×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Njeriu i Agim Veliut për të cilin Vetëvendosje bëri kallëzim penal, shpërblehet me dy pozita nga Shpejtim Bulliqi

Insajderi
25 April 2022 - 15:43
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Ahmet Ahmeti, njëriu i afërt me Agim Veliun, dikur ishte zyrtari i komunës së Podujevës që ua zinte “rrugën” degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet. Ata madje kishin dorëzuar edhe kallëzim penal për rastin e tij, pasi pretendonin se Veliu duke e mbajtur në punë kishte dëmtuar buxhetin me afro 10 mijë euro. Por katër vjet pas kësaj, Shpejtim Bulliqi e shpërblen Ahmetin me dy pozita të rëndësishme në komunën e Podujevës. Gazeta Insajderi sjell dokumentet

Në shtator të vitit 2018, dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujeve, kishin dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, kallëzim penal ndaj Agim Veliut për rastin e zyrtarit Ahmet Ahmetit që në atë kohë mbante pozitën e shefit të personelit në Komunën e Podujevës.

Përmes këtij kallëzimi penal VV-së pretendonte se Veliu si kryetar e ka mbajtur në punë Ahmet Ahmetin, si udhëheqës i personelit me status të punësimit – nëpunës civil i karrierës.

Ahmeti që njihej si njeri i afërt me ish-kryetarin e komunës Agim Veliun, sipas Vetëvendosjes nuk ka zbatuar ligjin për shërbimin Civil dhe rregulloren për procedura disiplinore me ç`rast ka dëmtuar buxhetin e komunës në shumën prej 9.580 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

Krejt këto sipas kallëzimit penal të VV-së, i kishte kryer gjatë periudhës 2015-2018. Bile në këtë kallëzim penal Vetëvendosje ia kishte bashkangjitur si prova materiale edhe dy dokumente të rëndësishme sipas tyre.

Një kallëzim penal të viti 2015 dhe një aktgjykim të vitit 2018 që sipas tyre gjykata e kishte dënuar Ahmetin.

Në kallëzim po ashtu thuhet se ”i padituri në cilësinë e drejtuesit të drejtpërdrejtë të të akuzuarit nuk ka vepruar sipas obligimit ligjor që për shkelje të rënda- serioze, në rast hetimi për vepër penale duhet t’i shqiptohet pezullimi parandalues, konform nenit, paragrafit dhe nënparagrafit të cekur ku thuhet “ pezullimi parandalues me pagesë deri tre muaj në pritje të mijë hetimi i cili duhet të propozohet nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë dhe të miratohet nga organi përgjegjës të personelit në institucion” që në rastin konkret i padituri ka qenë i obliguar edhe nga statusi i zyrtarit kryesor administrative t’a pezullojë vartësin e vet”, thuhej në kallëzimin penal të VV-së.

Por, katër vjet pas kësaj ka pasur zhvillime të rëndësishme mes Vetëvendosjes dhe këtij zyrtari të afërt me Agim Veliun.

Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes e fiton mandatin e dytë si kryetar i Podujevës dhe njëriun të cilin bënë kallëzim penal e shpërblen me dy pozita të rëndësishme, shkruan Gazeta Insajderi.

Bulliqi vendosi që Ahmet Ahmetin ta emëroj udhëheqës të sektorit për inspektime në Drejtorinë e Inspeksionit, si dhe zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale në komunë.

Gazeta Insajderi, ka siguruar dy vendimet që ka marrë Bulliqi me 21 dhe 25 mars të këtij viti.

Në faqen e Facebook-ut të Komunës së Podujevës ende janë publike postimet ku Ahmet Ahmeti bënte aktivitete si shef personeli, në kohën kur komunën e drejtonte Agim Veliu.

Javën e kaluar Gazeta Insajderi po ashtu raportoi se si kur u ndanë fonde nga Komuna që drejtohet nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes përfitoi edhe i biri i Agim Veliut.

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Podujevës ka publikuar listën e përfitueseve të subvencioneve në Sport për vitin 2022, ku në mesin e përfituesve ishte edhe djali i ish-kryetarit të Podujevës, Agim Veliu.

Tashmë me Vetëvendosjen në pushtet, klubi “FC Dardanet” është rënditur në listë i 20-ti. Djali i Agim Veliu, Shkumbin Veliu është drejtor i Klubit “FC Dardanet”.

Kjo nuk është hera e parë që i biri i Veliut është përfitues i subvencioneve nga komuna.Edhe gjatë vitit 2020, Shkumbin Veliu u përfshi në listën e përfituesve për klube sportive, shkruan Gazeta Insajderi.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark