Qyteti i ‘dashurisë’ duket se ka eklipsuar atë që dikur ishte një nga lojtarët më të mirë në botë. Kështu mendon Thomas Meunier.
Futbollisti i Borussia Dortmundit, i cili për tre sezone ka veshur fanelën e PSG-së dhe ka qenë shok skuadre me Neymar, ka deklaruar në një intervistë për gazetën gjermane ‘Kicker’, se ‘Ney’ nuk është i njëjti dhe “e ka humbur magjinë e tij në Paris”.
Mbrojtësi i djathtë i Borussia Dortmund e deklaroi veten gjithashtu një tifoz të sulmuesit brazilian gjatë kohës kur ai ishte te Barcelona dhe mendon se ai kurrë nuk tregoi versionin e tij më të mire, që kur u largua nga katalanasit për në Francë në 2017.
“Më duhet të pranoj se isha një tifoz i madh i Neymar, kur ai ende luante për Barcelonën. Nëse do të kisha qenë 10 vjeç, do ta kisha pasur posterin e tij në dhomën time,”- rrëfen ai.
Meunier foli edhe për largimin e tij nga klubi francez në vitin 2020. “Në Paris, drejtori sportiv i asaj kohe, Leonardo, më largoi, pasi nuk donte ta rinovonte kontratën time. Gjithçka ndodhi pa mua,”- është shprehur ish-mbrojtësi i PSG-së.