Kryendeshja e javës së katërt në Superligën e Kosovës në futboll zhvillohet të mërkurën në Gjilan.
Drita dhe Ballkani, dy skuadrat që vitet e fundit synim kanë trofetë dhe daljen në Evropë do të sfidohen mes vete.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu në një konferencë për gazetarë të mbajtur sot në ambientet e stadiumit të qytetit ka deklaruar se skuadrën që ai drejton e pret ndeshje e fortë.
Ai gjithashtu ka vlerësuar lart kundërshtarët nga Suhareka.
“Nesër na pret një përballje e fortë realisht. Takohen dy skuadrat që dy vitet e fundit kanë zhvilluar ndeshje të forta. Kjo për shkak të cilësisë së futbollistëve apo edhe kualitetet që kanë dy skuadrat. Dyja skuadrat kanë cilësi brenda grupit”, deklaroi Nuhiu.
Ndeshja ndërmjet Dritës dhe Ballkanit luhet nga ora 16:00.