×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Një kontratë në Prokurori; mbi 4 milionë euro për punë shtesë: Çka gjeti Auditori në kontratat e ministrisë së Liburn Aliut?

    Insajderi
    14 May 2023 - 14:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zyra Kombëtare e Auditim (ZKA) ka publikuar të gjeturat nga auditimi i 13 kontratave me vlerë mbi 4 milionë euro të nënshkruar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që udhëhiqet nga ministri, Liburn Aliu.

    Gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimi janë tregojnë së pëdorimi i procedurës të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ka shkaktuar kosto shtesë edhe për 4.3 milionë euro, raporton Nacionale.

    Ministria e Aliut ishte cilësuar kampione e nënshkrimi të kontratave me procedurë të negociuar. Vetëm gjatë viti 2021, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte kontraktuar 6 milionë euro për 26 kontrata aneks, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

    Mirëpo, Zyra Kombëtare e Audimit ka audituar vetëm 13 kontrata më vlerë mbi 4 milionë euro dhe jo 26 sa ishin nënshkruar në tërësi.

    Këto kontrata kanë të bëjnë me ndërtimin e disa rrugëve në Kosovë.

    “Ministria nuk ka menaxhuar si duhet kontratat, Ministria nuk ka hartuar si duhet specifikimet teknike në kontratën bazë, Ministria nuk kishte zhvilluar si duhet procedurat e prokurimit” – janë gjetjet e ZKA-së të cilat janë shpjeguar në konkluzionet.

    Ndërkaq, në konkluzionet e ZKA-së, thuhet se “Ministria kishte paguar më shumë se 829,000 euro për disa nga projektet e saj për shkak të ri-projektimit pas kontraktimit.”

    “Ministria nuk ka arritur vlerën për para, së paku në njërin nga 13 projektet e ndërtimit të rrugëve që kemi audituar. Kjo kishte ndodhur për shkak se Ministria nuk i kishte marrë të gjitha veprimet për t’u siguruar se projektet e saj janë në përputhje me nevojat në terren. Për pasojë Ministria kishte ndryshuar projektin, ndryshim që i kishte kushtuar Ministrisë mbi 829,000 mijë euro.” – thuhet në konkluzionet e ZKA-së.

    Më tej, gjetjet tregojnë se Ministria e Infrastrukturës do të duhej të shmangte procedurën e negociuar pasi e kishte ditur se “katër nga 13 kontratat aneks nuk mbulonin plotësisht kostot e projekteve”.

    “Vlera e kontratave aneks arrin mbi 5.7 milionë euro vetëm për vitin 2021. Në katër prej 13 kontratave që ne kemi audituar, kontrata aneks nuk mjaftonte për të mbuluar të gjitha kostot e projektit kështu që gjasat janë se Ministria do të duhet të lidh kontrata tjera për të përfunduar projektet që i ka nisur. Kostot e përllogaritur deri tani, vetëm për tri projekte, përveç kostove të kontraktuara, kap vlerën afër 4,3 milion euro. Këtu duhet theksuar se jo të gjitha punëve shtesë, që janë identifikuar si të nevojshme, iu është përllogaritur vlera financiare. Vlera e parashikuar për njërin nga këto projekte (Auto-udha A7.1) është një milion euro, që tanimë është tenderuar. Për projektin Dollc-Gjakovë vlera e përllogaritur është mbi 640,000 euro dhe për projektin Deçan-Kufiri me Malin e Zi vlera e përllogaritur arrin mbi 2.6 milion euro, bazuar në çmimet e kontratës aktuale.” – thuhet në raportin e ZKA-së.

    Ndërkaq, Ministria është dashur të paguaj edhe mbi 4 milionë euro për shkak “se nuk i kishte hartuar si duhet specifikimet teknike (para-masën) në kontratën bazë, pra nuk kishte siguruar shqyrtime adekuate gjeo-mekanike dhe matje gjeodezike për projektet/kontratat e saj për ndërtim të rrugëve”

    Ministria pavarësisht kontratave aneks do të duhet të paguaj edhe 4.3 milionë euro shtesë për katër projekte që punët nuk do të përfundohen as me kontratat e para.

    “Ky ndryshim ka rezultuar me kosto shtesë (kontrata aneks) në vlerë mbi 4 milion euro për të gjitha projektet e audituara, ndërsa katër prej tyre nuk pritet të përfundohen as me kontrata aneks kështu që kosto shtesë, përveç kostove tanimë të kontraktuara, pritet të jetë afër 4,3 milion euro. Këto ndryshime e kanë obliguar Ministrinë që të ndajë fonde shtesë, mbi vlerën e lejuar prej 10%sipas LPP, për procedura të reja të prokurimit (të hapura).” – thuhet në raport.

    Tutje, gjetjet tregojnë që Ministria e Infrastrukturës ka caktuar staf që mund të çojë në konflikt interesi.

    “Caktimi i stafit në komisione për punë shtesë nga DMRr-ja mund të paraqesë konflikt interesi për shkak se të njëjtit janë edhe menaxher të kontratave në projekte tjera. Rrjedhimisht vlerësimi i kërkesave për punë shtesë mund të rezultojë jo adekuat ose i anshëm ose jo i qëndrueshëm.” – thuhet tutje në raport.

    Më tej, ky raport gjen që një kontratë është duke u hetuar nga Prokuroria dhe për këtë arsye ZKA-ja s’ka mundur që ta auditojë.

    “Fillimisht në mostër kemi përfshirë 14 projekte, mirëpo gjatë ekzekutimit kemi kuptuar se njëri prej tyre ishte subjekt i hetimeve nga prokuroria e shtetit, rrjedhimisht e kemi larguar nga fushëveprimi. Kjo për arsye se dokumentet që neve na nevojiteshin për t’iu përgjigjur pyetjeve të auditimit, ishin në prokurori.” – kanë bërë të ditur ZKA.

    Kujtojmë, se Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu më 2021 kishte thënë se kontrata nuk ishin nënshkruar me procedurë të negociuar, por vetëm për punë shtesë.

    Mirëpo, gjetjet e ZKA-së tregojnë që të gjitha kontratat janë kontraktuar me procedur të negociuar.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark