer dy herë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes i kanë dhënë kontrata të reja.
Mëgjithatë, pa fituar kontratë nuk mbeti as këtë muaj. Ishte sërish Ministria e Mbrojtjes që i dha tender për “Furnizim me foto zyrtare për nevojat e MM-së dhe FSK-së”.
“AK i MM, ka për qellim qe të lidhe një kontratë me një OE, qe do të ketë kapacitet të kryej Furnizim me foto zyrtare per nevojat e MM-se dhe FSK-se furnizimet duhet të behen sipas specifikimit teknik te kërkuar të përcaktuar në dosjen e tenderit me qellim të ngritjes se operacionalitetit dhe efikasitetit ne kryerjen e detyrave sipas misionit të FSK MM-së“, thuhej në njoftimin për kontratë.
Njoftimi për dhënien e kontratës është bërë dje 29.08.2025.
Ndërsa shuma që do fitoj kompania “Blendi” është 14 mijë e 300 euro.

Kujtojmë se Minsitria e Mbrojtjes, me 23.07.2025, i kishte dhënë edhe një tender për “Shërbimet dhe furnizim me mbuloja (tenda) dhe kamuflazhë per sisteme të armatimit dhe automjete per nevojat e FSK-së”.
Sipas njoftimi të publikuar në e-prokurim , kontratën prej 27 mijë euro e kishte fituar Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P.
Lidhja e Ndërmarrjes Tregtare Grafike Blendi me pushtetin
Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi” O.P. është një nga kompanitë që ka fituar vazhdimisht tenderë nga institucionet nën drejtimin e Vetëvendosjes.
Në nëntor të vitit 2024, Zyra e Kryeministrit i dha kësaj kompanie një kontratë në vlerë prej 11,390 eurosh për furnizime me materiale zyrtare. Pak muaj më parë, e njëjta zyrë i kishte dhënë një tjetër kontratë në vlerë prej 47,000 eurosh.
Kompania “Blendi” është edhe ndër bizneset e rralla që u vizitua nga kryeministri Kurti.
Ai madje i kishte dedikuar edhe një postim promovues duke thënë “kompani të tilla do ta kenë gjithmonë mbështetjen tonë“.
“Japin shembull se si në Kosovë mund të përfitosh me punë”, thotë Kurti në videon e publikuar në vitin 2023.


Kjo kompani është furnizues i lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas, raportit Vjetor Financiar të publikuar në KQZ, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023, Vetëvendosje nga kompania “Blendi” ka blerë mallra në vlerë prej 6120 euro.
Në raportin e vitit 2022, te kompania e njëjtë, Vetëvendosje ka blerë mall në vlerë prej 6,300.32 euro.

Sipas formularit “Lista e donacioneve të Subjekteve Politike për zgjedhjet lokale të vitit 2021”, po ashtu del se nga kjo kompani ishin blerë shërbime.
“Shtypja e materialeve reklamuese”. Kështu quhet shërbimi që Vetëvendosje e kishte blerë nga NTG “Blendi” në vlerë prej 10, 015.26 euro.
“Blendi” mohon ndikimin e mundshëm
Gazeta Insajderi, kishte pyetur edhe kompaninë që po fiton tenderët se a ka ndikuar mbështetja për VV-së që të marrin tendere.
Të njëjtit mohuan një gjë të tillë duke thënë se për dy tenderët që fituan muajin e kaluar kanë ofertuar me çmimin më të ulët.
“Ju njoftojmë se për të dy tenderët e përmendur, kompania jonë është shpallur fituese pasi kemi ofruar çmimin më të ulët dhe kemi plotësuar të gjitha kriteret. Procesi ka qenë tërësisht i bazuar në rregullat e prokurimit dhe nuk ka pasur asnjë ndikim të jashtëm.
“Kompania jonë operon që nga viti 1990 dhe është gjithmonë e hapur për bashkëpunim me të gjithë klientët potencialë, në bazë të kërkesave dhe kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve profesionale”, thuhej në përgjigje.
“Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P”, si aktivitet primar e ka “Aktivitetet e tjera botuese”, ndërsa sekondar “Shtypje të tjera”./insajderi.org/