×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Nuk zmbrapset Balje përkundër thirrjes për shkarkim: Jam kundër kërkesave të LGBT-së, janë kundër fesë

    Insajderi
    09 February 2024 - 15:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”, kjo është thirrja e disa organizatave për të drejtat e njeriut drejtuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilat po kërkojnë shkarkimin e kryetares së Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Dude Balje, për shkak qëndrimeve të saj ndaj komunitetit LGBT+.

    Gazeta Insajderi ka telefonuar deputeten, Dude Balje për të parë se si e ka pritur këtë thirrje.

    Balje në prononcim për Insajderi, ka thënë se ajo nuk është kundër grupit LGBT, por ndaj kërkesave të tyre, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e familjes.

    Ajo ka theksuar se thirrje të tilla mund të ketë, por që mendimi i saj nuk do të ndryshoje edhe nëse kjo i kushton me heqjen nga pozita e kryetares në këtë komision.

    “Në fakt prej  momentit që nuk e kam votu Kodin Civil, kanë fillu këto thirrje, do të thotë ndaj Kryetarit i Komisionit për të Drejtat e Njeriut nga LGBT. Unë, nuk jam kundër LGBT, aspak, jam kundër kërkesës që ata kanë sepse mendoj që janë kundër familjes normale, familjes kosovare, shqiptare, boshnjake – janë kundër fesë, dhe jam kundër. Dhe, posti i kryetares për Komisionit për të Drejtat e Njeriut nuk mundet kurrë me ma ndryshu mendjen”, ka thënë ajo për Insajderin.

    Balje ritheksojë se nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket Kodit Civil.

    “Tash kryetari mundet me vendos në favor të LGBT ose kundër. Unë nuk përzihem aty, por pa marrë parasysh unë mendimin e kam të cilin e kam, prej ditës së parë që është diskutuar për Kodin Civil, kam dalë publikisht me mendimin tim dhe nuk do ta ndryshojë”, u shpreh ajo.

    Gjatë bisedës, ajo u shpreh e bindur se të njëjtin qëndrim si të saj ndaj LGBT-së e ndajnë edhe 95% e popullatës në vend.

    “Ata munden me kërku (shkarkimin), unë kam të drejtën e shprehjes së mendimit të lirë dhe ata nuk munden me më imponu mendimin. Dhe, unë jam e sigurt që gati 95% e qytetarëve të Kosovës mendoj si unë, dhe unë nuk do të ndryshojë asgjë”, deklaroi deputetja.

    Çka thuhet në thirrjen për shkarkimin e Duda Baljes?

    Pesë organizata për të drejtat e njeriut përmes një letre publike kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të kryetares së Komisionit për Drejtat e Njeriut, Dude Baljes nga ana e kryetari të Kuvendit, Glauk Konjufca. Përveç Baljes, ata po kërkojnë shkarkimin edhe të deputetes së LVV-së, Labinotë Demi-Murtezi.

    Në letrën e publikuar në rrjetin social “Facebook”, CEL Kosovo, ka thënë se mund të lejojmë që një person me qëndrime diskriminuese të drejtojë një institucion kaq të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.

    Me këtë rast, kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Duda Balje nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejta të Njeriut. Nuk mund të lejojmë që një person me qëndrime diskriminuese të drejtojë një institucion kaq të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë. Njëherit, kërkojmë edhe shkarkimin e Labinotë Demi Murtezi nga ky komision për gjuhën e saj shpifëse dhe të urrjetjes ndaj personave LGBTIQ+”, kanë shkruar në letrën publike dërguar Konjufcës.

    “Ne kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të reagojë menjëherë dhe të ndërmerr masa për të garantuar se pozitat publike janë të mbajtura nga persona që respektojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut pa dallim për të gjithë ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Kosovës”, thuhet aty tutje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark