×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    “Next Adventure Kosova”- një mundësi e mirë për turizëm malor në territorin e Istogut dhe Pejës

    Insajderi
    09 August 2017 - 19:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Next Adventure Kosova” është një organizatë turistike alpiniste, e themeluar si një projekt i ri, që ka për qëllim zhvillimin e turizmit alternativ malor në territorin e Istogut dhe të Pejës.

    Kjo organizatë ofron shërbime në organizimin e aktiviteteve turistike, si: Organizimi i shëtitjeve, ngjitjeve, çiklizëm malor dhe kamping. Ajo i ka filluar aktivitetet e para në territorin e Pejës dhe Istogut.

    Si aktivitet i parë ka qenë shënjimi i shtigjeve në Komunën e Istogut, përkatësisht në ato pika që kanë pasur nevojë për intervenim. Ndërsa, organizmi i parë, i realizuar me sukses, ka qenë ecja (hiking) në Liqenat të Rugovës, ku të rinjtë nga vende të ndryshme të Kosovës i janë bashkuar këtij organizimi.

    “Next Adventure Kosova” është mbështetur nga “CBC Innovation Hub”, në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, që quhet “Zhvillimi i inovacionit dhe ndërmarrësisë në rajonin ndërkufitar të Kosovës dhe Malit të Zi, programi CBC Kosovë-Mali i Zi”, i  implementuar nga “STIKK” dhe “Syri i Vizionit” në fushën e turizmit në Komunën e Istogut.

    Ndër aktivitetet që ka zhvilluar kjo organizatë janë hiking në Hajle të Rugovës (lartësi mbidetare 2403 m) dhe pjesë të ndryshme të Bjeshkëve të Rugovës, që shquhen për bukuri të rrallë natyrore. Pastaj, ka marrë pjesë në aktivitetin turistik malor, të zhvilluar në fshatrat e zonës kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës, konkretisht në zonën mes Hajlës dhe Çakorrit.

    Ndërsa, aktiviteti i fundit ka qenë ai në Bjeshkët e Istogut (04-05. 08.2017), ku Kampingu me tenda  është vendosur në Lugun e Butë (1500 m), ndërsa Hikingu në Çorovodë (1650 m). Vlen të ceket se këtë aktivitet e ka mbështetur biznese istogase, sikurse kompania “Sinalco” e “Jusaprint”, si dhe organizata “Shtëpia e Inovacionit”.

    “Next Adventure Kosova” është një mundësi e mirë për njohjen e pjesëve ndër më të veçanta të Kosovës, si dhe për zhvillimin e turizmit malor, si një nga mënyrat e zhvillimit dhe promovimit të bukurive natyrore të vendit tonë, konkretisht të maleve të Istogut dhe Pejës. Këto vende shquhen për bukuri natyrore që ia vlen të vizitohen dhe të eksplorohen.

    Kordinator i organizatës alpiniste “Next Adventure Kosova” është Kastriot G. Rugova

     

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark