×
  • Lajme
  • Lajme

    Një ikje e kryeministrit dhe shumë debat për asgjë

    Insajderi
    02 October 2017 - 23:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Ramush Haradinaj nuk dëgjoi më shumë se gjysmë ore deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe më pas doli në foltore. Nga aty ai nuk u mor me deputetët por në vend të kësaj vendosi të mbajë një leksion mbi punën.

    “Unë ju ftoj që të rrini dhe t’i fusim punës, unë po vazhdoj punën, ditën e mirë”, tha Haradinaj teksa luti kabinetin e tij të ministrave ta lëshojnë sallën e Kuvendit. Kështu edhe ndodhi. Por pas kësaj, Kuvendi nuk u ndalë. Diskutoi për më shumë se 6 orë, me disa pauza.

    E temat që deputetët i folën gjatë kësaj maratone parlamentare ishin të llojllojshme. Prej akuzave të zakonshme për “kapje shteti” e deri tek ato të pazakontat që ndërlidhen me inate personale mes të zgjedhurve.

    Në fakt, seanca e jashtëzakonshme e së hënës, ishte thirrur për të diskutuar mbi  parimet e plan-programit të Qeverisë Haradinaj.

    Lojërat politike që opozita dhe pozita kishin luajtur në ditën kur u votua Qeveria kanë shërbyer si arsyetime të të dy palëve nëse debati duhet apo jo të vazhdojë.

    Në seancën kur Haradinaj mori besimin për të udhëhequr me Qeverinë e Kosovës, me një shumicë modeste të votave të deputetëve, Vetëvendosje dhe partitë opozitare kishin kërkuar që Qeveria të votohej menjëherë pa debat. Arsyeja: Lista Serbe nuk ishte në Kuvend. Ata ishin duke u kthyer nga Beogradi ku kishin shkuar të konsultohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Pa Listën Serbe, Haradinaj nuk mund të zgjidhej kryeministër.

    Kërkesa e VV-së që mos të ketë debat por të shkohet direkt në votim të Qeverisë, si tentim që ta dështojë votimin e Qeverisë, nuk kishte dhënë efekt. Kuvendi priti 2 orë Listën Serbe. Qeveria Haradinaj ishte votuar.

    E kur Qeveria ishte votuar VV hoqi dorë nga mocioni. Tha se kërkesën e tillë e kishin bërë për të treguar se “Qeveria e re e Kosovës është në duart e Serbisë”.

    Por partitë e shumicës, vendosën të luajnë lojën tjetër. Po atë seancë, pas votimit të Qeverisë, kërkuan që të mos ketë debat. Qysh atëherë, kërkesa e partive opozitare që të diskutohet për programin e Qeverisë u shndërrua në një temë që nuk qoi askund për nga debati parlamentar.

    Kjo u vazhdua edhe të hënën, kur Kuvendi i mblodh për këtë arsye. Megjithatë në këtë seancë, është diskutuar më së paku për plan-programin e qeverisë së formuar muajin e kaluar.

    Me të filluar seanca, deputetët si të pozitës por edhe të opozitës, u morën me të tjera tema.

    Kur kryeministri doli në foltoren e Kuvendit, nuk paraqiti plan-program qeverisës. Tha se opozita nuk ka dashur ta dëgjojë atë kur ka qenë koha. Me këtë pohim, u pajtuan të gjithë partitë në koalicionin qeverisës, PDK, AAK, NISMA, AKR dhe partitë e pakicave.

    Haradinaj tha se ishte ai që ka kërkuar debat, në ditën kur pritej të zgjidhej kryeministër, por kanë qenë deputetët e opozitës ata që kanë kundërshtuar debatin.

    “Unë kam kërkuar debat, por ju e keni kundërshtuar atë ditë, atëherë ju lus që të keni konsideratë sa i përket kësaj teme, jeni duke bërë hajgare, vazhdoni me hajgare”, tha kryeministri i cili më pas sqaroi raportin e tij me Listën Serbe, për çka po akuzohet nga opozita si një kryeministër i varur nga politika në Beograd. Haradinaj mohoi këto akuza.

    “Nuk ka marrëveshje tjetër përveç bashkëpunimit. E vetmja marrëveshje është që të punojnë në qito përgjegjësi që i kanë marrë”, tha Haradinaj.

    Por debati nuk vazhdoi me Listën Serbe. Në sy ranë replikat mes deputetëve por edhe një e kryetarit të Kuvendit të Kosovës me deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj. Veseli i cili ishte duke dalë nga seanca, për të vazhduar me fushatën elektorale të zgjedhjeve komunale, u rikthye në foltore pasi dëgjoi fjalimin e Selmanajt që akuzoi PDK-në për korrupsion dhe shumë gjëra të tjera.

    Selmanaj u akuzua nga kreu i PDK-së se është një “mashtrues dhe manipulues i shoqërisë civile që ka zbarkuar së fundmi në politikë” teksa vet Selmanaj tha se “ka qenë pikërisht Veseli ai që e ka detyruar atë të japë dorëheqje nga drejtimi i KDI-së”, një organizatë të cilën ai e ka drejtuar dhe që ka pasur për detyrë të monitorojë punën e legjislaturës së kaluar.

    Por këto replika mes Veselit dhe Selmanajt nuk ishte kryesorja për nga aspekti i debatit të ashpër. Veseli pati edhe një replikë të ashpër me Glauk Konjufcën e VV-së.

    Në seancë, u rikthye edhe deputeti Milaim Zeka, i cili para tri dite u përfshi në një skandal të përleshjes me deputetin e VV-së, Frashër Krasniqi, në një studio televizive. Zeka zbrazi inatin e tij ndaj VV-së edhe në Kuvend. Lëshoi akuzat e tij tashmë të njohura, se ka dosje që inkriminojnë shumë figura të partisë. Në fund kur ai nisi të degradojë gjuhën e tij, iu ndal mikrofoni.

    Pas kësaj, deputetë të shumtë pozitës dhe opozitës shfrytëzuan të drejtën e tyre për të akuzuar kundërshtarët por nuk thanë asgjë që lidhet direkt me përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

    Në vend të kësaj, ata akuzuan njëri-tjetrin, mbrojtën shefat e tyre, lavdëruan punën e Qeverisë, e akuzuan atë për mos punë e deri tek skenat qesharake të cilat i krijuan pas orës së 4-të të seancës e cila u mbyll pa asnjë efekt, të cilin Kuvendi i Kosovës është i obliguar ta ketë kur mblidhet për të diskutuar e debatuar.

    Një seancë tjetër e Kuvendit, do të mbahet nesër. Tema do të jetë ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, i cili u akuzua nga banorë të Prishtinës se i ka torturuar ata, i veshur me uniformë të paramilitarëve serb. Ministri ka mohuar akuzat, e kryeministri i tij, Ramush Haradinaj, ka thënë për mediat se ai është i pastër. Kësisoj, as seanca e nesërme nuk pritet të tejkalojë nivelin e seancës së sotme të Kuvendit./Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark