×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Ngritja e aktakuzës për uzurpimin e pronës së IBK-së në Stankaj – vjen reagimi i ministrit Peci

    Insajderi
    28 December 2023 - 21:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Pejës për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme të Institutit për Hulumtime Bujqësore (IBK) në Stankaj të Pejës.

    Ministri Peci ka thënë për Ekonomia Online se ngritja e aktakuzës për uzurpim të pronës në Stankaj, është një tregues pozitiv se mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë po lëvizin në drejtimin e duhur.

    “Dikasteri të cilin udhëheq vazhdimisht ka alarmuar institucionet kompetente mbi ndërtimet e paligjshme dhe uzurpimin e pronave të Ministrisë, respektivisht të IBK-së. Duke pritur që të zbatohet në tërësi edhe vendimi për lirimin e pronave të uzurpuara, inkurajojmë të vazhdohet tutje me zbatimin e ligjit dhe drejtësisë”, ka thënë Peci.

    “Ka qenë një e vërtetë e hidhur se dikur individë të fuqishëm kanë qëndruar mbi drejtësinë. Kjo tani i përket së kaluarës”, ka theksuar kreu i MBPZhR-së

    “Përshëndes veprimin e ndërmarrë të organeve të drejtësisë si dhe i siguroj që MBPZHR dhe unë si ministër do jemi në shërbim të zbatimit të ligjit dhe vendosjes së drejtësisë”.

    Prokuroria e Pejës të mërkurën ka ngritur aktakuzë ndaj Mujo Kurtajt për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme të Institutit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, raportoi Kallxo.com

    Sipas dosjes së Prokurorisë, në zonën e quajtur Jashanicë janë identifikuar 41 parcela që janë pronë e Institutit për Hulumtime Bujqësore nga të cilat 6 janë uzurpuar dhe janë ndërtuar 25 objekte. Një prej këtyre parcelave pretendohet se është uzurpuar nga i akuzuari Kurtaj.

    Sipas Prokurorisë, prona e paluajtshme në një fshat të Pejës është uzurpuar që nga viti 2016 nga i akuzuari, i cili aty ka ndërtuar shtëpi.

    Kurtaj i ka mohuar akuzat. Gjatë intervistimit nga Prokuroria, në gusht 2023, Kurtaj kishte deklaruar se shtëpia është pronë e familjes së tij, të cilën e kishin blerë shumë dekada më parë nga Zhukë Haxhija, të cilit shteti jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore ia kishte konfiskuar pronat si armik i shtetit.

    Supas tij, shtëpinë e ka ndërtuar babai i tij në vitin 2016-2017 dhe nga ai e kishte trashëguar.

    Veprimet e përshkruara në aktakuzë Prokuroria i ka kualifikuar si vepra penale – uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark