×
  • Lajme
  • Lajme

    Njihet me të, mund të ndihmoi në hetim- Avokatja e të arrestuarës për zhdukjen e biznesmenit gjilanas flet për Insajderin

    Insajderi
    23 January 2024 - 14:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi

    Më 10 janar të këtij viti nga familja ishte deklaruar në Polici i zhdukur biznesmeni nga Gjilani, Musah Hamiti. Një hetim për zhdukjen e tij kishte nisur, kjo pasi që ai u raportua se me vete kishte edhe 80 mijë franga.

    Hetimet që po kryen Prokuroria Themelore në Gjilan kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin- rrjedhimisht edhe dërgimin në paraburgim të dy shtetaseve të Shqipërisë.

    Insajderi, nga burime brenda Gjykatës merr vesh se një gjykatës i procedurës paraprake ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të dërguar në paraburgim Silvana Dulellarin e lindur në vitin 1984 dhe Marinela Markoviç e lindur në vitin 1989.

    Të dyja këto shtetase të Republikës së Shqipërisë dyshohen se janë të përfshira në rastin që po hetohet si zhdukje.

    Ato dyshohen për veprën penale të specifikuar me nenin 191 të Kodit Penal që parasheh dënim nga 15 vite burgim, deri në burgim të përjetshëm.

    Por, mbi dyshimet që ka ngritur Prokuroria, mbrojtsja e  Marinela Markoviç, avokatja Zanita Leka-Ademi thotë se Gjykata kur vendosi masën e paraburgimit ka bërë  shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike

    “Me këtë aktvendim, gjykata ka shkelur dispozitat e procedurës penale ashtu që edhe pse nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, gjykata ato nuk i ka respektuar. Konsiderojmë që në aktvendimin e atakuar, gjykata nuk ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për caktimin e masës së Paraburgimit për të pandehuren Marinela, ngase baza ligjore e pretenduar nuk qëndron” i ka thënë Insajderit avokatja Leka-Ademi.

    Arsyeja ligjore për caktimin e masës së paraburgimit nga neni 184 par. 1 nënpar. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 se e njejta po të lihet në liri, mund të arratiset, nuk qëndron pasi që të njejtës i është sekuestruar pasaporta, thotë avokatja Leka

    Po ashtu nuk qëndron as kushti nga paragrafi 1 nënparagrafi 1.2 pika 1.2.2 i nenit 187 të KPP se mund të ndikojë në prova dhe dëshmitarë, “pasi që provat dhe deklaratat e dëshmitarëve te pandehurës tjetër tani janë marrë në tërësi, dhe prokuroria e gjykata ato i posedon, andaj kjo masë si e tillë në këto rrethana është e panevojshme dhe shumë e ashpër”, ka thënë për Insajderin avokatja Zanita Leka- Ademi.

    Sipas saj vendosja e masës së paraburgimit të dyshuarën për të mbrojturën e  Marinela Markoviç në këto rrethana është e ashpër, duke marrë parasysh faktin se e njëjta ka shoqëri disavjeçare me personin tani të zhdukur, i cili e ka ndihmuar atë në momentet më të këqija të jetës së saj, “prandaj është keq emocionalisht për shkak të zhdukjes së tij dhe e njëjta nuk ka të bëjë fare me të, sipas dy deklaratave të saj që i ka dhënë në stacionin policor në Gjilan”, ka thënë avokatja.

    “Është e rëndësishme që të pandehurës Marinela të mos i caktohet masa e paraburgimit, pasi që ajo është personi më i afërt dhe i besueshëm i personit të zhdukur, dhe nëse ai paraqitet nuk do të ketë ku ta kontaktojë, kurse për shkaqe edhe të ndihmës organeve të drejtësisë, një masë tjetër më e butë konkretisht masa e arrestit shtëpiak, do të ishte efektshme”, i ka thënë tutje Insajderit avokatja Leka-Ademi.

    Ajo ka bërë me dije se Musa Hamiti nuk është është hera e parë që ky person zhduket dhe deaktivizon rrjetet sociale, dhe “shpresojmë se sikur edhe herë tjera do të kontaktojë me të pandehurën Marinela ose do të dojë ta takojë atë”, ka thënë tutje avokatja.

    Fakti që një gjykatës i procedurës paraprake coi në paraburgim dy shtetaset shqiptare, avokatja Leka-Ademi thotë se “gjykata nuk ka vlerësuar drejtë kur ka vendosur për caktimin e kësaj mase ndaj të mbrojturës time, pasi që nuk ka marr parasysh as bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar më tutje. Pra gjykata, nuk ka marrë parasysh rrethanat reale, se po t’i kishte shikuar dhe vlerësuar, do të kishte vendosur ndryshe lidhur me të pandehurën Marinela”, tha ajo.

    Ajo thotë që i është drejtuar me ankesë Gjykatës së Apelit dhe pret që nga e njëjta Marinela Markoviçit t`i ndërkrehet masa e paraburgimit dhe eventualisht nëse gjykata e sheh të arsyeshme, t`i caktojë ndonjë masë tjetër më të butë që do të ketë efektin e vet./ Gazeta Insajderi

    Lexo edhe raportimet e tjera të Insajderit për këtë rast:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark