Neymar Junior nuk do të marrë pjesë në Kupën e Amerikës 2024, që do të zhvillohet në qershor dhe korrik në Shtetet e Bashkuara, për shkak të dëmtimit të rëndë të pësuar në tetor. Këtë e ka bërë të ditur mjeku i kombëtares braziliane.
Syperylli u dëmtua gjatë humbjes 2-0 kundër Uruguait në Montevideo, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ai u transportua me barelë mes lotësh dhe iu nënshtrua një operacioni në nëntor, pasi kishte këputur ligamentin e kryqëzuar dhe meniskun e gjurit të majtë.
Duhen të paktën nëntë muaj rehabilitim për t’u rikthyer pas një dëmtimi të tillë, ka shpjeguar mjeku brazilian, Rodrigo Lasmar, duke përjashtuar mundësinë që Neymar të marrë pjesë nga data 20 qershor deri më 14 korrik në kompeticionin që bashkon dhjetë kombet e Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (Conmebol) dhe gjashtë të Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Karaibeve (Concacaf).