×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Skandali 2 milionësh – hesht ministri Abrashi, s’e merr asnjë masë për të implikuarit në aferë

    Insajderi
    10 November 2020 - 14:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Njomza Salihi

    Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, s’e ka marrë asnjë masë për të implikuarit në aferën e 2 milionëshit.

    Së paku deri sot, tri javë pas vjedhjes së Thesarit të Shtetit, Abrashi  s’ka publikuar asnjë masë apo vendim për vartësit e tij, të përfshirë në njërin nga skandalet më të mëdha.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga ministri i LDK-së dhe dikasteri që ai udhëheqë nëse kjo gjë ka ndodh, por as ai, dhe as zyra për shtyp nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

    Dy milionë e 77 mijë euro në mënyrë ilegale ishin transferuar më 9 tetor, nga Thesari Shtetit në llogarinë e kompanisë private “LDA Group” SH.P.K, pronë e Valon dhe Kadri Shalës, e cila bazën e ka në fshatin Llapushnik të Drenasit.

    Nga Thesari tek kompania ishin kryer katër transaksione: 330 mijë euro; 375 mijë euro; 622 mijë euro; 750 mijë euro.

    Pagesat nga i dyshuari kryesor, Labinot Gruda, i cili është në paraburgim, ishin certifikuar përmes user-it të zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës.

    Zyrtari me emrin Fadil Fazliu që nga muaji janar i këtij viti ishte transferuar në Njësinë e Patentë Shoferëve në Mitrovicë. I njëjti në Ministrinë e Infrastrukturës, pati mbajtur pozitën e zyrtarit certifikues.

    Që nga janari kur ai ka nisur punën në Mitrovicë, user-i i tij, prej të cilit ishin certifikoheshin pagesat nuk ishte bllokuar, ndonëse kishin kaluar nëntë muaj.

    Bashkëpartiakja e Abrashit, Hykmete Bajrami, e cila udhëheqë financat e vendit, fajin për të gjithë këtë proces ia ka lënë Ministrisë së Infrastrukturës. Ajo tha se dikasteri i Abrashit s’e ka njoftuar për rastin.

    “MI në momentin kur një zyrtar i tyre largohet nga puna e ka për obligimi që brenda ditës me njoftu Thesarin që me ja mbyllë qasjen, dhe kjo nuk ka ndodh nga Ministria e Infrastrukturës”, ka thënë Hykmete Bajrami në Pressing, shkruan Gazeta Insajderi.

    E njëjta ka treguar edhe kush është dashur ta njoftojë për rastin.

    “Ministria e Infrastrukturës në këtë rast ZKA, zyrtari kryesor i Financave, në këtë rast edhe sekretari Permanent [v.j. Izedin Bytyçi] është dashur ta njoftojë Ministrinë e Financave, që ky zyrtar më nuk është aty. Apsulutisht kjo është dashur me ndodh brenda ditës”, ka thënë Bajrami, shkruan Gazeta Insajderi.

    Bytyçi as nuk e ka njoftuar Ministrinë e Financave, por as nuk e ka marrë përgjegjësinë për rastin pas akuzave që kanë shkuar në drejtim të tij.

    “Kjo çështje do të hetohet, pse zyrtarët përgjegjës nuk i kanë ndërmarrë veprimet e veta. Kanë me dhanë përgjegjësi”, ka thënë Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyçi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndaj të njëjtit ende nuk ka marrë masa shefi i tij, Arban Abrashi. Madje ky i fundit as nuk ka marrë përgjegjësi për rastin.

    “Është proces që nuk është në dorën të ministrisë. Çështja e userave dhe certifikimi i tyre shkon përmes Thesarit, sa e di unë. Është diçka që duhet të hetohet”, ka thënë Abrashi në një konferencë për media, shkruan Gazeta Insajderi./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark