×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Një muaj nga afera 2 milionëshe – shteti ende s’e ka kthyer asnjë cent në Thesar

    Insajderi
    19 November 2020 - 19:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Edhe rreth një muaj pas vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga Thesari, shteti ende nuk ka arritur ta kthej asnjë cent në buxhetin e dëmtuar.

    Njomza Salihi

    Të premten e 9 tetorit, në ora 12:41, ishin ekzekutuar mbi 2 milionë euro, në mënyrë ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K., me bazë në Llapushnik të Drenasit.

    E gjithë ngjarja kishte ndodhur për vetëm tetë minuta, sipas dosjes së Prokurorisë së Shtetit.

    Nga Thesari tek kompania pronë e Valon dhe Kadri Shalës ishin kryer katër transaksione: 330 mijë euro; 375 mijë euro; 622 mijë euro; 750 mijë euro, dhe më pas ishin transferuar në disa xhirollogari të tjera. Kadriu është në paraburgim, ndërsa Valoni vazhdon të mbetet në arrati.

    Pagesat ishin kryer nga i dyshuari kryesor, Labinot Gruda, i cili është në paraburgim.

    Një muaj pas ngjarjes, Insajderi, e ka pyetur drejtorin e Thesarit, Ahmet Ismaili, se sa para ka arritur t’i kthej shteti në Thesar, por as ai, dhe as zyra për shtyp nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

    Rreth kësaj çështjeje, gazeta ka çuar pyetje më 12, dhe 18 nëntor, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Kështu Ministria e Financave, në të cilin funksionin Departamenti i Thesarit, ka lënë të nënkuptohet se aty ende nuk është kthyer asnjë cent, nga 2 milionë sa ishin vjedhur.

    Bllokohen llogaritë bankare të përfituesve nga vjedhja e 2 milionë eurove

    Ndonëse paratë nuk janë kthyer, Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka vendosur Urdhër Ndalues ndaj llogarive në të cilat kanë shkuar paratë e Thesarit të Shtetit.

    Gjykata ka vendosur që për 30 ditë [nga 26 tetor deri më 25 nëntor] të ngrijë shumicën e të gjitha xhirollogarive në të cilat janë shpërndarë paratë nga “LDA Group”.

    Gazeta Insajderi ka siguruar vendimin në të cilin thuhet se urdhri vlen për bankat në të cilat kompanitë kanë pasur xhirollogari. Dokumenti dëshmon se deri tash janë bllokuar 22 xhirollogari.

    Sipas të njëjtit dokument në Raiffaisen Bank janë bllokuar llogaritë e N.T.P. Air Tours, Drilon I. Kastrati B.L., Haliti-Beton SHPK, NTPSH Haliti; Haliti Beton SHPK; Unit Trade; Kastrati Bau; Kreativ SHPK; N.T.P Xeni-I.

    Derisa në ProCredit Bank janë bllokuar këto llogari: Fati E SHPK; Al Metal Sadria SHPK; DPT Xeni Plast; Multi Business Group; gap SHPK.

    Në bankën NLB është bllokuar xhirollogaria e Klubit Futbollistik “Llapushniku”.

    Në Bankën Kombëtare Tregtare është bllokuar dy lloagari të Besim Hotit, një lloagari e Shpejtim Rexhaj BI; ajo e EuroAbi SHPK dhe ajo e Uni Trade.

    Komunikimet interne të Ministrisë së Infrastrukturës zbulojnë se si u zhduken paratë

    Gazeta Insajderi pati raportuar mbi korrespodencat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës që zbulojnë rrjedhën e zhdukjes së 2 milionë eurove.

    Zyrtari Kryesor i Financave, sipas e-maila-ve të siguruara nga Gazeta Insajderi, e kishte njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës për katër transaksionet e bëra.

    Ai përmes e-mail-it zyrtar, i ka informuar në detaje zyrtarët tjerë të ministrisë, për rrjedhën e skandalit 2 milionësh.

    I njëjti, ka treguar se “LDA Group” SH.P.K., nuk është klient i Ministrisë së Infrastrukturës, dhe ka zbardhur faktin se nga cilët user janë kryer transaksionet e mijëra eurove.

    Ky i fundit, zyrtari me emrin Fadil Fazliu që nga muaji janar i këtij viti është transferuar në Njësinë e Patentë Shoferëve në Mitrovicë. I njëjti në Ministrinë e Infrastrukturës, ka mbajtur pozitën e zyrtarit certifikues.

    Që nga janari kur ai ka nisur punën në Mitrovicë, user-i i tij, prej të cilit do të duhej të certifikoheshin pagesat nuk është bllokuar edhe pas nëntë muajsh.

    Vjedhja e 2 milionë eurove – ministrat e LDK-së hedhin fajin tek njëri-tjetri

    Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pati thënë se Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Arban Abrashi, nuk e ka njoftuar dikasterin e saj për bllokimin e disa user-ëve, prej nga kanë rrjedhur 2 milionë eurot.

    “MI në momentin kur një zyrtar i tyre largohet nga puna e ka për obligimi që brenda ditës me njoftu Thesarin që me ja mbyllë qasjen, dhe kjo nuk ka ndodh nga Ministria e Infrastrukturës”, ka thënë mbrëmë Hykmete Bajrami në Pressing, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ministria e Infrastrukturës në këtë rast ZKA, zyrtari kryesor i Financave, në këtë rast edhe sekretari Permanent është dashur ta njoftojë Ministrinë e Financave, që ky zyrtar më nuk është aty. Apsulutisht kjo është dashur me ndodh brenda ditës”.

    Ndaj këtyre akuzave nuk ka marrë përgjegjësi bashkëpartiaku i Bajramit, dhe kreu i MI-së, Arban Abrashi.

    “Është proces që nuk është në dorën të ministrisë. Çështja e userave dhe certifikimi i tyre shkon përmes Thesarit, sa e di unë. Është diçka që duhet të hetohet”, ka thënë Abrashi në një konferencë për media, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ajo çka kam pyet unë, tash po flas se pse nuk ka ndodh kjo është se nëpër ministri zakonisht është praktikë se i mbajnë 1 ose 2 zyrtarë certifikues në staf, në rast se dikush shkon në pushim e përdorim si alternativë”, ka thënë Abrashi.

    Përgjegjësi nuk ka marrë as Sekretari i Përhershëm i MI-së, Izedin Bytyçi.

    “Kjo çështje do të hetohet, pse zyrtarët përgjegjës nuk i kanë ndërmarrë veprimet e veta. Kanë me dhanë përgjegjësi”, ka thënë Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyçi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pavarësisht akuzave të drejtuara ndaj Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, s’e ka marrë asnjë masë për të implikuarit në aferën e 2 milionëshit.

    Së paku deri sot, rreth një muaj pas vjedhjes së Thesarit të Shtetit, Abrashi s’ka publikuar asnjë masë apo vendim për vartësit e tij, të përfshirë në njërin nga skandalet më të mëdha.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga ministri i LDK-së dhe dikasteri që ai udhëheqë nëse kjo gjë ka ndodh, por as ai, dhe as zyra për shtyp nuk kanë kthyer asnjë përgjigje./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark