Në vitin 2006 kompania britanike “Lydian Internacional” ia kishte mësyrë Kosovës për të kryer investime milionëshe në sektorin minerar. Ajo është në Kosovë që 12 vjet duke kryer hulumtime për rezerva minerare në Podujevë, por pasi i kreu hulumtimet institucionet në Kosovë ia pezulluan punën, duke e zvarritur me vite nëpër procese gjyqësore.
Kompania britanike “Kosovo Metal Group” është duke përgatitur lëndë ndaj shtetit të Kosovës në Arbitrazh me një pretendim prej 100 milionë eurosh.
Kompani e specializuar për shpime të thella në hulumtimin e rezervave minerare, “Lydian” aso kohe në Kosovë e përfaqësuar nën emrin “Kosovo Resource Company”, e cila kishte fituar licencë nga Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM) për të kryer hulumtime në Drazhnje në komunën e Podujevës, shkruan “Zëri”.
Nga viti 2006 deri në vitin 2011, nga hulumtimet e kryera, kompania konstatoi në Drazhnje 7 milionë tonë rezerva minerare dhe kreu për këtë periudhë 10 milionë euro investime.
Këto investime kompania i kishte kryer në bashkëpunim me institucione financiare ndërkombëtare përmes kredive, siç është Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Botërore (BB).
Por, pasi i konstatoi rezervat dhe kur kompania aplikoi në Komisionin për Miniera dhe Minerale për licencë të shfrytëzimit dhe eksploatimit të rezervave minerare të hulumtuara, institucionet në Kosovë filluan ta pengojnë punën e saj.
Gazeta “Zëri” ka siguruar të gjithë dokumentacionin për këtë rast, i cili rrezikon ta dëmtojë buxhetin e Kosovës deri në 100 milionë euro në Gjykatën e Arbitrazhit.