Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve me inicialet T.B , A.J , A.K dhe V.D për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Grabitja”, “Vjedhja e rëndë” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale Grabitja”.
Insajderi merr vesh se bëhet fjalë për Trim Belegun dhe Alban Jahën.
Ata dyshohen se duke vepruar si bashkëkryerës, më 28 janar 2026 në qytetin e Pejës, dyshohen se me përdorimin e një mjeti të rrezikshëm dhe nën kanosje serioze ndaj punonjëses së një pike të transferimit të parave, kanë përvetësuar shumën prej 1,040 euro, duke kryer veprën penale “Grabitja”.
Po ashtu, aktakuza ngarkon të pandehurit Trim Belegun dhe Alban Jahën se më 21 dhjetor 2025, po në Pejë, duke vepruar si bashkëkryerës dhe nën përdorimin e një mjeti të rrezikshëm, kanë grabitur shumën prej 620 euro nga një barnatore, duke kryer veprën penale “Grabitja”.
Ndërkaq, i pandehuri Trim Belegu akuzohet edhe për veprën penale “Vjedhja e rëndë”, pasi më 27 janar 2026 dyshohet se fillimisht kishte tentuar të depërtojë me forcë në një barnatore, ndërsa më pas kishte depërtuar në një lokal tjetër, nga ku kishte marrë para dhe një telefon mobil, duke shkaktuar edhe dëme materiale.
Sipas aktakuzës, e pandehura V.D dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të grabitjes së 28 janarit 2026, duke u premtuar të pandehurve se do t’i fshehte pas kryerjes së veprës penale dhe më pas duke i transportuar me automjet në lokacione të ndryshme, deri në momentin kur ata janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që, pas administrimit të provave dhe zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë.
Grabitësit “rekordmenë” të Pejës, të dyshuar për 432 vepra penale
Trim Belegu rezulton i përfshirë në 303 raste penale.
Ndërkaq, Alban Jahaj rezulton si i involvuar në përreth 134 raste.
Kujtojmë se dyshja u arrestua pas një aksioni policor në bjeshkët e Pejës dhe Istogut, ku ishin fshehur për t’i shpëtuar kërkimit për grabitjen e 1,000 eurove në një pikë të “Western Union” dhe disa bizneseve të tjera.